Kryediplomati austriak, Sebastian Kurz, mbërrin sot për një vizitë dy ditore në Tiranë, ku në fokus të diskutimeve do të jetë procesi i integrimit dhe nxitja e bashkëpunimit rajonal. Sipas njoftimit për shtyp të MPJ-së, Kurz do të pritet në takim sot rreth orës 17.00 nga ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati.
Në përfundim të takimit dypalësh, dy Ministrat do të zhvillojnë një konferencë të përbashkët për shtyp. Ndërsa mëngjesin e të enjtes, Ministri Federal për Evropën, Integrimin dhe Punët e Jashtme të Austrisë, Sebastian Kurz do të ketë takim edhe me kryeministrin Edi Rama dhe kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
Kurz viziton Tiranën në kuadër të një turi rajonal, por edhe në kuadër të proçesit të Berlinit, ku takimi i dytë për këtë proces u mbajt pikërisht në Vjenë. Në përfundim të vizitës në Shqipëri, ministri Kurz do t’i drejtohet më pas shtetit të Kosovës.