Kreu i Shtetit në pritjen tradicionale të Vitit të Ri 2017 me përfaqësuesit e mediave

494
Sigal

Kreu i Shtetit në
pritjen tradicionale të Vitit të Ri 2017 me përfaqësuesit e mediave: Askush
nuk mund t’i ruajë më mirë dimensionet e lirisë, të demokracisë dhe të drejtave
se sa komuniteti i medias!

 

Presidenti i
Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani dha një pritje zyrtare me botues, drejtues
dhe përfaqësues të mediave shqiptare, edhe nga trevat e banuara nga shqiptarët
në rajon, duke mikpritur në Institucionin e Kreut të Shtetit kryeredaktorë,
gazetarë, editorialistë, opinionistë, analistë, kameramanë si dhe fotografë të
shumtë.

 

Kreu i Shtetit, pasi
përshëndeti të pranishmit duke iu uruar një Vit të Ri sa më të mbarë e të
suksesshëm, nënvizoi se: “gjatë viteve të mia në Zyrën e Presidentit të
Republikës jam përpjekur ta respektoj këtë traditë shumë pozitive dhe shumë të
mirë, duke nisur vitin me njerëzit e medias, me urimin për komunitetin e atyre
njerëzve që ndonjëherë me pa të drejtë nuk u vlerësohet dhe nuk u njihet
kontributi i një pune të përditshme, nganjëherë edhe 24 orë në ditë, një punë e
cila kërkon një produkt sa të kualifikuar dhe profesional, aq edhe pranë
realitetit dhe gjithnjë pranë terrenit dhe qytetarëve dhe njerëzve ku
zhvillohen dinamika e jetës së përditshme. Më mirë dhe më shumë se sa njerëzit
e medias vështirë të besosh se mund të ketë aktorë të tjerë që e bëjnë këtë
punë përditë 24 orë në ditë pa u ndalur”.

 

Duke shfrytëzuar këtë
takim të parë të vitit me përfaqësuesit e medias, Kreu i Shtetit u shpreh se:
“nga pozicioni i Presidentit të Republikës që kam pasur fatin, nderin dhe
privilegjin ta përfaqësoj në këtë periudhë, dëshiroj t’ju shpreh falënderimet
dhe mirënjohjen më të thellë për këtë punë dhe për këtë kontribut të madh që
jepni për shoqërinë, qytetarët dhe për shtetin. Gjej rastin që të uroj një vit
sa më të mbarë me dinamikën që pa dyshim juve ju karakterizon dhe me produktin
shumë të rëndësishëm që realiteti shqiptar, qytetarët shqiptarë, jeta politike,
sociale, shoqërore e përditshme e të gjithë aktorëve të shoqërisë pret nga bota
e medias!”

 

Një falënderim të
përzemërt Presidenti Nishani ua kushtoi gazetarëve dhe njerëzve të medias që
kishin ardhur nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Presheva, duke u dërguar një
përshëndetje të veçantë të gjithë atyre që dërguan mesazhe, që për shkak të
vështirësive të rrugës dhe të motit nuk mundën të mbërrinin këtë pasdite në
Tiranë nga këto vise: “Dua që edhe atyre t’u dërgoj urimet e mia më të
përzemërta, më të mira në emrin tim, në emrin e Institucionit dhe të gjithë
qytetarëve shqiptarë dhe mirënjohje e respekt të veçantë për punën e
jashtëzakonshme që bëjnë çdo ditë.”

