5 Majin nuk e njohim si Dita e Dëshmorëve, në ato varreza prehen kriminelë

Jakup B. GJOÇA

Adriatik Alimadhi, kryetar i Ballit Kombëtar në intervistën për gazetën “Telegraf” shprehet se Dita e Dëshmorëve për Shqipërinë të jetë nga Lufta e Parë Botërore. Zoti Alimadhi pohon se në Varrezat e Dëshmorëve janë varrosur edhe kriminelë komunistë, të cilët e pushtuan Shqipërinë, duke e shitur tek serbët. Zoti Alimadhi thotë se Balli Kombëtar luftoi kundër nazistëve dhe fashistëve, duke pohuar se kriminelët komunistë hanin mish ballistësh, ndërsa Balli hante mish pule, se pulat për t’i ngrënë njeriu janë.

Komunistët hanin mish ballistësh, Balli hante mish pule

 -Zoti Alimadhi qeveria përgatit së shpejti një projektligj për Dëshmorët e LANÇ. Cili është reagimi i Ballit Kombëtar?

-Duke ditur mirë trashëgiminë e qeverisë aktuale, dje partia kriminale komuniste, Partia e Punës sot Partia Socialiste, kuptohet do kemi një ligj të njëanshëm si zakonisht dhe shqiptarët do të jenë të ndarë, nuk pres asgjë tjetër prej kësaj mendësie dhe veprimtarie komuniste.

– Pse deri më sot asnjë qeveri në Shqipëri nuk e ka njohur të mishëruar në ligj kontributin e Ballit Kombëtar në Luftën e Dytë Botërore?

– Ka pasur disa ndërhyrje në historinë e Shqipërisë, duke vendosur Mid’hat Frashrin, tek tuk ndonjë personalitet tjetër, është vendosur Dekalogu, Mukja, por më thënë të drejtën është shumë pak, theksoj se nuk kanë pasur dëshirë që Ballit Kombëtar t’i jepen meritat e kontributit të dhënë, sepse veprimtaria e tij është plotësisht dhe thellësisht kombëtare. Shikoni, unë e ndjek me shumë kujdes politik-bërjen në Shqipëri, ajo ka vepruar dhe vepron me mendësi komuniste. Shikoni vendimin e qeverisë aktuale për kthimin e eshtrave të Mid’hat Frashërit. Unë besoj që ju e dini, se Mid’hat Frashri ideoi dhe e krijoi vet Ballin Kombëtar, kryetar i parë deri në vitin 1949, kryetari historik i Ballit Kombëtar, kryetar i Komitetit Demokrat Shqipëria e Lirë, pra përse nuk i thuhen këto, por ka një tendencë shkëputje që kjo politikë bërje ta shkëputë Mid’hat Frashëri nga Balli Kombëtar, pra Mid’hat qenka pozitiv dhe fajin e ka pasur përsëri Balli Kombëtar. Kjo është poshtërsia më e madhe për të gënjyer dhe mashtruar mendësinë shqiptare.

– Pse në Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut nuk prehen eshtrat e nacionalistëve të vrarë në Luftën e Dytë Botërore?

– Ju më pyesni, përse nuk vihen eshtrat e ballistëve me varrezat e dëshmorëve? Kush janë këta, janë apo nuk janë dëshmorë, besoj se ka shumë prej atyre që nuk duhet të jenë, së fundi kjo politikë e 27-28 viteve ka më shumë për zemër luftën vëllavrasëse, sesa të dijë të vërtetën se kush ka bërë luftë kundër pushtuesve, ajo ka mbetur akoma te lufta gënjeshtër e disa partizanëve të mjerë, të cilët për hir të së vërtetës, sipas dokumenteve të arkivës, që publikon çdo ditë, më shumë kanë vrarë shqiptarë, sesa pushtues.

– Pse ende në Shqipëri nuk ka një datë të përbashkët të Dëshmorëve të Atdheut?

– Për mua duhet të ketë me çdo kusht një datë, por kjo datë nuk duhet të ketë të bëjë me veprimtari dhe me kriminelë komunistë në asnjë mënyrë. Shqipëria ka bërë luftëra edhe më parë, pikërisht le të kujtojmë Luftë e Parë Botërore dhe kush ka rënë dëshmor i parë në këtë luftë, do ishte një ide shumë e mirë. Kjo datë do ishte e përshtatshme mendoj dhe do të bënte lidhjen e luftërave historikisht në shekuj të shqiptarëve.

– Pse ende nuk kemi aktivitete historike, nuk kemi materiale historike të Ballit Kombëtar në Muzeun Historik Kombëtar?

