Kozma GJINI/ E lagu s’e lagu

776
Sigal

E lagu apo s’e lagu bishtin skilja? Kjo është shprehja e gojëtarisë popullore që e lë pezull mendimin: as “po”,  as “jo”. As mish, as peshk. Si puna e atij që “as të qi e as të çon”. Sot, shprehja ka marrë vlera përdorimi më shumë se kurrë. Lexuesi ynë e kupton se fjala s’është për bishtin e dhelprës, sepse zor se gjen dhelpër në pyllin e Divjakës edhe pse bishti mund të varet në ndonjë lokal si mjet zbukurimi, por fjala është për “bishtin” e avionit. Si djallin na zbarkojnë këta avionët gjithnjë në muajin prill si për të na kujtuar pushtimin nga “pushtët” apo arin e grabitur. T’i marrim gjërat shtruar. Së pari duhet të vërtetojmë nëse ishte avion apo jo, dhe së dyti, nëse ky i quajturi avion (se mund të ketë qenë dhe UFO), ishte me “bisht apo pa bisht”? Të mos harrojmë se për të zbuluar kokën, duhet ta nisim nga bishti. Po e zëmë se ishte me “bisht”. Shtrohet pyetja: çfarë ngjyre kishte bishti? Ngjyrë deti, flamuri apo laramane? Ishte i gjatë apo i shkurtër? I ngjante bishtit të deles apo të dhisë? Tani dihet çfarë funksioni ka bishti. Për të trembur mizat dhe për të kruar kurrizin. Pa mohuar funksionin kryesor për të mbuluar prapanicën.(kuptohet, pisllëqet e saj). Si djallin iu zhduk bishti njeriut? E mori lumi këtë punë që kur u “rrëzua” teoria e Darvinit. Të ishte ashtu, do të kishim një copë bisht si nishan në fund të menderes dhe bishti do të na ndihmonte për të zbuluar bishtin!? Funksioni i tij ishte ngarkesa (apo shkarkesa një dreq e di) me drogë apo me helm për mushkonjat. Nëse kishte a s’kishte pilot, kjo s’ka rëndësi fare. Bie teoria se gjysma ka qenë me drogë e gjysma me helm mushkonjash. (Ku ka shkuar ndonjëherë pozita me opozitën tek ne)! Kjo e dyta do të na gëzonte, sepse në plazhin e Divjakës vitet e fundit ngaqë s’janë kujtuar ta spërkasin, janë bërë mushkonjat aq të shëndosha sa të sjellin me shkelmë. Prandaj këtej ka dalë fjala se është më mirë të të kafshojë gjarpri se sa të pickojë mushkonja. Nejse, ta lëmë drogën apo mushkonjën në plan të dytë, sepse qentë e drogës dhe të mullarit janë vënë në dispozicion pas gjurmëve dhe erës së bishtit. Mediat audiovizive të vëna në garë kanë publikuar “parimin” se, nuk mund të zbresë një avion pa dijeninë e monitoruesve të huaj. Bukur! Pra qenka sajesë. Të dyja palët e shfrytëzokan këtë për kredo. Mirëpo ku teoria, e ku praktika! Se, teoria pa praktikën është e vdekur, kurse praktika pa teorinë është qorre. Urdhëro të lutem: më mirë qorr, apo i vdekur?! Pra, mund të ketë ndodhur që avioni “të jetë ulur” edhe pa lejen e të huajve. Kë të besojmë nga palët? Po të jetë se është implikuar dhe vet piloti i NATO-s, na mori lumi atëherë. Logjika  “perfekte” të thotë “Mos luaj me zjarrin! Po të jetë kështu, pse hymë kot në NATO? Pastaj, kjo s’do të thotë që populli i zonës, (që s’ia ha qeni shkopin) të mos  ketë qenë në gjumin e parë, kur ai i biçim avioni u ul të “kulloste” në mezhdën e kanalit. Kush tha se erdhi ditën? Urdhëro, verifikoje! Të gjitha janë hipoteza. S’ka asgjë absolute. Derisa të huajve u kemi hapur të gjitha portat, atëherë le ta mbajnë ata përgjegjësinë. Ka një hile këtu. Do të kenë harruar ndonjë lesë hapur dhe i mallkuari avion ka gjetur shtegun bosh. Ushtrinë tonë s’e pyet njeri, se çunat para atdheut kanë Afganistanin. Ç’na duhen rojet tona, kur kemi roje të tjera që na vjelin e na mjelin si dinë vetë? Kjo çështje është fryrë kaq shumë, saqë opinioni shoqëror është ndarë në tresh. Partizanë të mushkonjave, të drogës dhe të larmët që s’duan t’ia dinë nëse e lagu apo s’e lagu bishtin skilja. Aeroplan apo UFO? “Kopilin” në prehër e ka drejtësia. Jemi i vetmi shtet ku gjërat funksionojnë prej njëzet e ca vitesh mes dyshimit dhe së vërtetës. Ngaqë s’ka “ekzistuar” shteti. Ohuaaa… sa herë e ka ngrënë sapunin për djathë ky popull! Digjet e përvëlohet, shkatërrohet e mbytet njerëzia, kurse  politikanët mbeten politikanë e dredhin zinxhirin ekran më ekran. Dihet kush e ka për fis gënjeshtrën dhe pse e bëjnë këtë gjë. Si mund të spostohet ndryshe vëmendja? Taktikë napoleoniane. Sulmo në veri, po deshe të pushtosh jugun. Qëllimi? Të fshehin dollarët që i kanë zhvatur këtij populli, të shtyjnë ditët me teorinë e lagies së bishtit, sepse i kanë zhytur duart deri në bërryla. E vërteta është një dhe e vetme. Po, kush i beson kësaj teorie “të vjetëruar”? Sot edhe gënjeshtra mund të të serviret si e vërtetë dhe populli e ha. Sa të zgjohen organet e specializuara nga letargjia, opinioni shoqëror le të vuaj  dyzimin: e lagu…s’e lagu. Thonë se dikur në tre veta një ishte spiun, sot spiunin e ka secili në xhep, në telefonin e vet.. Çudi si nuk erdhi asnjë sms nga fshatarët e zonës për këtë palo avion! Le që, se mos hyjnë valët në bregdet! Gjithsesi, mediat audiovizive patën ç’krunde të bluanin. Nesër lum kush të jetë gjallë e të dëgjojë qyfyre të reja. Në mos paçim, do t’i krijojmë. Në mos i krijofshim ne, do të na i krijojnë të tjerët. Ka dhe fallxhorë. Hall mbi halle. Avioni na mungonte. Sidoqoftë, bishti i doli, tani ka ngelur vetëm koka. Po përgjegjësia? Qyrk!