Sigal

Ka mjaftuar modeli i një pallati në “Komunën e Parisit”, i cili u rikonstruktua nga projekti “Fondi i Komuniteteve”, për të nxitur banorët e një tjetër pallati ngjitur për të zgjedhur administratorin e për të aplikuar në këtë projekt, ku gjysmën e shpenzimeve të investimit e mbulon bashkia dhe gjysmën tjetër vetë banorët. “Ishte shumë problematike sa i përket fasadës. Banorët, pasi panë investimet që u bënë tek kullat përballë, ishin të interesuar për këtë ndërhyrje dhe shprehën gatishmërinë për të aplikuar dhe vë re se sa më shumë punë të bëhen në këtë lagje dhe njerëzit janë më të ndërgjegjshëm e të ndjeshëm ndaj problemeve, e ruajnë më shumë pronën e tyre”, – deklaroi kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj. Për kryetarin e bashkisë, ky ndërgjegjësim i qytetarëve për ambientet e përbashkëta u shkon sërish atyre, pasi u rrit vlerën e pronës: “Fakti që sot veshja me kapotë e rrit ngrohjen deri në 4-5 gradë dhe për dy-tre vjet nxjerr koston e investimit dhe të pagesës modeste të çdo familjeje, është një formulë që ia vlen. Ndaj, ftesa për banorët është: Kopjoni më të mirët dhe, nëse investimet në horizontal po e nxjerrin lagjen në dritë, po bëhen rrugët, rreth-rrotullimet, trotuaret, këndet e lojërave, duhet që edhe në vertikal të kemi të njëjtën cilësi. Kur qytetarëve s’u shkel këmba në baltë, ama edhe shkojnë në një shtëpi me ambient të ngrohtë, do të thotë se ky është një qytet ku ia vlen të investosh dhe ia vlen të jetosh”. Veliaj u bëri thirrje qytetarëve që ata që nuk e kanë, të zgjedhin sa më parë administratorin, pasi vetëm kështu mund të përfitojnë fonde nga bashkia.