– Pyetje me vend, aktivitete nuk ka kjo është e vërtetë. Kjo politikë nuk ka dëshirën e mirë për t’iu thënë të vërtetën shqiptarëve, sepse, po u vendosen në muzeun historik, do dalë e vërteta dhe Balli Kombëtar kishte të drejtë, prandaj nuk i vendosin në muze, por kjo duhet të bëhet të me ligj gjithmonë, kur ka dëshirën e mirë politikëbërja

– A ishin fashistët italianë dhe nazistët gjermanë pushtues në Shqipëri?

– Fashistët italianë dhe nazistët gjermanë ishin pushtues. Jo unë, por këtë e ka përcaktuar Balli Kombëtar 100%. Këtë e prek, e lexon çdo ditë në dokumentet arkivore të Ballit Kombëtar. Mos harroni, që luftën kundër këtyre pushtuesve e ka filluar Balli Kombëtar, ju kujtoj luftën e Gjormit, luftën e Ruzhdijes kundër pushtuesve italianë, mos harroni luftën e Prezës kundër pushtuesve gjermanë, këto janë me qindra luftëra që ka bërë Balli Kombëtar. Sot po ‘flasin’ dëshmorë tanë që janë me mijëra, sot po ‘flasin’ faktet dhe dokumentet që Balli Kombëtar ka bërë luftë kombëtare kundër çdo lloj pushtuesi.

– A vlen për Ballin Kombëtar Historia, që cilëson ata të cilët bashkëpunojnë me pushtuesit, të quhen Tradhtarë të Atdheut?

– Një pyetje që ka shumë rëndësi. Në parimet e Ballit Kombëtar, thuhet: Balli Kombëtar mbron idealin e drejtësisë shoqërore, ka detyrimin që shqiptarëve t’ju thotë gjithmonë të drejtën dhe të vërtetën. Balli Kombëtar e ka thënë, unë po e them përsëri qartësisht, të gjithë ata që kanë bashkëpunuar me pushtuesit për Ballin Kombëtar quhen tradhtarë të Kombit nuk ka pasur asnjë dyshim. Mirëpo kjo pyetje lind për shkakun, se historinë e kanë bërë ata që pushtuan Shqipërinë, historinë gënjeshtër e kanë bërë kriminelët, historinë e kanë bërë disa partizanë injorantë, historinë paçavure e bënë ata që fituan, duke vrarë shqiptarët e patriotët. Historinë e bënë ata që fituan, duke vrarë vëllezërit e tyre shqiptarë, historinë e bënë ata që lyen duart me gjak shqiptari të pastër, historinë e bënë ata që e shitën Shqipërinë te serbët, malazezët, grekët etj., dhe të gjitha këto ia veshën padrejtësisht Ballit Kombëtar. Pra këtë duam të bëjmë dhe t’ju themi shqiptarëve të vërtetën, kush ishte pushtuesi, kush bëri luftën kundër tyre, kush bashkëpunoi me pushtuesit dhe kush e shiti Shqipërinë te jugosllavi. Një gjë duhet të kuptoni, sot dhe çdo ditë po dalin në dritë faktet, dokumentet, mbi tradhtaret, komunizmi në Shqipëri tregoi se ishte një ideologji kriminale, nga ana tjetër po vërtetohet çdo ditë që Balli Kombëtar pranoi një mijë e një të zeza, poshtërime, epitete të padrejta për të mos lyer duart me gjak shqiptari.

Dritëro Agolli ka shkruar vargje ku Luftën e Ballit e simbolizon me pulat që hanin Ballistët. Ju si do t’i përgjigjeshit këtij simboli?

Ish-komunistët dje, ish-partizanët jetuan sa ymër iu dha zoti, askush nuk i persekutoi, burgosi, pushkatoi me gjyq dhe pa gjyq, ata duhet të kishin dhënë llogari para drejtësisë, kjo nuk u realizua, ata nuk kërkuan të paktën as ndjesë publike, apo të falur ndaj këtyre epiteteve të shfrenuara, gojëprishurve, gojëhelmuarve, ndaj familjeve më patriotike te kombit shqiptar, sigurisht ndaj Ballit Kombëtar. Është faji i këtyre njerëzve që ne si shoqëri vazhdojmë të jemi të ndarë, të përçarë, duke krijuar urrejtje midis shqiptareve. Unë do t’i përgjigjesha, se kriminelët komunistë dhe partizanët kanë ngrënë mish ballistësh dhe jo pula, sepse pulat për t’i ngrënë njeriu janë. Por në të vërtetë po ta kishte marrë Balli Kombëtar pushtetin Shqipëria do ishte pa komunizëm, pa diktaturë, pa vrasje, pa pushkatime, pa burgosje, por do kishim një Shqipëri të lirë, etnike dhe demokratike, një Shqipëri të radhitur midis vendeve perëndimore më demokratike në botë, një Shqipëri të bashkuar dhe të vëllazëruar.