 

“Presidenti i
Republikës nuk është një pushtet, është një institucion kushtetues. Ju jeni
pushtet, dhe jeni pushtet shumë i rëndësishëm krahas pushteteve të tjera dhe me
këtë dua të them që keni pushtet, keni kontribute të larta të jashtëzakonshme
në kontekstin e të qenit një pushtet, ashtu siç keni dhe përgjegjësitë e mëdha
në raport me shoqërinë në kontekstin e të qenit një pushtet, ashtu siç meritoni
të keni dhe vlerësimet dhe respektet në kontekstin e të qenit një pushtet, por
nga ana tjetër duke qenë një pushtet, edhe ju si pushtetet e tjera, jeni një
target i sfidave të ndryshme, i sfidave të cilat përballen me pushtetin e
medias, atakojnë herë pas here pushtetin e medias, tentojnë të bëhen pjesë e
pushtetit të medias për të deformuar herë-herë pjesë të pushtetit të medias,
prandaj i gjithë ky angazhim i juaji është në syrin, veshin, mendjen dhe në
shpirtin e opinionit publik. Si kudo në botë, dimensioni i medias edhe në
Shqipëri ka dimensionin e madh të orientimit të shoqërisë dhe një shoqëri është
me fat kur pushteti i medias udhëhiqet dhe në tërësinë e tij përbëhet nga
njerëz profesionistë, njerëz të cilët besojnë tek vlerat e lirisë në radhë të
parë, kontribuojnë për konsolidimin e vlerave të demokracisë dhe ruajnë dhe
pasurojnë dhe më shumë vlerat e integritetit që duhet të ketë një shoqëri.”

 

Presidenti vuri në
dukje se: “Praninë tuaj e konsideroj si një vlerësim dhe respekt adresuar
Institucionit të Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Për mua kjo është një
pjesë e rëndësishme e kulturës sonë shoqërore, të cilën ne duhet ta emancipojmë
gjithmonë e më shumë në raportin e sjelljes së shoqërisë me simbolet,
institucionet e shtetit shqiptar. Për pasojë ky respekt domosdoshmërisht e vë
Institucionin në radhë të parë në raportin e përgjegjësisë për sjellje të
përgjegjshme jo vetëm ndaj njërit prej aktorëve të rëndësishëm, siç jeni ju
sot, por në tërësi në raport me shoqërinë.”

 

Duke përshkruar vitin
që sapo u la pas, Presidenti Nishani theksoi: “Viti që shkoi ishte një periudhë
që e keni ndjekur, keni qenë të përfshirë, keni qenë aktorë, edhe kontribues në
shumë prej zhvillimeve, ngjarjeve dhe arritjeve që u shënuan në të. Duhet të
mos i neglizhojmë as mos i nënvlesojmë të gjitha arritjet tona si shoqëri, si
shtet, si vend, arritje të cilat pa dyshim meritojnë një vëmendje dhe analizë
më të madhe në kontekstin e standardit që ato kanë patur në mbërritjen e tyre
edhe në kontekstin e sfidave që këto arritje patën gjatë procesit të realizimit
të tyre dhe mënyrën e kohezionit se si shoqëria, të gjithë aktorët e shoqërisë
sonë u sollën me këto sfida, me procesin e përballjes të këtyre arritjeve që
kemi sot. Unë besoj dhe mendoj dhe e kam nënvizuar dhe dua të përfitoj nga
rasti edhe sonte këtu me ju si njerëz të cilët elaboroni opinionin, e zhvilloni
më shumë, edhe e përçoni tek perceptimi qytetar dhe njerëzve që ngjarje të
veçanta që ne patëm vitin e kaluar do të kenë një impakt shumë të madh ndoshta
në dekada. Kulmimi i shenjtërimit të Nënë Terezës, pavarësisht dimensionit të
madh botëror të saj, ishte një rast i mirë që kombi shqiptar, shqiptarët në tërësi,
ta prezantonte origjinën e saj, përkatësinë e saj të gjakut, siç ajo vetë e
kishte deklaruar, në këtë eveniment dhe në këtë vëmendje të madhe botërore.
Edhe ngjarja me karakter sportiv pa dyshim: Kampionati Evropian i Futbollit
ishte një ngjarje, e cila i dhuron botës së sportit dhe shoqërisë një moment
harmonie, gëzimi. Besoj jo vetëm për shkak se Shqipëria ishte për herë të parë
në një arritje të tillë, por duke qenë edhe vetë dëshmitar i ngjarjeve të
caktuara të këtij evenimenti, nuk kishte kënaqësi më të madhe se sa kur imazhi
i shqiptarëve dhe i Shqipërisë prezantohet jo thjesht ndryshe, por në fund të
fundit, ashtu siç është në realitet.”

