Kryebashkiaku Dako dhe ambasadorët përuruan Memeorialin e viktimave të anijeve austrohungareze, mbytur 100 vite më parë

684
Sigal

Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, ambasadori austriak, Johann Sattler dhe ambasadori hungarez, Lorant Balla përuruan pranë mureve të kalasë së Durrësit memorialin në përkujtim të 2.700 viktimave të anijes “Loyd LINZ” dhe anijeve të tjera të Marinës Austro-Hungareze, të cilët humbën jetën pranë brigjeve të Durrësit.

Ky memorial është realizuar nga Prof. Dr. Sadik Spahija dhe profesor Ergys Krisiko. Në ceremoni mori pjesë edhe Presidenti i Kryqit të Zi austriak, Otto Jaus.

Në fjalën e tij Dako deklaroi, se tragjeditë që ndodhën 100 vjet më parë janë pjesë e dhimbjes, por edhe shenjë e nderimit nga qyteti ynë: “Është diçka e veçantë sot për mua dhe qytetarët e Durrësit, të jemi sot këtu në këtë vend, për të memorizuar një ngjarje shumë të rëndësishme. Sot është rasti të nderojmë kujtimin e të gjithë atyre që humbën jetën bashkë me anijen “Linz”, që është quajtur gjithashtu “Titaniku austriak” por edhe në anijet e tjera gjatë Luftës së Parë Botërore. Kjo është dhe dhimbja jonë, dhimbja e qytetit të Durrësit. Ne ende nuk e dimë çfarë dhimbjeje u burgos brenda “Linz-it” austriak, dhe është detyra jonë ta zbulojmë dhe t’i bëjmë shenjën e kujtesës së nderimit tonë dhimbjes njerëzore.” Anija e goditur ishte një prej anijeve të shkallës më të lartë të sigurisë, që vepronte nën egiden e “Lloyd-it”, kompania vazhdon edhe sot të jetë e shkallës më të lartë të sigurisë. “Linz” është quajtur jo pa kuptim “Titaniku austriak” dhe ngjashmëria nuk është e vogël. Vetëm se historia e “Titanikut” është trajtuar me interes nga disa këndvështrime, kurse historia e “Titanikut austriak” ende nuk është zbuluar.