Krutja, një fshat që ka nxjerrë personalitete…

1506
Sigal

Nga Ylli Gjermeni

Rrapi Gjermeni, ambasadori shqiptar në Republikën Popullore të Kinës që shoqëroi Çu En Lain, gjatë vizitës zyrtare të vitit 1964 në Shqipëri.

Për t’u mbajtur në kujtesë emri i një zone, të banuar apo të braktisur, nuk mjaftojnë njohuritë nga fusha e gjeografisë, nuk ndihmojnë as aftësitë e shfletimit të librave dhe leximi i hartave apo të dhënat zyrtare për ndarjen administrative të një vendi, sepse ndryshojnë, por janë toponimet që zakonisht krijohen dhe vendosen nga njerëzit, në jetën e tyre shumë shekullore. Kur një pikë e peizazhit të atjeshëm thërritet me fjalë apo me shprehje të veçanta, të cilat i diktojnë ndryshimet që pëson, ngjarjet që zënë vend për kohë të gjatë, jo vetëm në kronikat e kohës apo në dokumentet arkivore, por edhe në gojëdhënat dhe kushtet që realisht kanë ndikuar në zhvillimet ekonomiko-sociale të komunitetit, ngulitet dhe vazhdon të jetojë tek njerëzit prej disa brezash. Me një nga këto kushte mund të shpjegohet edhe përmendja për kohë të gjatë, në gjithë anët e Shqipërisë, i emrit të fshatit Krutje, e cili para dhjetëra dekadash vështirë se mund të dëgjohej përtej krahinës së Myzeqesë, ku shtrihen tokat dhe shtëpizat e një grupi bujqish dhe familjesh. Dikur ishin njësoj si të gjithë banorët e tjerë të Myzeqesë, të përvuajtur e drobitur, prandaj edhe toponimi i vend-ngrehinës së tyre, nuk mund të shënohej e përdorej asaj kohe, në veçanti në dokumentet zyrtare, në hartat e kadastrave, në rrugëtimet agrare, në këmbimet tregtare. Deri sot emri i Krutjes nuk lidhet me ndonjë ngjarje apo me emrin e ndonjë personi, të figure të njohur që gojarisht të ketë arritur në ditët tona. Sikurse për të gjithë banorët e krahinës së Myzeqesë, edhe për ata të Krutjes, është folur të kenë qenë të bindur, sa nga varfëria ashtu dhe vetmia, të rrethuar nga krahina të tjera me zakone e tradita të terrenit të ashpër ku jetonin banorët e tyre, si të Labërisë dhe pjesës tjetër të malësisë së Skraparit dhe Gramshit. Ajo që nisi të ndryshojë realitetin e vobektësisë në një të ardhme më të mirë të banorëve të Krutjes, ka të bëjë me një ngjarje historike, që u shënua për herë të parë si një prirje e zhvillimit agrar të këtij fshati, çka përfshiu gradualisht thuajse të gjitha zonat rurale të vendit. Ndonëse tek ne, nën kërcënimin e luftës së klasave, si formë e ideologjisë së diktaturës së proletariatit, u zbatua më me ashpërsi se në të gjithë vendet e tjerë të Lindjes, ish-komuniste. Në këtë atmosferë, të një dyzimi të tillë u përhap me njëherë lajmi, në të gjithë Myzeqenë dhe në krejt Shqipërinë, se 26 familje të Krutjes kanë bashkuar tokat, bagëtitë dhe krahët e punës, për të krijuar dhe ngritur një kooperativë bujqësore. Shumë shpejtë, këtyre familjeve iu bashkuan dhe të tjerat, duke forcuar bindjen e tyre, se me këtë formë bashkimi dhe organizimi të pronave të veta dhe të punës, do të merrnin rezultate më të mira, do të shpërndahesh prodhimi më drejtë, si e meritonte çdo familje bujqësore, që nxirrte të ardhurat me punë dhe vetëm me punë. Kjo frymë forcoi tek secili vullnetin për të mposhtur ato vështirësi proverbiale të terrenit dhe të varfërisë, që thuajse tërë myzeqarët i kishin pasur, si pjesë të identitetit të tyre. Me këtë frymë dhe besimin për të ardhmen më të mirë, i bëri fshatarët e Krutjes të zgjidhnin nga radhët e veta një kryetar të kooperativës së tyre, djaloshin e papërtuar, birin e fshatit të tyre, Rrapi Gjermenin, i cili do të përkujdesej me përkushtim, të mbeteshin të bashkuar dhe krenarë për çka do të arrinin, duke e çuar Krutjen para fshatratve fqinjë. Madje t’i nxiste dhe ata në rrugën që kishin zgjedhur. Të moshuarit që ende janë të gjallë nga ky fshat, e mbajnë mend si kryetar Rrapi nuk tërhiqej kurrë nga punët e shumta, që i kishin rënë mbi supe, as nga ajo pesha e rëndë e metalit, me duhanin e dredhur të fiksuar nëpër buzë, që hera-herës nxitonte ta sillte nga larg për në fshat, në rrebesh të shirave të vjeshtës e baltën e hershme, për t’ia vendosur të vetmit traktori të vjetër, që kishte pasur kooperativa.