Apeli i Presidentit të
Republikës drejtuar të pranishmëve ishte: “Edhe për shkak të përvojave të mia,
fatit dhe privilegjit që pata në shumë e shumë pozicione në administratën e
shtetit shqiptar, duke kulmuar me atë të Presidentit, që të flas, të prezantoj
dhe të jem prezent në ambiente ndërkombëtare kryesisht ku diskutohen dhe
paraqiten vizionet, imazhet e vendeve, popujve dhe shteteve të ndryshme dua
t’ju them që si qytetar, më shumë këtë radhë, i këtij vendi se ju keni një
mision të madh dhe unë do t’ju lutesha që këtë mision të jashtëzakonshëm që
keni për të përçuar në mënyrë reale, të vërtetë imazhin e shqiptarëve dhe
Shqipërisë për të përballur ato sfida që shpeshherë janë të padrejta në
krijimin e perceptimeve jo të vërteta dhe jo reale për Shqipërinë dhe
shqiptarët. Pikërisht evenimenti kulturor, evenimenti sportiv i dha një shans
shumë të madh për ta demonstruar imazhin, kulturën pse jo dhe kapacitetin e
shqiptarëve ne nivelin evropian, aty ku pa dyshim kemi jo vetëm ambicien,
objektivin, por dhe destinacionin si komb, si vend dhe si popull. Dëshiroj
njëkohësisht të shpreh besimin në mënyrë shumë të sinqertë, por dhe dëshirën e
madhe për ta parë komunitetin e njerëzve të medias, përfaqësuesen e këtij
pushteti të jashtëzakonshëm në mënyrën e bërjes, maturisë dhe pjekurisë së një
shoqërie dhe mënyrës së sjelljes së një shoqërie për të patur çdo ditë në
mendjen, preokupimin tuaj, angazhimin dhe kontributin tuaj, ruajtjen, pasurimin
dhe përçimin e vlerave që ka dimensioni i lirisë, demokracisë dhe i të
drejtave. Askush nuk mund t’i ruajë më mirë këto dimensione se sa bota dhe
komuniteti i medias. Askush nuk mund t’i pasurojë më shumë sesa njerëzit e
medias dhe askush nuk mund t’i transmetojë ato më shumë sesa instrumetet që
kanë njerëzit e medias. Për ne si një vend që kemi dalë nga një e shkuar
ekstremisht e izoluar pasojat e së cilës për fatin e keq ende i vuajmë sot e
kësaj dite qoftë në dimensionin kulturor, ekonomik dhe dimensione të tjera. Kjo
nuk do të thotë që ne të mbetemi peng i këtyre standardeve të trashëguara për
fat të keq nga e shkuara jonë, përkundrazi ajo që ne kemi kaluar për shkak të
izolimit, vetizolimit tonë kërkon sot një dinamikë akoma më të madhe. Ashtu siç
të gjithë e konstatojmë kur miq, partnerë nga bota e biznesit, politikës apo
qytetarë të thjeshtë e vizitojnë dhe kontaktojnë për herë të parë Shqipërinë si
vend, si territor, si shoqëri, si komunitet, e kanë reagimin shumë të fortë për
shkak të diferencës së madhe që ekziston tek këta individë midis perceptimit
dhe realitetit që gjejnë. Natyrisht që ne nuk pretendojmë dhe nuk themi që kemi
një realitet, i cili është në dimensione të ndryshme nga vende të tjera, por
është një realitet i cili pa dyshim ka diferenca të mëdha nga perceptimi që ka
trashëguar dhe ka lënë e shkuara kryesisht tek të tjerët ndaj nesh. Apo
ndonjëherë për fat të keq për shkak të zërave jo dashamirës ndaj Shqipërisë që kanë
