Kosovë/ Presidentja Osmani shkarkon kryetaren e KQZ-së

180
Sigal

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka shkarkuar nga detyra, kryetaren e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Dakën. Sipas mediave në Kosovë, kryetarja e shtetit i kërkoi më herët Dakës që të jepte dorëheqjen, por ajo refuzoi.

Në arsyetimin e Presidentes, thuhet se kryesuesi i KQZ-së duhet të jetë i pavarur.

“Znj. Valdete Daka i ndërpritet mandati si Kryesuese e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Republikës së Kosovës. 2. Vendimi hyn në fuqi në datën e nënshkrimit. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) është organ kushtetues dhe i pavarur, i cili drejton dhe i veritikon të gjitha veprimet që kanë bëjnë me procesin e zgjedhjeve dhe gjithashtu i shpall rezultatet e tyre. Zgjedhjet si elementi më rëndësishëm i demokracisë, sidomos asaj përfaqësuese, janë të një rëndësie të veçantë për secilin shtet. Ndërmarrja e veprimeve relevante në lidhje me zgjedhjet, përfshirë organizimin dhe mbarëvajtjen e tyre nënkupton edhe obligimin themelor të KQZ-së si organ menaxhues i zgjedhjeve. Kriteri i të qenit organ i pavarur duhet të sigurihet nga të gjitha institucionet relevante dhe duhet të menaxhohet nga brenda nga Kryesuesi së bashku me anëtarët e KQZ-së”, thuhet në vendim.

Valdete Daka është emëruar kryetare e KQZ-së më 27 prill të vitit 2018, nga ish-Presidenti Hashim Thaçi për një mandat 7-vjeçar. Ky është mandati i dytë i Dakës në krye të KQZ-së.