Kosova nuk duhet të përkulet para presionit turk

649
Edwards Joseph

Ekspert i çështjeve të Ballkanit në Universitetin Johns Hopkins
Mënyra e deportimit të gjashtë shtetasve turq, të cilët nuk kanë shkelur ligjet e vendit, tregon në mënyrë të qartë pozitën e pambrojtur gjeopolitike të Kosovës në mes të Turqisë, në njërën anë, dhe të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, në anën tjetër, thotë Edward Joseph, ekspert i çështjeve të Ballkanit në Universitetin Johns Hopkins. Ai i tha “Zërit të Amerikës” se Kosova nuk duhet të përkulet para presionit të Ankarasë dhe nuk duhet të bëjë veprime që mund të dëmtojnë marrëdhëniet e saj me Bashkimin Evropian.

Zëri i Amerikës: Zoti Joseph, arrestimi dhe deportimi i gjashtë shtetasve turq javën e kaluar në Kosovë ka shkaktuar reagime të shumta. Ministri i Brendshëm dhe Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Inteligjencës u shkarkuan nga detyra. Si i shihni ju këto zhvillime?
Edwards Joseph: Kjo tregon qartë pozitën e pambrojtur gjeopolitike të Kosovës në mes të Turqisë, në njërën anë, dhe të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, në anën tjetër. Natyrisht, Kosova ka marrëdhënie të ngushta me Turqinë. Shumë qytetarë të Kosovës shkojnë për vizita dhe kalojnë pushimet atje. Ka një lidhje të ngushtë dhe një prirje për afrim me njerëzit dhe qeverinë e këtij vendi. Fatkeqësisht, qeveria e këtij vendi nën Presidentin Erdogan, po bëhet gjithnjë e më autoritare dhe problematike dhe është e qartë se presioni nga Ankaraja ka shtyrë autoritetet në Prishtinë që të arrestojnë këta mësues, të cilët sipas njoftimeve nuk kanë bërë asnjë shkelje, nuk kanë shkelur asnjë ligj të Kosovës. Kështu që kjo ka shkaktuar probleme në Kosovë, ku duket se ajo thjesht është përulur para presionit turk për të deportuar njerëzit, të cilët kanë respektuar ligjet e Kosovës, dhe janë dëbuar pa një procedurë të duhur ligjore dhe pa prova.

Zëri i Amerikës: Përveç ndikimit politik, Turqia ka edhe një prani të fortë ekonomike në vend. Bizneset turke menaxhojnë aeroportin e Kosovës dhe rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike. Sipas mendimit tuaj, a mund ta vendosë kjo Kosovën në një pozitë më të vështirë në raport me Turqinë në lidhje me këtë çështje?
Edwards Joseph: Nuk ka dyshim se investimet ekonomike mund të blejnë ndikim në politikë. Kjo është e qartë në të gjithë botën. Pyetja për Kosovën është, ku e shihni të ardhmen tuaj, përfshirë atë ekonomike? Cili, në fund, është tregu më i madh për investime dhe ai për thithjen e investimeve, Evropa Perëndimore me tregjet më tërheqëse në botë, apo Turqia? Kosova, ka nevojë për investime. Kështu që është e kuptueshme që Kosova dëshiron investimet turke. Ajo që është më e vështirë për t’u kuptuar në këtë rast është dorëzimi para presionit të Ankarasë pa respektuar së pari ligjet ndërkombëtare dhe procesin që duhet ndjekur për ekstradimin e personave. Kosova mund të ketë marrëdhënie të mira ekonomike me Turqinë dhe në të njëjtën kohë të mos shkelë detyrimet e saj ndaj Bashkimit Evropian ose të mos i dëmtojë marrëdhëniet me Brukselin. Është e vertëtetë që Turqia është një vend i madh, por kjo nuk do të thotë që Kosova duhet t’i përgjigjet çdo kërkese të saj. Ka mënyra të ndryshme për t’iu përgjigjur kërkesave të vendeve të tjera. Një krahasim interesant do të ishte ai me përgjigjen e Shteteve të Bashkuara ndaj kërkesës së Turqisë për ekstradimin e Gulenit, udhëheqësin e lëvizjes që Erdogani insiston se është organizatore e përpjekjes për grusht shteti. Shtetet e Bashkuar nuk e kanë refuzuar në mënyrë zyrtare kërkesën turke për ekstradim dhe as Kryeministri Haradinaj e as Presidenti Thaçi nuk kanë nevojë të ofendojnë Erdoganin ose Turqinë. Ata mund të përgjigjen duke thënë se i kuptojnë shqetësimet e tij dhe se do të hetojnë rastet duke respektuar rregullat dhe procedurat në fuqi. Pra, ekziston një mënyrë për ta bërë këtë pa e ofenduar Ankaranë dhe në të njejtën kohë pa u përulur menjëherë para presionit të Ankarasë. Ne gjithashtu duhet ta kuptojmë se investimet turke në Kosovë nuk janë veprime bamirësie. Kompanitë turke investojnë në Kosovë, sepse ato shohin potencial për fitim. Pra, duhet ta kemi të qartë se edhe Turqia ka interesa në marrëdhëniet politike dhe ekonomike (me Kosovën), kështu që tërheqja e investimeve për shkak të zemërimit me këtë situatë, do të ishte e dëmshme edhe për vetë Turqinë.

Zëri i Amerikës: Sipas mendimit tuaj, çfarë duhet bërë në lidhje me mungesën e transparencës dhe për ndriçimin e rrethanave në të cilat është kryer operacioni?
Edwards Joseph: Unë mendoj se qeveria tashmë ka ndërmarrë disa hapa të qartë me shkarkimet. Është e rëndësishme të mësohet më shumë mbi fatin e gjashtë personave të dëbuar dhe qëndrimin mbi këtë çështje. Natyrisht, është i nevojshëm një hetim për të kuptuar hollësitë e operacionit, pra se kush ishte në dijeni të tij dhe sa shumë dinin për këtë. Por do të jetë e vështirë të kuptohet me saktësi se çfarë ka ndodhur. Më e rëndësishme është që Kosova, Presidenti, Kryeministri, Parlamenti, opozita, duhet ta kuptojnë se mosrespektimi i ligjit sjell pasoja. Pra, dorëzimi para Erdoganit nuk është një veprim i mençur, edhe për një vend të vogël si Kosova. Edhe një vend i vogël mund të gjejë mënyra më të mençura për menaxhimin e marrëdhënieve.

Zëri i Amerikës: A pritet të ndikojë ky rast në marrëdhëniet me Bashkimin Evropian?
Edwards Joseph: Çdo veprim i Kosovës që vë në dyshim respektin ndaj sundimit të ligjit dëmton aspiratat e saj për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Sigal