folur në emër të Shqipërisë apo dhe kur shqiptarët nuk flisnin dot për veten e
tyre. Ne kemi nevojë të tejkalojmë këto barriera dhe më mirë se sa ju që keni
kapacitetet intelektuale në radhë të parë, keni dhuntitë profesionale, edhe
dinamikën që ju jep profesioni që keni zgjedhur, dhe të investoni dhe t’i
përkushtoheni nuk mund ta bëjë askush tjetër. Kjo pa dyshim kërkon edhe suport,
edhe mbështetje të të gjitha llojeve dhe shteti, institucionet duhet ta marrin
shumë seriozisht mënyrën sesi mund ta ndihmojnë botën e medias, pushtetin,
njerëzit e medias, për t’i shërbyer këtyre interesave të mëdha të kombit,
vendit dhe qytetarëve. Dimension tjetër shumë i madh është patjetër analiza në
kontekstin e realitetit dhe zhvillimit ekonomik të dashur miq. Askush nuk ëshë
dyshues dhe nuk mund të kontestojë ndryshimet që ka pësuar Shqipëria në dy
dekada e gjysëm të fundit në kontekstin ekonomik. Nëse ne bëhemi më racionalë
dhe marrim përgjegjësitë që na takojnë dhe duhet t’i marrim për të bëra analiza
dhe diferenca midis resurseve që posedojmë, me të ardhurat dhe standardin e
jetesës që ne gëzojmë, besoj që kjo është një sfidë e madhe që na kërkon të
gjithëve ne, më shumë se nga kushdo tjetër, ju njerëzve të medias për të gjithë
ato që unë përmenda në radhë të parë, për të konsideruar si të padrejta,
diferencën e madhe që ne kemi midis të ardhurave që ka kjo shoqëria jonë, ky
vendi ynë me resurset e tij, sepse jemi i vetmi vend në rajonin ku është
Shqipëria që posedojmë dhe tregtojmë produktet dhe burimet e naftës që
asnjë vend tjetër i rajonit nuk e ka këtë kapacitet dhe burime që e ka
Shqipëria. Jemi vendi më i zhvilluar dhe më i pasur për sa u takon burimeve
ujore, për fatin e keq një pjesë e madhe e këtyre resurseve ose nuk
shfrytëzohen ose shfrytëzohen keq. Një pasuri e jashtëzakonshme që kuotohet si
pasuri sot në botën e civilizuar në botën e zhvilluar dhe resurse të tjera,
pasuria e madhe e hapësirës detare e klimës e burimeve minerare. Të gjitha këto
i posedojmë në raporte diferencialisht të mëdha krahasur me vende të tjera
përreth nesh apo larg nesh, por për fatin e keq standardet ende mbeten më të
vogla se sa të gjitha këto vende dhe kjo është një padrejtësi që kërkon
reflektim nga të gjithë neve dhe më mirë se kushdo nga ju analizën për këtë
padrejtësi që ekziston prej vitesh dhe vitesh dhe në mënyrën se si duhet ta
orientojmë ne shoqërinë tonë të përbashkët, shtetin tonë të përbashkët, vendin
tonë të përbashkët, të ardhmen tonë të përbashkët për ta gëzuar dhe shijuar në
një dimesion më të mirë, që besoj se nuk mund ta bëjë askush tjetër. Në se do
të flasim për objektiva të tjera të shtetit ne njerëzit që drejtojnë
institucionet, njerëzit e përfshirë në politikë janë po aq të angazhuar sa
ç’jeni edhe ju ndoshta herë pas herë ju jeni edhe më të angazhuar edhe më të
përfshirë. Unë dua që sot të shpreh të gjithë vlerësimet e mia për të gjithë
ato vende mike e partnere, të cilat kanë inkurajuar rrugëtimin evropian të
Shqipërisë.

