Kryemadhi: Një karantinë e dytë do ishte fatale për ekonominë, duhen bërë testime masive për të shmangur karantinën e dytë

261
Sigal

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi e ftuar në emisionin ‘Zonë e Lirë’ u shpreh se është kundër një karantine të dytë. Ajo tha se Shqipëria është e dërrmuar nga karantina e parë dhe një karantinë e dytë do të ishtë fatale. Zgjidhja për të shmangur karantinën e dytë u shpreh Kryemadhi është rritja e testimeve.

A jemi gati për një karantinë të dytë?

Mendoj që jemi të dërrmuar nga karantina e parë, jemi të dërrmuar ekonomikisht, jemi të dërrmuar psikologjikisht, jemi të dërrmuar në shëndetin mendor dhe një karantinë e dytë do të ishte fatale për ekonominë, për biznesin, për arsimin e për çdo gjë tjetër. Por mendoj që duhet të karantinojmë ata që janë të paaftë për të menaxhuar këtë situatë problematike që po kalon sot Shqipëria, por jo vetëm Shqipëria, por e theksoj për shkak të keq menaxhimit. Mendoj që karantina është një nga momentet i cili kërkon përveç se një bashkëbisedim total dhe angazhim jo vetëm të strukturave shtetërore, por të gjithë njerëzve që dinë dhe kuptojnë nga situata në të cilën jemi, pavarësisht bindjeve politike, pavarësisht egove personale, mendoj që është e domosdoshme për të gjithë ne që të japim një vendim dhe një zgjidhje.Mendoj që politikisht sa më pak të flasim për këtë situatë do të jetë shumë më mirë dhe të harrojmë sa më shumë konfliktet politike për t’i dhënë zgjidhje çështjes së situatës që po kalon sot Shqipëria.

Je pro apo kundër një karantine të dytë?

Jam kundër një karantine të dytë.

Qoftë edhe e pjesshme?

Karantina eliminohet totalisht nëse kemi testime në masë të të gjithë popullatës. Sepse sot është bërë një tender për të marrë gjasme disa mjete anti covid, nuk ka shpallur fituesin Ministria e Shëndetësisë, Kryeministria ka shpallur të trembëdhjetin, që është 3 herë më i shtrenjtë se ai që ka fituar tenderin për maska, dorashka e gjëra të tjera. Kur ndërkohë këto para që s’janë gjë tjetër veçse një tender sekret që trefishohet buxheti i tij, këto para mund të ishin marrë për tamponë që të bëhej testim masiv i popullatës, në mënyrë të tillë për të eliminuar një karantinë të dytë, e cila do të shkatërronte dhe do të dërrmonte ekonominë shqiptare, do të humbnim vende pune, do të largoheshin shqiptarët tashmë jo me avion, por nga kufiri.