Kreu i Policisë Geldis Nano Vlerësohet me Certifikatë, zv/shefi i Zyrës Rajonale pranë Ambasadës Amerikane. Ja aksioni policor në 1 javë

172
Sigal

 

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Gledis Nano vlerëson me Certifikatë për Shërbime të Dalluara, zv/shefin e Zyrës Rajonale të Sigurimit pranë Ambasadës Amerikane në Shqipëri, me rastin e përfundimit të misionit të tij.  Gjatë ceremonisë së zhvilluar në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në të cilën ishin të pranishëm zv/ambasadori i Ambasadës Amerikane në Tiranë, z. Damian Smith, përfaqësuesit e Zyrës Rajonale të Sigurisë dhe drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, Drejtori i Përgjithshëm Gledis Nano i ka dorëzuar Certifikatën për Shërbime të Dalluara z. Nicholas Lavengood. Gledis Nano: “Do ta konsideroja si një ditë të veçantë, ndërkohë edhe një privilegj, që zhvillojmë ceremoninë e dorëzimit të Certifikatës për Shërbime të Dalluara, për zv/shefin e Sigurisë Diplomatike, në ambasadën e SHBA-së në Tiranë, z. Nicholas Lavengood.  Z. Nicholas Lavengood ka shërbyer, nga muaji korrik i vitit 2020, si zv/shef i Zyrës Rajonale të Sigurimit pranë Ambasadës Amerikane në Shqipëri, dhe ka kontribuar në realizimin e një sërë operacionesh policore të suksesshme në luftën kundër krimit të organizuar, terrorizmit dhe kontrabandimit të qenieve njerëzore. Lavengood ka mbështetur gjithashtu trajnimin e punonjësve të Policisë së Shtetit, në kuadër të menaxhimit të programit të trajnimeve, me të cilin janë trajnuar punonjës policie, kryesisht të strukturave të luftës kundër krimit të organizuar, drogës, trafikimit të qenieve njerëzore etj.” Ceremonia vijoi me dhurimin e pajisjeve për Drejtorinë e Antiterrorit dhe Repartin Special RENEA, pjesë e paketës prej 1.2 milionë dollarësh, e akorduar nga Shërbimi i Sigurisë Diplomatike ATA për Policinë e Shtetit, paketë që përfshin pajisje dhe trajnime nga këto struktura. Shefja e Zyrës Rajonale të Sigurisë pranë Ambasadës Amerikane në Tiranë, znj. Karen Riley, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm Gledis Nano, nënshkruan aktin e dhurimit të këtyre pajisjeve.

Policia e Shtetit në aksion, në një javë 144 të arrestuar për vepra të ndryshme penale

Som. “Gjatë kësaj jave janë arrestuar, proceduar dhe shpallur në kërkim 633 persona, nga këta: 144 janë arrestuar, 461 janë proceduar penalisht dhe 28 janë shpallur në kërkim.”

