KQZ i çoi në Prokurori, çfarë kanë deklaruar kandidatët në formular: Shumica të dëbuar

461
Sigal

Zbardhen formularët e dekriminalizimit të 12 kandidatëve për deputetë të cilët do dërgohen për verifikim të thelluar, në Prokurori. Emri më i përfolur në listë është kandidati i PSD, Tom Doshi, një emër për të cilin ka pasur reagime të shpeshta edhe nga ambasada amerikane në vendin tonë. Doshi ka deklaruar në formular se ka qenë i dënuar më parë në vendin tonë, ndërsa ka mohuar të ketë qenë i dënuar në ndonjë shtet të huaj. Doshi thotë se aktualisht nga asnjë masë shtrënguese të sigurisë në fuqi ndaj tij, duke plotësuar në formular se detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore dhe arresti shtëpiak janë revokuar.

Ai thekson se Gjykata e Lartë në Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “arrest shtëpie” në vitin 2015, ndërsa pak muaj më vonë po kjo gjykatë e ka lënë në detyrim paraqitje. Tom Doshi shprehet se nuk është dëbuar nga ndonjë shtet i huaj, ndërsa në listën e shteteve ku ka jetuar përmend Australinë dhe Gjermanin për bashkëjetesë me familjen dhe arsye emigracioni.

Ndërkohë në radhët e socialistëve për verifikim është dërguar kandidati i listës së Durrësit i cili ka deklaruar në formular se ka ndërruar njëherë emrin, dhe më herët ka mbajtur edhe emrin Ergi Bitri. Ai ka deklaruar se nuk është dënuar apo hetuar asnjëherë për ndonjë vepër penale. Bitri është dëbuar nga Italia, dhe thekson se arsyeja ka qenë mungesa e dokumentacionit. Bitri është dëbuar nga autoritetet e Napolit në vitin 2002 dhe masa e dëbimit ndaj tij ka qenë në fuqi deri në vitin 2012, shkruan abcnews.al.

Halim Dauti, kandidati socialist në qarkun e Kukësit në radhën e personave që do dërgohen për verifikim të thelluar, ka deklaruar se nuk është dënuar apo hetuar ndonjëherë. Por ashtu sikurse Bitri edhe Dauti është dëbuar nga një shtet i huaj, konkretisht nga UK, në 16 Tetor 2013, ku thotë se ishte zhvendosur për arsye emigracioni.

Ndërsa Leonard Beqiri, kandidat i PS në qarkun e Vlorës shprehet se nuk është dënuar asnjëherë në vendin tonë, por ka qenë i hetuar nga autoritetet gjermane për shkak se dyshohej se ka deklaruar emër të rremë në formularin e garancisë për viza ndaj familjarëve. Sipas Beqirit kjo çështje tashmë është pushuar dhe pas verifikimeve është konfirmuar që familjarët e tij kanë ndryshuar mbiemrin në vitin 1992 dhe kjo ka sjellë dyshime mbi deklarimin e tij.

Nga ana tjetër në listën e kandidatëve të PD që janë në listën e emrave që do dërgohen për verifikim të thelluar është Agron Kapllanaj i cili ka mbajtur më herët postin e kryetarit të Bashkisë Mallakastër. Ai përmend dënimin në shtetin italian në vitin 1995, shkruan abcnews.al.

Në listë në radhët e PD, është edhe Gentjan Muça, ish-futbollist. Ai thotë se nuk është dënuar asnjëherë më parë. Muça shprehet se është dëbuar nga Gjermania për shkak të shkeljes së vizës studentore.

Rezeart Tusha, kandidat i selisë blu në qarkun e Durrësit ka deklaruar se nuk është dënuar apo hetuar asnjëherë. Tusha është dëbuar nga Zvicra në vitet 1994-1995, kur i është komunikuar sipas tij se i ka mbaruar leja e qëndrimit në këtë shtet. Tusha shprehet se ka qenë në hetim po nga autoritete zvicerciane për arsye emigracioni.

I fundit në listë në radhët e PD, është Zef Hila, kandidat në qarkun e Shkodrës. Hila nuk ka deklaruar asnjë shkelje në formularin e vetëdeklarimit duke listuar arritjet në politikë në qarkun ku synon një mandat deputeti.

LSI, ka vetëm një kandidat në listën e emrave që do dërgohen për verifikim të thelluar. Është fjala për Arbër Arifajn i cili synon një mandat në qarkun e Kukësit. Ai thotë se nuk është hetuar apo dënuar ndonjëherë, por është dëbuar nga shteti francez si azilkërkues, ku si arsye përmend mungesën e dokumentacionit.

Përveç Tom Doshit në radhët e socialdemokratëve, për verifikim është dërguar edhe Kleo Murataj. Ai ka deklaruar një hetim në Hannover, por shton se arsyet nuk i kujton pasi kanë kaluar shumë kohë. Murataj përmend edhe një dënim nga Gjykata e Tiranës për të cilin, shprehet se nuk e mban mend me të njëjtin arsyetim: Ka kaluar shumë kohë.

Në “lupën” e verifikimit të thelluar do të jenë dy kandidatë nga koalicioni ABEOK, Altin Gjeloshaj dhe Elsa Voka. Gjeloshaj ka deklaruar dëbimin nga shteti gjerman pasi i është refuzuar hyrja brenda territorit të tij. Edhe Voka është dëbuar nga Gjermania pasi i është refuzuar azili për mungesë dokumentacioni, në vitin 2015. Në jetëshkrimin e saj, Voka shprehet se ka arsim të mesëm dhe 16 vite eksperiencë pune, duke përmendur një kualifikim për stiliste mode.

Megjithatë KQZ ka deklaruar se kjo listë është përpiluar nga verifikimi i deritanishëm i listave, ndërsa me gjasa deri në përfundim të verifikimeve të plota do të ketë më shumë emra në listë.