KPK kërkon rritje pagash me 40%, BKH buxhet më vete nga SPAK/ Çfarë ndodhi te Ligjet

251
Sigal

Institucionet e pavarura të drejtësisë kërkuan më shumë para nga buxheti i shtetit për 2021. Komisioni i Ligjeve u njoh sot me kërkesën e KPK, e cila kërkoi që pagat e komisionerëve të vettingut, të rriten me 40 % për të qenë më të mëdha se ato të gjyqtarëve dhe prokurorëve që ata kanë nën hetim.

“Çfarë kërkojnë më këta? Kur kemi bërë një sforcim kaq të madh ekonomik për këta? Nuk mund tu japim kaq shumë sa kërkojnë, marrin mbi 3 mln tani”, u shpreh Bashkim Fino.

“Vërtetë i kemi të larta, por janë rritur pagat e atyre që vlerësojmë”, tha Pamela Qirko drejtuesja e KPK.

Kjo kërkesë u refuzua nga Komisioni i Ligjeve, duke u konsideruar si ekstravangate në kushtet e buxhetit të goditur nga pandemia dhe tërmeti.

Kuvendi nuk pranoi as që ti shtojë 12 punonjës shkallës së parë të vettingut. Përplasje u shënuan edhe në SPAK.

Shefja e Byrosë Kombëtare të Hetimit Aida Hajnaj kërkoi një buxhet të pavarur nga ai i prokurorisë speciale të drejtuar nga Arben Kraja.

“Duam buxhet më vetë nga SPAK për Byronë, që të jetë sa më e pavarur nga cdo ndikim, është e nevojshme që ajo të ketë strukturën e vet administrative ashut si e kërkon ligji”, u shpreh Hajnaj.

Kuvendi nuk i dha zgjidhje kësaj çështjeje, ndërsa relatori Bashkim Fino kritikoi thuajse të gjitha institucionet e pavarura për djegie fondesh.