Kryebashkiakët “arratisen” për pushime

481
Përparim HALILI

Pushtetarët të “thekur” e të nxirë nga plazhet, shqiptarët të djegur e të sterrosur nga zjarret
Në vend të marrë masa, kreu i qeverisë përgatit ekspozita me momente nga zjarret me pamje artistike më.. spektakolare e frymëzuese! 
– Për ta mbajtur zjarrin “larg menderes” së tij, në sarajet private të kryeministrit në Surrel është vendosur me shërbim “non stop”, 1 automjet zjarrfikës i kompletuar me 6 punonjës dhe një linjë e posaçme furnizimi me ujë të bollshëm, për rast emergjence…
– Zjarret po shkrumbojnë vendin, mbasi për turp të qeverisë e shtetit, Shqipëria nuk ka asnjë avion zjarrfikës, por ka kryeministër i cili po përgatit një ekspozitë pikture, me momente nga zjarret më frymëzues… 
Ditën që nisi dëgjesat me popullin, kryeministri “u betua”, se asnjë prej ministrave dhe deputetëve të “rilindjes”, nuk do të shkonte për pushime, por do të punonin për hartimin e programit të qeverisë “Timoni vetëm”. Madje, me urgjencë caktoi edhe grupet e “punës reformuese” për çdo sektor të ekonomisë, kulturës, policisë, ushtrisë, financave, arsimit, shëndetësisë, administratës, pushtetit lokal etj. Pasi doli nëpër zona dhe shkarkoi vetëm një drejtor zonal në Berat, kërcënoi një tjetër në Shkodër e pasi u kërkoi dorëheqjen drejtorëve të spitaleve dhe hipotekave, shumica e të cilëve nuk e përfillën, kryeministri iku vetë me pushime, duke frekuentuar disa nga plazhet e bregdetit shqiptar, natyrisht atje vila qeveritare. Pas tij edhe deputetët, ndërprenë konsultat me popullin e u nisën në plazhe brneda dhe jashtë Shqipërisë. Pas deputetëve, shkuan edhe ministrat e “rilindjes”, disa prej të cilëve në plazhet e Europës e të botës, atje ku janë “rezident” familjarisht. Ashtu si kryetari Basha, që delegoi kompetencat tek Nard Ndoka e iku në plazh larg “rrëmujës e rrëmetit” shqiptar, vepruan dhe “ministrat teknikë” të PD, të cilët pasi deleguan kompetencat tek vartësit e punësuar pas 22 majit 2017, u nisën në plazhe me statusin “ministër”, të shoqëruar me eskortat dhe shpenzimet e shtetit! Gjithë qeveria është me pushime e për rrjedhojë edhe opozita PD, që siç duket po pret shtatorin për të nisur betejën, sikur opozitarizmi të jetë sezon kampionati basketbolli! Në zyrat e ministrive gjenden vetëm disa nëpunës, të cilët nuk kanë kompetencë as të “përshëndesin” e po kështu edhe rojet e portave, që në shumicën e institucioneve i gjen “me brekë e kanotiere” në vendet e punës! Prej afro 1 muaji, Shqipëria po digjet nga zjarri, aq sa hiperbolikisht mund të thuhet se deri tani, zjarret nuk kanë djegur vetëm pikturat dhe lulet para kryeministrisë. Territori i vendit është lënë në mëshirë të flakëve të zjarrit, të cilat duhet të shuhen prej drejtorit të Emergjencave Civile, i cili e ka humbur aq shumë kontrollin përballë kësaj situate, sa prej disa ditësh ka dalë e po bën rolin e “meteorologut dhe sizmologut”, paçka se është oficer kufiri! Vetë kryeministri “po punon” për ta mbajtur zjarrin vetëm “larg menderes” së tij, duke vendosur në sarajet private në Surrel, shërbim “non stop” me 1 automjet zjarrfikës, të kompletuar me 6 punonjës dhe një linjë të posaçme furnizimi me ujë të bollshëm, për rast emergjence… Përballë kësaj situate zjarresh me flakë e tym deri në qiell dhe me pyje, shkurre e kullota të kthyera në “hi”, kryeministri që thotë se “po dëgjon popullin”, po bënë sikur nuk shikon asnjë zjarr! Deri para 3 ditësh, nuk foli asnjë fjalë. Nuk shkoi në asnjë zonë të shkrumbuar, siç shkonte për vota para 25 qershorit! Tre ditë më parë, në një moment ndërrimi zonë-plazhi, kryeministri u kthye në zyrë e tha “diçka” për zjarret, duke u sjell sikur këto zjarre nuk po shkrumbojnë Shqipërinë, por sikur janë zjarre të ndezur për “Natën e Bardhë” në Pezë e Galigat! Në kronikat televizive, kryeministri dukej që ishte “thekur” e nxirr nga plazhi, ndërkohë që shqiptarët nëpër zona, janë përcëlluar e sterrosur nga përleshja me zjarret që po u djegin pyjet, kullotat, bizneset, pemëtoret, ullishtat, stanet, bagëtitë dhe banesat. Është rast i rrallë në botë, që një shtetar si kryeministri ynë, del e “zbardh dhëmbët” ekraneve televizive dhe shkon për t’u freskuar në plazhe me një ushtri roje, me rërë të situr, me ujë të filtruar e ushqime importi të sigurta, kur 70% e pemëtoreve,. 90% territorit të gjelbër dhe 80% e parqeve e qendrave turistike po digjen nga zjarret e për më tepër, kur populli bënë plazhe në dallgë ujërash të zeza, në rërë të mbushur me jashtëqitje e plehra, në bregdet pa asnjë roje sigurie dhe me ushqime që të “vrasin”. Por alarmi qëndron tek zjarret që po djegin gjithë territorin e vendit! Qeveria nuk po i shuan dot, për shkak se në gjysmat e bashkive nuk janë ngritur stacione zjarrfikës edhe pse ka miratuar ligjin e ka akorduar fondet që nuk dihet se ku kanë përfunduar. Qeveria nuk po i shuan dot zjarret, mbasi në 100% të zonave rurale ku gjenden pyjet e kullotat, nuk ka shërbim zjarrfikës, në 80% të stacioneve zjarrfikës nuk ka ekipe të kompletuara as në numër dhe as si efektivë të specializuar. Zjarret po shkrumbojnë vendin, mbasi për turp të qeverisë, Shqipëria nuk ka asnjë avion zjarrfikës, por ka vetëm kryeministër i cili po përgatit një ekspozitë pikture me momente nga zjarret me pamje artistike më.. spektakolare e frymëzuese! 
Pasi firmosën tenderët e radhës