 

Unë e kam deklaruar në
mënyrë të herëpasherëshme dhe duhet ta nënvizoj, duke përfituar nga prania
juaj, që mendoj dhe gjykoj dhe kjo nuk është një zgjedhje personale. Kjo është
një zgjedhje dhe përcaktim i shumicës dërmuese të shqiptarëve që për Shqipërinë
dhe shqiptarët nuk ka alternativë tjetër përpos intergrimit në Bashkimin
Evropian. Për Shqipërinë nuk ka një alternativë B, një alternativë C dhe me
radhë padyshim që procesi do të jetë një proces i vështirë, nuk do të jetë një
proces i shkurtër do të jetë një rrugëtim, i cili në bazë të themeleve të saj
ka padyshim përpjekjet më të mëdhaja që të gjithë ne duhet bëjmë që të arrijmë
standardet që kërkohen dhe ju jeni një pjesë ekstremisht e rëndësishme të
mënyrës për të analizuar, vlerësuar edhe për ta adresuar, për të ecur në këto
drejtime, sepse e përsëris: Keni kapacitetin intelektual, keni dhuntinë
profesionale, keni dinamikën që keni fituar nga angazhimi i përditshëm. Unë dua
dhe kërkoj, edhe për shkak të eksperiencës personale që qytetarët shqiptarë,
qytetarët e thjeshtë shqiptarë ta njohin dhe ta vlerësojnë më shumë kontributin
dhe sakrificën e njerëzve të medias, sepse është një kontribut intelektual, i
cili bëhet përditë që ka impaktin ditor dhe impaktin afatmesëm dhe afatgjatë
dhe kjo është çështje e kulturës, është çështje e civilizimit, raportet e
vlerësimit të mirënjohjes.

 

Shqipëria, për fatin e
mirë dhe shqiptarët sot kanë raporte shumë të rëndësishme edhe në aspektin
ndërkombëtar, veçanërisht në atë rajonal. Dhe unë dua sot të shpreh gjithë
kënaqësinë dhe vlerësimin tim për shtetin shqiptar por edhe për shqiptarët kudo
ku ata jetojnë edhe ndodhen, në Maqedoni, në Malin e Zi, në Kosovë, në Luginën
e Preshevës përqendrimet që kanë patur në kontekstin e politikës rajonale, por
edhe politikave të tyre globale për të ridimesionuar faktorin shqiptar dhe për
të treguar realisht rëndësinë që ka kontributi i shqiptarëve në rajonin, i cili
sot gëzon standarde të paimagjinueshme një dekadë apo një dekadë e gjysëm të
shkuar dhe për ne mbetet i rëndësishëm forcimi dhe konsolidimi i stabilitetit
rajonal. Shqiptarët kanë qënë dhe do të vazhdojnë të mbeten garantues të
rëndësishëm të këtij stabiliteti, kontributorë të pazëvendësueshëm të këtij
stabiliteti.

 

Ky vit është shumë i
rëndësishëm në të gjitha aspektet dhe unë mendoj që të gjithë neve kemi obligim
për të patur një zë të fortë, kemi obligim, për të patur një kontribut më të
madh. Kemi obligim për të patur një angazhim më të drejtëpërdrejtë që të gjitha
sfidat që kemi përpara në vitin që vjen t’i realizojmë në mënyrën më dinjitoze
të mundshme dhe unë do të përfitoja nga rasti ta adresoja nga kjo foltore e
Presidentit të Republikës që jo vetëm dëshirën, jo vetëm besimin, por edhe
lutjen time për njerëzit e medias që të gjithë botuesit, editorët, analistët,
gazetarët, të gjithë stafet mbështetëse që sfidat që kemi përpara dhe
përgjegjësitë që ne duhet të ndajmë së bashku të mos i lëshojmë pës asnjë
moment se janë dimesioni i përgjegjësisë dhe përditshmërisë që i takon. Ne jemi
të gjithë aksionerë të së tashmes dhe të së ardhmes të këtij vendi, pavarësisht
pozicionit që kemi si qytetar apo autoritetit publik dhe mendoj që e ardhmja
ndërtohet mbi bazën e produkteve të së tashmes dhe ju më shumë se sa shumë e
shumë aktorë të tjerë, si një prej pushteteve shumë të rëndësishme në vend,
keni në dorën tuaj në mendjen tuaj në mundësitë tuaja absolutisht resurse dhe
se çfarë mund të bëni për të ardhmen, mënyrën dhe formën që profesioni juaj e
di më mirë se sa kushdo tjetër si ai mund të adresohet, si ai mund elaborohet
dhe si ai mund të jetë ndikues.