Në një javë 144 të arrestuar, Policia e shtetit ka bërë bilancin në një javë të punës në terren, ndërsa ka evidentuar se efektivët mbeten të përkushtuar për parandalimin e luftën ndaj krimit. Një sfidë e fituar me dinjitet dhe profesionalizëm nga Policia e Shtetit, në interes të imazhit të vendit, në kuadër të finales së UEFA Conference League. Është finalizuar me sukses operacioni policor ndërkombëtar i koduar “Extraction 4”, si rezultat i të cilit u riatdhesuan në Shqipëri, nga kampet e përqëndrimit në Siri, 13 shtetas. Operacioni vijon, me qëllim identifikimin, lokalizimin, nxjerrjen dhe riatdhesimin e të gjithë shtetasve shqiptarë, që ndodhen në këto kampe, në Siri. Gjatë kësaj jave janë arrestuar, proceduar dhe shpallur në kërkim 633 persona, nga këta: 144 janë arrestuar, 461 janë proceduar penalisht dhe 28 janë shpallur në kërkim. Janë kapur në total 48 persona në kërkim, 44 prej tyre në kërkim kombëtar dhe 4 në kërkim ndërkombëtar.  Janë zhvilluar 20 operacione policore të koduara: “Extraction 4”, “Light”, “Behram”, “Three”, “Camouflage 8”, “Seria A”, “Stroke”, “Outside”, “Camel”, “Alert”, “Çifliku”, “Road Guard” (2 raste), “Rent a car”,  “Game Over”, “Domgjoni”, “Bakery”, “Avalon”, “Tregtan” dhe “Perimetri”. Prej këtyre: 4 operacione për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve; 1 operacion ndërkombëtar për kapjen e një personi të dënuar me 14 vjet burgim, për vrasje; 4 operacione për goditjen e veprimtarisë kriminale të kontrabandimit të emigrantëve të paligjshëm dhe disa operacione të tjera, për kapjen e personave në kërkim kombëtar, si dhe për goditjen e armëmbajtjes pa leje dhe lojërave të fatit. Gjatë kësaj jave është evidentuar dhe shkatërruar 1 laborator që shërbente për prodhimin e kriptomonedhave dhe 1 ambient i përshtatur për kultivimin dhe përpunimin e kanabisit, si rezultat i të cilëve u sekuestruan 16 pajisje që gjeneronin kriptomonedha, 57 kg bimë narkotike cannabis sativa në proces tharjeje dhe 100 bimë të tjera të kultivuara. Si rezultat i operacioneve dhe goditjeve nga DVP në qarqe, janë sekuestruar gjithashtu, dhjetëra doza me kanabis dhe kokainë, kallëpe me lëndë të dyshuar plasëse, mijëra bimë narkotike, pajisje të ndryshme që përdoren për kultivimin e bimëve narkotike në ambiente të mbyllura, sasi të konsiderueshme parash të dyshuara të përfituara nga veprimtaria kriminale, 13 automjete, 1 motomjet dhe 17 celularë. Në fushën e armëmbajtjes pa leje, janë evidentuar dhe goditur 12 raste dhe janë sekuestruar 4 armë zjarri, 1 armë gjahu, 6 thika, 4 doreza metalike, municion luftarak etj.  Janë goditur 8 raste të kundërshtimit të punonjësve të Policisë, si dhe janë ndjekur ligjërisht 58 raste të dhunës në familje. Gjithashtu, është parandaluar 1 ngjarje kriminale, në fushën e krimeve kundër jetës dhe personit. Janë evidentuar dhe goditur 31 raste të krimeve mjedisore; 2 raste të organizimit të lojërave të fatit dhe 3 raste të vjedhjes së energjisë elektrike. Në fushën e narkotikëve janë evidentuar dhe goditur 32 raste, ndërsa në fushën e krimit ekonomik janë evidentuar dhe goditur 30 raste. Policia Rrugore/Vijon monitorimi në akset rrugore më me risk duke përdorur makinën inteligjente “Poliscan”, lexuesin automatik të targave, radarët automatikë të vendosur në flotën e automjeteve të reja, kamerat dhe mjetet e tjera të pauniformuara, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore. Gjatë kësaj jave janë pezulluar 689 leje drejtimi, nga të cilat: 523 për tejkalim shpejtësie mbi normat e lejuara, 116 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur dhe 50 për qarkullim në sens të kundërt. Janë arrestuar 50 drejtues mjetesh, nga këta: 19 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 31 për drejtim mjeti pa leje drejtimi. Janë arrestuar 2 drejtues mjetesh për drejtim automjeti nën efektin e lëndëve narkotike. Janë vendosur 14.832 masa administrative, si dhe janë zhvilluar kontrolle të dedikuara për mjetet e transportit publik dhe për respektimin e vijave të bardha. Janë realizuar me sukses mbi 200 eskortime të tifozëve, delegacioneve dhe skuadrave, pjesëmarrës në finalen e UEFA Conference League. Policia Kufitare/Angazhim dhe përkushtim për përballimin me sukses të fluksit të jashtëzakonshëm të shtetasve të huaj dhe shqiptarë, që përdorën pikat e kalimit kufitar gjatë kësaj jave. Njëkohësisht kanë vijuar kontrollet intensive në pikat e kalimit, në kufirin e gjelbër dhe në atë blu, me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë dhe trafiqeve të paligjshme. Gjatë kësaj jave janë kapur 9 shtetas në kërkim, nga të cilët 6 në kërkim kombëtar dhe 3 në kërkim ndërkombëtar. Janë proceduar penalisht 12 shtetas, për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit”; 5 shtetas, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe 8 shtetas, për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”. Gjithashtu, janë goditur 2 raste të mitëdhënies dhe janë proceduar penalisht 2 shtetas, të cilët, për shkak të mangësive në dokumentacion, kanë tentuar të korruptojnë punonjësit e Policisë Kufitare. Policia e Shtetit vijon kontrollin e territorit, me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, si dhe vijojnë operacionet ndërkombëtare në bashkëpunim me partnerët dhe agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, për të luftuar krimin e organizuar dhe terrorizmin. Policia e Shtetit garanton qytetarët se është në shërbim të tyre dhe në zbatim të ligjit, si dhe i fton sërish ata për të denoncuar në numrin pa pagesë 112 dhe në Komisariatin Dixhital, çdo rast të paligjshmërisë.