Sigal

Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, ambasadori austriak Johann Sattler dhe ambasadori hungarez Lorant Balla përuruan pranë mureve të kalasë së Durrësit memorialin në përkujtim të 2.700 viktimave të anijes Loyd LINZ dhe anijeve të tjera të Marinës Austro-Hungareze të cilët humbën jetën gjatë luftës së Parë Botërore, 1914-1918, pranë brigjeve të Durrësit. Ky memorial është realizuar nga skulptorët Prof. Dr. Sadik Spahija dhe profesor Ergys Krisiko. Në ceremoni mori pjesë edhe Presidenti i Kryqit të Zi austriak Otto Jaus.

Në fjalën e tij kryebashkiaku Dako deklaroi se tragjeditë që ndodhën 100 vjetë më parë në brigjet e Durrësit janë pjesë e dhimbjes por edhe e nderimit nga qyteti ynë: “Është diçka e veçantë sot për mua dhe qytetarët e Durrësit, të jemi sot këtu në këtë vend, për të memorizuar një ngjarje shumë të rëndësishme. Sot është rasti të nderojmë kujtimin e të gjithë atyre që humbën jetën bashkë me anijen “Linz”, që është quajtur gjithashtu “Titaniku austriak” por edhe në anijet e tjera gjatë luftës së parë botërore. Ndodhi në një luftë të marrë, që për shqiptarët ishte dyfish e marrë. Ishte një nga shenjat e larta se lufta botërore po shkonte drejt fundit, me flijimet e veta absurde. Ishte goditur një prej anijeve të shkallës më të lartë të sigurisë, që vepronte nën egiden e Lloyd-it, edhe sot kompania e shkallës më të lartë të sigurisë. “Linz” është quajtur jo pa kuptim “Titaniku austriak” dhe ngjashmëria nuk është e vogël.

Vetëm se historia e “Titanikut” është vështruar nga disa pika interesi, kurse historia e “Titanikut austriak” ende nuk është zbuluar. Kjo është dhe dhimbja jonë, dhimbja e qytetit të Durrësit. Ne ende nuk e dimë çfarë dhimbjeje u burgos brenda “Linz-it” austriak, dhe është detyra jonë ta zbulojmë dhe t’i bëjmë shenjën e kujtesës së nderimit tonë dhimbjes njerëzore.” Ambasadori austriak Johann Sattler nga ana tij deklaroi se Kjo vepër na fton të reflektojmë për jetët e rëna gjatë luftës së parë botërore: “Kjo vepër na fton të reflektojmë për jetët e rëna gjatë luftës së parë botërore në brigjet e Durrësit dhe na rikujton absurditetin e luftës. Personat që humbën jetën në anijet e flotës Austrohungareve Linz, Bregenz, Lika, U16 dhe në anije të tjera, të cilët ishin me kombësi të ndryshme austriakë, hungarezë, shqiptarë, italianë, kroatë, malazezë dhe nga vende të tjera të Ballkanit, po i rikujtojmë sot dhe do të kemi mundësinë ti rikujtojmë sa herë që kalojmë pranë këtij memoriali të mrekullueshëm të vendosur në vendin që i takon, pranë mureve historike të Durrësit.” Ndërsa ambasadori humngarez u shpreh se një pjesë e së kaluarës së vendit të tij inkuadrohet në qytetin e Durrësit: “Një shekull më vonë ne jemi në këtë memorial për të përkujtuar të gjithë ata që humbën jetën në anijen Linz por edhe në anije të tjera. Unë falenderoj Bashkinë e Durrësit për këtë memorial që do ti kujtojë qytetarëve hungarezë që vizitojnë çdo vit e më tepër Durrësin një tragjedi nga lufta e parë botërore që thuajse ishte harruar, një ngjarje nga e kaluara jonë por që tashmë është inkuadruar në historinë e qytetit të Durrësit.” Pranë kepit të Rodonit ka ndodhur një nga tragjeditë më të mëdha detare të historisë.

100 vjet më parë gjatë luftës së parë botërore anija Linz do të lundronte drejt brigjeve të Durrësit me mbi 1000 persona në bordin e saj që ishin ushtarë, personel i kryqit të kuq, si dhe shumë robër lufte. Në brigjet e Durrësit anija Linz u godit nga një silur dhe u mbyt. Vetëm 300 persona u arrit të shpëtohen. Për më tepër se 100 vjet prehet “Titaniku Austriak” në ujërat detare shqiptare. Sa shumë persona gjetën varrin në fund të detit natën e mbytjes nuk do te sqarohet dot kurrë.

Cdo viktimë e tragjedisë së mbytjes së “Linz”-it në 19 Mars 1918, e cila ka banesën e fundit në detin Adriatik, ishte një viktimë më shumë. Tragjedi të tilla kanë ndodhur edhe me disa anije të tjera austrohungareze. Ky memorial ku shkruhet në tre gjuhë:shqip, gjermanisht dhe në gjuhën hungareze kujton pikërisht tragjeditë detare të asaj kohe me motivin: Përkujtoni ata dhe të vdekurit e të gjitha luftrave – fati i tyre na bën thirrje për pajtim.