Kremtohet 90-vjetori i krijimit të Forcës Ushtarake Detare

687
Kremtohet 90-vjetori i krijimit të Forcës Ushtarake Detare. Në këtë aktivitet që u mbajt në Komandën e Forcës Detare ishin të pranishëm ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA-së, gjeneralmajor Jeronim Bazo, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, komandantët e Forcave, gjeneralë dhe ushtarakë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm, ish-drejtues dhe ushtarakë veteranë që kanë shërbyer ndër vite në strukturat e Forcës Detare, si dhe mjaftë të ftuar të tjerë.

Pas fjalës së rastit që mbajti komandanti i Forcës Detare, gjeneral brigade Ylber Dogjani, të pranishmit i përshëndeti ministrja e Mbrojtjes Kodheli, e cila uroi detarët shqiptarë në këtë jubile të 90- vjetorit të krijimit të Forcës Detare. “Qysh në fillim dua të shpreh mirënjohjen e thellë për punën, përkushtimin dhe vetëmohimin që gjeneratat e detarëve ushtarakë kanë treguar ndër vite, duke dëshmuar se kanë qenë të gatshëm edhe për sakrificën sublime, në përmbushje të misionit dhe detyrave, sfidave dhe të papriturave.”, – është shprehur ministrja Kodheli.

Duke u ndalur në rrugëtimin gati një shekullor të Forcës sonë Detare, ministrja Kodheli nënvizoi se, mbas viteve 90, me mbështetjen e partnerëve tanë të NATO-s, veçanërisht SHBA, Forca Detare ka bërë hapa para duke zhvilluar kapacitete efektive në përmbushje të misionit kushtetues, zbatimit të ligjshmërisë detare dhe detyrave. Kontrolli i hapësirës detare sot realizohet nëpërmjet Sistemit të Ri të Vëzhgimit të saj dhe janë krijuar kapacitetet e nevojshme për kryerjen e operacioneve në rastet e emergjencave civile në ndihmë të komunitetit. Duke qenë përherë prezent dhe aktivë në det, Forca Detare është bërë një aktor i rëndësishëm dhe i vlerësuar nga opinioni publik, shteti shqiptar dhe partneret”, – theksoi ajo.

Në fund të fjalës së saj ministrja e Mbrojtjes Kodheli ka shprehur mbështetjen e saj për modernizimin e mëtejshëm të Forcës Detare dhe për përgatitjen e trajnimin e detarëve shqiptarë, të cilëve, gjithashtu, i përgëzoi dhe i uroi gëzuar festat e fundvitit, Krishtlindjet dhe Vitin e Ri 2016. Forca jonë Detare ka një histori të lavdishme në shërbim të atdheut. Përpjekja e parë për organizimin e një shërbimi të marinës ushtarake është 25 dhjetori i vitit 1925, kur Parlamenti i Shqipërisë miratoi buxhetin për blerjen e dy anijeve ushtarake nga Italia “Shqipnia” dhe “Skënderbeg”. Me riorganizimin e ushtrisë shqiptare, më 24 qershor 1928 u krijua Komanda e Marinës Mbretërore në Durrës.

Në vitin 1926 u blenë dhe erdhën nga Italia katër motovedetat e para. Por çlirimi i Shqipërisë nga pushtuesit nazifashistë e gjeti vendin plotësisht të shkatërruar dhe po ashtu edhe Marinën Luftarake. Në shkurt 1945, kur Kapiteni i Parë Abdi Mati u titullua oficer marine i ushtrisë shqiptare, detyra e parë që mori ishte riorganizimi i Marinës Luftarake. Më 15 gusht 1945, me krijimin e Seksionit të Marinës, nisi edhe riorganizimi Marinës Luftarake Shqiptare, e cila nga viti në vit erdhi duke u forcuar dhe modernizuar me anije dhe mjete të shumta luftarake datare. Pas viteve ’90, ashtu si të gjithë Forcat tona të Armatosura, edhe Forca Detare është reformuar në përshtatje me kushtet e reja dhe çdo ditë e më shumë po forcohet e modernizohet sipas standardeve të NATO-s për të kryer me nder misionin e saj kushtetuese.
Sigal