Zonat pa ujë e në flakë, 34 kryetarë dhe 60% e zyrtarëve të bashkive, në plazhe
Pasi firmosën edhe tenderët e radhës, shumica e kryetarëve të bashkive në Shqipëri, u hipën familjarisht avionëve e veturave luksoze dhe shkuan me pushime në plazhe e resorte malore, për t’u rikthyer në javën e fundit të gushtit, në vilat dhe rezidencat e tyre private! Nisur prej një letre të ardhur në redaksi nga banorët e një qyteti turistik, lidhur me faktin që qyteti i tyre ishte prej 15 ditësh pa “asnjë pikë” ujë, ndërsa kryetari i bashkisë së qytetit, drejtori i ujësjellësit, nënkryetarët dhe pothuajse gjithë administrata e bashkisë, kishin ikur në plazhe, gazeta “Telegraf”, kreu një investigim, duke telefonuar në të 61 bashkitë e vendit, duke u prezantuar si “investitor i huaj”, që kërkonte takim me kryetarët ose nënkryetarët! Nga telefonatat e bëra në 61 bashkitë që ka vendi, në 34 prej tyre na dhanë të njëjtën përgjigje: “Kryetari dhe n/kryetari janë me leje, kanë ikur me pushime në plazh, kthehen në shtator”! Nga përgjigjet, mësuam se 34 prej krye-bashkiakëve kanë shkuar me pushime jashtë Shqipërisë, 13 prej të cilëve kanë përdorur bileta avioni, të planifikuara për “vizita pune”! Nga vëzhgimet dhe investigimet që kanë kryer gazetarët e “Telegraf” në zona, rezulton se përveç kryetarëve, me pushime vjetore kanë ikur edhe 60% nëpunësve të zyrave të shërbimeve të përditshme ndaj popullit, kanë ikur me pushime! Madje, në 26 prej bashkive janë boshatisur edhe zyrat e Gjendjes Civile, duke lënë vetëm nga 1 punonjës, me pasojë kaosin e krijuar prej kërkesave të shumta që kanë emigrantët për shërbime dhe qytetarët që duan të regjistrojnë adresat e reja nga frika e gjobës sa 1 pension mujor pleqërie! Vetëm në Shqipëri ndodh skandali shtetëror që kur zonat “vishen” nga flakët e zjarrit shkatërrues dhe banorët “digjen” për ujë, kryetarët e 34 bashkive deh vartësit e tyre… relaksohen nëpër plazhe! 
Sigal