Krijime dhe artistë që shkojnë përtej kohës

1044
Vangjush SARO

Për aktorin e madh Jani Riza
Teksa yjet e kinemasë shqiptare, të teatrit shqiptar, ikin një e nga një, kupton gjithnjë e më shumë sa boshllëk lënë ata në historinë dhe në artin e këtij vendi, që edhe pse me përmasa e mundësi modeste, i la kohës e gjeneratave një numër të madh veprash artistike dhe një pasuri të tërë emrash të nderuar, të paharruar. Ndër ta, vjen e shkëlqen me dritën e vet, ylli i teatrit dhe kinemasë shqiptare, Jani Riza. Pjesëtar i një familjeje që do t’i jepte shumë skenës dhe ekranit, ai shkroi historinë e vet të paimitueshme. Për fat të keq, në një kohë të limituar nga fati. Kam dashur gjithnjë të tregoj diçka për Janin, aktorin brilant, që ishte tejet i apasionuar pas skenës dhe filmit e, në të njëjtën kohë, aq i veçantë në krijimet që përcolli në publik. Ai pati shumë pak kohë për të kryer detyrën e vështirë; por ia doli, sepse kështu ndodh me talentet, me yjet, ia dalin gjithnjë. Jani Riza i dha teatrit dhe filmit shqiptar gjithçka nga vetja e tij; ai i pasuroi ato me role të goditura dhe që nuk përsërisnin njëri-tjetrin. Edhe pse një aksident fatal e ndau herët nga jeta dhe të dashurit e tij, nga filmi e teatri gjithashtu, ai la një galeri të tërë personazhesh, që i krijoi me mund e sakrificë, me punë të madhe, vullnet e këmbëngulje, ndoshta edhe duke pushtuar gjithnjë e më shumë me padurim hapësirat, në ekran dhe në skenë; sikur ta dinte ç’kishte parashikuar fati për të. Ai kishte një pamje të rreptë, të jepte përshtypjen e një njeriu të “fortë”, të ashpër. Por ky “gjigant” ishte aq i butë, miqësor, tolerant, mirëkuptues, i papërtuar. Jani ishte ndër ata aktorë që krijonin karaktere dhe ndryshonin staturë e sjellje nga filmi në film, nga shfaqja në shfaqje. Do të ndalem vetëm në disa nga prurjet e tij në ekran. Tek “Vitet e para”, ai krijoi figurën e Dalipit, një i ri nga fshati, vullnetar në tharjen e kënetës së Maliqit, djalë i dashuruar me jetën, naiv, i paditur por i gatshëm për të mësuar, gjithnjë plot shpresa, entuziast. Loja e tij ishte aq e thjeshtë, e veçantë, pa maniera, bindëse, mbresëlënëse njëherësh. Tek “Agimet e stinë së madhe”, në një regjistër krejt tjetër, Jani Riza prapë krijoi një figurë tejet interesante, të ndryshme nga ato që kishte përcjellë në publik më parë: Njeriu që ka lënë mall e gjë në Shqipërinë komuniste dhe që vjen të përmbysë pushtetin e padëshiruar, me çdo kusht. Trim, i egër, dyshues, gjithnjë në kërkim të ndonjë shtegu; thellë asaj figure, është fshehur trishtimi për dështimet e periudhës në fjalë. Këtë mund ta bënte vetëm një artist i madh. Te “Përballimi”, Jani realizoi një nga figurat më brilante në filmin shqiptar, kulakun Xhezo. I rrëmbyer, kokëfortë, por kur e donte puna edhe dhelparak, i papërmbajtur, gjithnjë me një shprehje pakënaqësie në fytyrë, ai më në fund tregoi botën e fshatarit të pasur që, le të themi të vërtetën, gjithnjë i binin në qafë. “Rrethimi i vogël”. Një film, ku Jani Riza përsëri vjen krejt ndryshe nga rolet e tjera. Një njeri i thjeshtë, shofer me profesion, pjesë e një grupthi shokësh, që i lidh një miqësi e vjetër, e pastër. Ai është ndoshta më i natyrshmi mes tyre, hokatar, i sinqertë, dikush që nuk di të shtiret, i pari i tavolinës dhe gjithaq i përkushtuar për familjen. Duke punuar disa kohë në Kinostudion “Shqipëria e re”, për të dhënë një ndihmesë modeste, por pjesë e çmuar e krijimtarisë sime, pata mundësi të njihem me një sërë aktorë dhe artistë të tjerë të filmit. Të parët, shumica, vinin nga rrethet: për të kërkuar një rol; për kinoprova; për të xhiruar. Ndonjëherë përfshiheshin në dublime. Me honorare të papërfillshme. Duke sakrifikuar. Shpesh… përpara skenarësh që s’kishte burrë nëne t’i bënte filma të mirë (!) Për më tepër, nuk shkonte asgjë tutje, pa dhënë diçka më shumë nga vetja, duke e lënë familjen të të priste. Kështu bënim të gjithë. Kështu edhe Jani, që edhe pse ishte gati të binte theror në skenë e në sheshin e xhirimit, mendjen e kishte te dashuritë e tij: gruaja, Fili; dhe vajza, Ledina. Dy fjalë edhe përtej roleve. Aspekti njerëzor është pjesë e rëndësishme e jetës dhe karrierës së çdo artisti. Isha gjimnazist kur e kam njohur Janin; vinte për vizitë te fqinjët tanë, te njerëzit e të fejuarës (gruaja e tij e ardhshme) Fili, folëse dhe gazetare e njohur e radio Korçës. Shpesh bashkë me të, kalonin të dy përpara portës sonë, duke përshëndetur, gjithë mirësi, fqinjët apo të njohurit e rrugicës. Edhe pse sa vinte bëhej një aktor shumë i njohur dhe i kërkuar, ai prezantohej modest dhe pa bërë asnjë lloj “poze”. Jani rrezatonte vërtet shumë njerëzi dhe, më së pari, ajo shfaqej në sytë e tij të bukur. Është pak të them se ndër ata që u trishtuan më shumë për ikjen e tij të parakohshme, ishin banorët e asaj rrugice, ku ai shfaqej për të kërkuar dashurinë e tij të madhe, mandej çapitej ngadalë, duke u buzëqeshur të gjithëve; i dashur, i sjellshëm, fisnik. Të impononte respekt. Tashmë kinemaja shqiptare, teatri shqiptar, kanë humbur një pjesë të mirë të yjeve të veta. Kinemaja dhe teatri po kalojnë edhe ato njëlloj tranzicioni, si i gjithë vendi. Duket se yjet e asaj kohe, yjet e çdo kohe, ende ndriçojnë skenat dhe kafenetë, sallat dhe rrugët, parqet dhe bibliotekat, gjithçka ku lëvizin njerëz, aktorë dhe spektatorë e ku diskutohet kaq shumë për artin. Ndër ata yje, edhe Jani Riza shkëlqen dhe do të shkëlqejë gjithnjë me buzëqeshjen e njeriut dhe artistit shpirtmadh, profesionist dhe krijues, që ende duket sikur njërin vështrim e ka te kamera dhe tjetrin te familja e vet.
Sigal