 

Kështu, me sakrifica të mëdha e të shumta, me vendosmërinë për të marrë gjithnjë dhe më shumë më të mirat e kësaj toke, banorët e Krutjes filluan t’i ndjejnë. I prekshëm ishte edhe emancipimi i tyre, për të qenë në gjendje dhe të moshuarit, të mund të lexonin dhe këndonin në gjuhen e bukur shqipe, kur Shqipëria e dalë nga Lufta II-të Botërore e kishte 90 për qind të popullsisë analfabete, të mos nguronin të shpinin fëmijët e vegjël dhe të rinjtë në shkollat e të gjitha niveleve. Madje të ngrinin me kujdes të veçantë ekipin e volejbollit të vajzave të reja dhe të rritura, përfaqësuese në kampionatin e kategorisë I me emrin e “Traktorit” të Lushnjës, që për disa vite ndodhej në kryesuesit e tabelës së klasifikimit, por dhe fituese e disa kupave si ajo e Republikës. Nuk mund të lihet pa përmendur edhe fakti, që banorëve të Krutjes t’u bëhej qejfi pa masë, se kryetari i kooperativistëve, shumë shpejtë nga një djalosh ndryshoi në burrin e pjekur të mendimit dhe veprimit, deri sa u desh të mbante për kohë të gjatë detyra të rëndësishme në shkallë vendi, të na përfaqësonte në një periudhë të vështirë për kombin, në dy mandate rresht si ambasador në Republikën Popullore të Kinës. Me privilegjin të shoqëronte Çu En Lain, gjatë vizitës zyrtare të vitit 1964 në Shqipëri, të këtij personaliteti të njohur dhe të vlerësuar maksimalisht, të një vendi të pamatur sikur është Kina.

Kohët e deshën dhe e sollën për Shqipërinë, që të fitonte shpalosja e “individualitetit të njeriut, përballë dogmave të ngurta të kolektivizimit”, sikurse quhet sot nga disa politikanë, gjithçka që lidhet me regjimin e mëparshëm. Dhe në afro tre dekadat e fundit, era e re që frynë me shkulme edhe në Krutje, banorëve të fshatit u ka dhënë mundësinë të zhvillojnë më tej me cilësi të lartë jetën e tyre. Disa edhe prej emigracionit, të tjerë me kultivimin intensiv të traditës së fituar në bujqësi, pemëtari dhe blegtori, duke ngritur shtëpi drite të reja. disa kanë shtuar pronën dhe mekanikën bujqësore të niveleve bashkëkohore. Një pjesë zgjerojnë vendet e tregtimit të prodhimeve të tyre apo përzgjedhin qytetet për të qëndruar jetë e mot. Treguesit e shumanshëm dhe të shumëllojshëm vërehen në të gjithë vendin, që nuk lejojnë apo të bëjnë të mundur, që emri i Krutjes dhe i Myzeqesë, të përmenden lehtësisht nga të gjithë, sikurse ishim mësuar me emrin e tyre. Në kushtet e tanishme të këtushme, mund dhe duhet të bashkojmë përsëri jo vetëm krahët e punës dhe të mendjes, për zhvillim me ritme më të shpejta, të ndjeshme. Pra, për organizimin e ekonomive private të tyre, në formën e koperimit dhe specializimit. Nuk duhet të presin, por të nxisin dhe të tjerët, kur nga ekspertët e bujqësisë vlerësohen aq shumë. Koha do ta kërkojë më shumë, për zonat pranë dhe njësitë administrative të vendit. Në fund të fundit solidariteti është vlerë themelore evropiane, sikurse parashtrohet prej kohësh në shumë nga hapësirat e kontinenteve, si një e drejtë për shërbimet ekonomike të përbashkëta apo të drejtat e punëmarrësve, të shtjelluara në kontratat kolektive të punës, etj.. Kjo çështje trajtohet në Katalogun e të Drejtave Themelore dhe shënohet si në shumë kushtetuta të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, por edhe për hyrjen e vendit tonë në Evropë. Kjo do të thotë, se Bashkimi Evropian dhe vendet e tjera si Shqipëria, që aspirojnë të integrohen në familjen evropiane, janë jo shumë larg hapësirave më të gjera të bashkimit, por që duhet t’u mëshojnë më fortë të drejtave sociale, për t’u dalluar në këtë mënyrë më shumë se të qenit komunitete ekonomike, dhe për t’u orientuara drejtë kapitalit. Krijimi i kushteve të reja të vendit mundet të ndikojë, që në vazhdimësi emri i Krutjes së vogël, në krahinën e madhe të Myzeqesë, të vazhdojë të përmendet kudo nga gjithë dashamirësit, ashtu sikurse qyteza Madelinita e krahinës së Andaluzisë në Spanjë, për t’u bërë shembull e thënies së artikuluar anë dhe mbanë, se “Vlera e njeriut shihet për atë që jep dhe jo për atë, se çfarë është në gjendje të marrë”.