 

Ky vit është një vit
zgjedhor dhe padyshim në një vend të lirë, në një vend demokratik, proceset
zgjedhore jane procese të mëdha që tregojnë maturinë e një shoqërie, por edhe
japin prespektivën mënyrën se si shoqëria do të përballë zhvillimet e të gjithë
fushave të tjera. Ështe tregues i rëndësishëm i përgjegjësisë dhe maturisë së
gjithë aktorëve dhe padyshim që përgjegjësia në mendim tim është më e madhe tek
ata aktorë që kanë fatin të jenë një hap më përpara se sa aktorë të tjerë qoftë
në kontekstin e kapacitetit intelektual që gëzojnë, qoftë edhe të mundësive që
rrethanat në të cilat ata ushtrojnë profesionin e tyre, kontributin e tyre apo
angazhimin e tyre, japin. Standardet e zgjedhjeve të ardhshme janë të
rëndësishme për secilin prej nesh për të gjitha forcat politike pa përjashtim,
për të gjithë qytetarët e vendit pa përjashtim për të gjithë pushtet pa
përjashtim. Por më duhet të them dhe të ndaj me ju edhe shqetësimin tim pasi
evidenca serioze tregon se grupe të caktuara të botës së krimit do tentojnë të
influencojnë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe ky është një problem, i
cili duhet të na preukupojë të gjithëve. Në radhë të parë u bëj thirrje partive
politike, lidershipit politik të vend që me përgjegjësinë që ka, ta adresojë me
shumë kujdes këtë sfidë të madhe, sepse krimi dhe bota e krimit, veprimtaria
kriminale, i dëmton, i kërcënon dhe i prek të gjithë pa përjashtim. Krimi nuk
ka një ngjyrim, ai është vetëm i zi dhe kthehet në një dëm të madh për këdo pa
dallim, prandaj është një përgjegjësi shumë e madhe të aktorëve politikë në
radhë të parë për ta adresuar me shumë seriozitet këtë çështje, këtë situatë,
por nga ana tjetër dhe aktorë të tjerë të rëndësishëm të shoqërisë dhe
posaçërisht media për ta monitoruar me kujdes, për të denoncuar në çdo rast çdo
tentativë që bota e krimit do të mundohet të influencojë në jetën tonë
politike, në jetën tonë ekonomike, në jetën tonë sociale, në jetën tonë
kulturore. Le të dalim nga retorika e të shkojmë drejt realitetit! Më mirë se
sa njerëzit e medias që janë çdo ditë në terren që për shkak të intesitetit të
aktivitetit të tyre e kanë të mundur që ta prekin këtë realitet nga afër, mund
t’i nxjerrin konkluzione, analiza dhe adresime edhe ndihma që i bëhet shtetit,
që u bëhet institucioneve, që u bëhet aktorëve, ne të gjithë së bashku, fëmijët
tanë, brezat që vijnë meritojmë padyshim një Shqipëri shumë herë më të mirë dhe
ne i kemi të gjitha kapacitetet për të patur një Shqipëri shumë herë më të mirë
nga ajo që kemi sot, pakrahasimisht nga ajo që kemi pasur në të shkuarën.

