KQZ mblidhet për të vendosur fatin e Agron Malajt dhe Kastriot Gurrës

287
Sigal

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është mbledhur sot për të vendosur për fatin e kreut të Bashkisë së Matit, Agron Malajt dhe kryebashkiakut të Librazhdit, Kastriot Gurra.

Në një njoftim për mediat, KQZ njofton se pas verifikimi të Prokurorisë së Përgjithshme, do të diskutohen gjetjet dhe do të merret vendimi.

RENDI I DITËS

Për shqyrtimin e rezultatit të verifikimit të Prokurorisë së Përgjithshme për funksionarin publik z.Agron Rufat Malaj, me funksion Kryetar i Bashkisë Mat, qarku Dibër, në zbatim të ligjit nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”.

Për shqyrtimin e rezultatit të verifikimit të Prokurorisë së Përgjithshme për funksionarin publik z. Kastriot Hasan Gurra, me funksion Kryetar i Bashkisë Librazhd, qarku Elbasan, në zbatim të ligjit nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”.

HISTORIA E ARGON MALAJT

Kreu i Bashkisë së Matit, Agron Malaj u denoncua nga Partia Demokratike. Sipas Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike, Malaj ishte dënuar për armëmbajtje pa leje dhe nuk duhet të qëndronte më në detyrë, pasi preket nga ligji i dekriminalizimit.

Pas dorëzimit të kërkesës nga PD, Prokuroria e Përgjithshme nisi hetimet dhe pak ditë më parë njoftoi se kishte përfunduar kërkimet për Malajn. Sipas Prokurorisë, Malaj nuk ka probleme me dekriminalizimin.

Organi i akuzës sqaron se veç dënimit të vitit 1999 për të cilin edhe PD ka kërkuar heqjen e mandatit te tij, rezulton se në vitin 2019 ka pasur një kallëzim ndaj tij, por prokuroria e ka pushuar. Por fjalën e fundit për shkarkimin apo qëndrimin e tij në detyrë sipas akuzës duhet të shprehet departamenti i dekriminalizimit me kërkesë të KQZ.

HISTORIA E KASTRIOT GURRËS

Kreu i Bashkisë së Librazhdit u denoncua në 2 shkurt nga Lëvizja Qytetare Sopoti me përfaqësues Rexhep Hanën. Sipas tij Gurra kishte falsifikuar vulën e Drejtorit të Ujësjellësit në Librazhd në vitet 2007-2008 për formimin e një bordi të ri me qëllimin vendosjen e një drejtori të ri në krye të ujësjellësit.

Çështjen e mori në dorë Prokuroria dhe pas hetimeve Sektori i Dekriminalizimit, bëhet me dije se Gurra nuk rezulton të jetë shpallur në kërkim, po ashtu nuk është as i dënuar për falsifikim të vulave.

Po ashtu në dokument theksohet se Gurra nuk ka qenë asnjëherë në hetim ose gjykim nga një autoritet i huaj për kryerjen e një vepre penale dhe nuk ka qenë ndonjëherë i ndaluar apo i arrestuar nga organet ligjzbatuese për kryerjen e një vepre penale.