Korrupsioni në universitet, gati pritet arrestimi i 6 pedagogëve

691
Sigal

ELBASAN/Përflitet se prej 2 vitesh janë në përgjim 17 pedagogë për korrupsion pasiv e mitmarrje

Zbulohen përmasat e korrupsionit në universitetin e Elbasanit. Bëhet fjalë për pedagogë që u marrin para nxënësve në këmbim të një note kaluese. Prokuroria e Elbasanit ka nisur një hetim intensive prej disa muajsh lidhur me denoncimet dhe akuzat ndaj një pjese të stafit të Universitetit të Elbasanit. Duket se arrestimi i dy zyrtarëve dhe marrja nën hetim penal i Rektorit dhe Drejtoreshës së Zyrës Juridike, ka zbuluar fakte të reja lidhur me implikimin e disa pedagogëve në afera të tjera korruptive. Burimet nga organi i akuzës thanë se, “ndaj 4 zyrtarëve të UE , ka ende fakte për hetim, kurse një tjetër dosje po mbushet me të tjera fakte që implikojnë edhe pedagogë të fakulteteve, bëhet fjalë për një rrjet të sofistikuar që ka vite që ka krijuar celulën e korrupsionit në atë institucion”.

HETIMET

E ndërsa dy të arrestuarit Kancelari dhe Drejtori Ekonomik priten të dalin nesër para trupit gjykues për masën e arrestit, Prokuroria ka gati emrat e 6 pedagogëve të cilët rezultojnë të implikuar në korrupsion, bëhet fjalë për pedagogët e Ekonomikut, cikli Ulët, Shkencat Humane dhe Infermieria . Përgjimet në rrugë speciale të organit të akuzës, kanë bindur hetuesit të  nisin çështjet penale ndaj tyre. Aktualisht nën survejim të Prokurorisë dhe Krimit Ekonomik janë prej 2 vitesh mbi 17 pedagogë të Universitetit të Elbasanit, emrat e të cilëve për arsye hetimi nuk bëhet ende të ditura. Ata kanë mbi 2 vjet që përgjohen dhe kanë fakte të pakontestueshme për lidhjet e tyre me aferat korruptive, por edhe për akuzën e mitmarrjes. Mjafton të kujtojmë arrestimet e dy pedagogëve të Ekonomikut vitin e kaluar dhe atë të Gazetarisë disa muaj më parë nga Prokuroria, për tu bindur se në Universitetin e Elbasanit vegjeton hapur celula e korrupsionit  e përkrahur dhe mbuluar edhe nga drejtuesit e Rektoratit. Ky është një skandal i madh. Ministria e Arsimit duhet të ndalet urgjentisht dhe të marrë masa radikale për të përmbysur situatën e turpshme të krijuar prej vitesh në UE. Arrestimi dhe procedimi penal ndaj 4 titullarëve të UE, duket se ka bërë më të guximshëm prej 2 ditësh edhe studentët, të cilët kanë nisur denoncimet e tyre, duke konservuar fakte të reja në organin e akuzës, mbi ata që pedagogë që kanë vite që bëjnë hapur korrupsion.

KORRUPSIONI

Korrupsioni në radhën e një pjese të pedagogëve në Universitetin e Elbasanit, mjerisht kishte (edhe pse Prokuroria dhe Krimi Ekonomik kërkonin bashkëpunim) mbrojtjen e Rektoratit. Asnjëherë  drejtuesit e Rektoratit prej vitesh nuk kanë ofruar ndihmë dhe bashkëpunimin e tyre me organin e akuzës për të zbuluar, dënuar dhe spastruar Universitetin e Elbasanit nga ata  pedagogë që sot janë majmur me para provimesh e studentësh. Korrupsioni sipas hetuesve në UE ka vite që është kthyer në sistem,  ai bëhet hapur,  në  zyra, lokale dhe makina. Madje pedagogët kanë sekserët e tyre në radhët e studentëve apo edhe jashtë auditorëve, që mbledhin paratë para dhe pas provimeve. Të gjitha këto  dhe të tjera denoncime, gjenden në dosjet e Prokurorisë, e cila tashmë e ka bërë punën e saj. “Topi” i mbetet tashmë Gjykatës së Elbasanit të tregohet dinjitoze, dhe të tregojë se është për zbatimin e ligjit, për të larguar sado pak nga vëmendja e opinionit qytetar  mendimin se,  ai institucion  është dhe mbron të korruptuarit.