 

Kjo Shqipëri e lirë që
kemi arritur deri sot ka arritur falë kontributit të njerëzve, të gjithë
aktorëve të shoqërisë, por edhe detyrimi i gjeneratës sonë që ajo që duhet të
konsiderohet si sakrificë e gjeneratës sonë sot për t’i shërbyer të ardhmes së
brezave të tjerë të merret në raportin më serioz që i takon. Prandaj unë do
t’ju lutesha dhe të kërkoja prej jush një angazhim me kapacitetin e plotë
intelektual që kemi, me dhuntitë e plota profesionale që zotërojmë, por edhe me
përgjigjësitë qytetare që kemi, në fund të fundit na bashkojnë interesa të
përbashkëta si qytetarë të këtij vendi, si anëtarë të kësaj shoqërie, por nga
ana tjetër na ngarkojnë edhe me përgjegjësi, përgjegjësi padyshim të ndara, por
askush nuk është i përjashtuar nga përgjegjësia.” – nënvizoi Kreu i Shtetit.

 

“Vitin që kemi përpara
ka shumë prova për shoqërinë tonë, zbatimin e mjaft reformave. Reforma në
drejtësi ka qenë pjesa më e debatuar e vitit që shkoi dhe besoj do të jetë
pjesa më e debatuar gjithashtu përtej asaj që ka të bëjë me vitin zgjedhor të
vitit që sapo kemi hyrë, sepse kërkon për herë të parë instalimin e një sistemi
gati-gati të ri midis pushteteve të ndryshme, një mekanizëm i cili do të
garantojë shumë liri dhe të drejta që kanë në themel shtetin e së drejtës,
prandaj zbatimi i reformës në drejtësi që mbetet si sfidë jo vetëm për klasën
politike, por mbetet si një sfidë për të gjithë shoqërinë, por natyrisht ne nuk
mund t’i kërkojmë qyetarëve të thjeshtë të jenë ata përgjegjës të monitorimit
dhe adresimit të tematikave dhe sfidave që do të ketë zbatimi i reformës në
drejtësi, por pushtetit të medias, njerëzve dhe komunitetit të medias pse jo,
madje patjetër, sepse ata kanë zgjedhur jo për shkak të dhuntisë, por edhe me
ndërgjegje të plotë për t’i shërbyer shoqërisë dhe për t’i shërbyer realitetit
të gjithë bashkë në këtë pozicion dhe është pikërisht komuniteti i medias që
pavarësisht problematikës dhe sfidave e shikojnë në mënyrë në të ftohtë, të
mundshme, më të barazlarguar të mundshme se të gjithë aktorët e tjerë proceset
e reformave, kaq të thella dhe kaq dinamike e kaq të rëndësishme.” – u shpreh
Presidenti Nishani.

 

“Ndaj unë edhe njëherë
duke shprehur besimin maksimal në angazhimet tuaja, në vlerat tuaja dhe duke ju
falënderuar në mënyrën më të përzemrët për gjithcka keni bërë deri më sot në të
gjitha aspektet e angazhimit tuaj dhe duke vlerësuar maksimalisht jo vetëm në
kapacitetet që keni, por edhe në atë çka do të vijë si kontribut i angazhimit
tuaj edhe njëherë më lejoni t’ju uroj përzemërsisht dhe shumë sinqerisht të
keni një vit sa më të mbarë në rradhë të parë në familjet tuaja tek të afërmit,
tek të dashurit tuaj, të keni një vit që të keni dhe të merrni vetëm lajme të
mira, të keni veç mirësi dhe gjithmonë të takohemi dhe të mblidhemi për të
konstatuar arritje pozitive, pse jo të kemi gjithmonë edhe ambicie, të
mbështetur mbi objektiva konkretë dhe objektiva të rëdësishëm që këtij vendi
dhe kësaj shoqërie nuk kanë pse t’i mungojnë, përderisa e kemi arritur deri
këtu ku kemi arritur dhe kemi ambicie për të shkuar shumë më përpara.” – përfundoi
fjalën e Tij Presidenti i Republikës.