Kraja prezantohet në krye të SPAK, kreu i KLP: Tani mund të festojmë të qetë, viti tjetër shumë intensiv

454
Sigal

Kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi, në një fjalë të shkurtër teksa prezantoi Arben Krajën në krye të SPAK u shpreh se tashmë të gjithë mund të festojnë të qetë, pasi drejtësia e re ka marrë formë.

Po ashtu i falenderoi dhe Donika Prelën, ish-kryetaren e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, për të cilën tha se në dy vitet e fundit kishte bërë në punë të mirë dhe pse në presione për shkak të ndryshimeve.

“SPAK është një strukturë që njihet nga të gjithë. Mendoj se do ketë rezultatet që ne presim për këtë strukturë. Falenderoj dhe zonjën Prela, e cila ka punuar në dy vitet e fundit pasi ka qenë në një presion të zakonshëm. Tashmë mund të shkojmë të festojmë të qetë, pasi viti i ri do të jetë shumë intensiv”, u shpreh Ibrahimi.

SPAK më në fund ka marrë dritën jeshile. Tetë anëtarët e Prokurorisë së Posaçme Anti Korrupsion u betuan dje para Presidentit Meta dhe sot kanë nisur punën.

Prokurori Arben Kraja është zgjedhur nga KLP si kryetar dhe nuk ka të drejtë rikandidimi. Pas zgjedhjes ai premtoi se do të ishte i ashpër me këdo që do shkelin ligjin, pavarësisht postit që do kishte.

Ndërkombëtarët kanë përshëndetur formimin e strukturës së re. SHBA dhe BE kanë shkruar se kanë besim tek drejtësia që po lind dhe presin rezultate.