Korrupsioni me pronat shtetërore arrin 200 milionë USD dëm në 6 muaj

240

Ja dëmet ekonomike:

-Në fushën e tatim taksave, evazioni fiskal dëm 32 milionë dollarë

-Institucionet shtetërore 28 milionë dollarë

-Shkeljet me tenderat 50 milionë dollarë

-Blerje dhe dhënie me qira të pasurisë shtetërore rezultojnë 100 mln. USD

Sigal

Korrupsioni me pronat shtetërore përbën pjesën dërrmuese të dëmit ekonomik të konstatuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit gjatë gjysmës së parë të këtij viti. Në total KLSH ka konstatuar një dëm ekonomi prej afërisht 200 milionë dollarësh për këtë periudhë, ku pikërisht shkeljet në fushën e shitjes, blerjes dhe dhënies me qira të pasurisë shtetërore rezultojnë 10,6 miliardë lekë, afërsisht 100 milionë dollarë.

Shkeljet me tenderat është një tjetër zë që ka prodhuar një dëm ekonomik me vlera të konsiderueshme monetare. KLSH konstaton një dëm ekonomik prej afërsisht 5.2 miliardë lekësh, apo afërsisht 50 milionë dollarësh të shkaktuar përmes shkeljeve me procedurat e prokurimit.

Në fushën e tatim taksave, evazioni fiskal ka prodhuar një dëm ekonomik prej 3,2 miliardë lekësh, apo afërsisht 32 milionë dollarë, ndërkohë që përmes shpenzimeve operative, institucionet shtetërore kanë shkaktuar një dëm ekonomik prej 2,8 miliardë lekësh, afërsisht 28 milionë dollarë.

Në periudhën janar – qershor 2022, auditimet e kryera nga Kontrolli i Lartë i Shtetit kanë përfshirë vlerësimin e aktivitetit në 64 subjekteve, duke përfshirë të gjitha nivelet e qeverisjes: institucione qendrore, ministri dhe agjenci (përfshirë drejtori qendrore dhe rajonale në varësi të tyre), njësi të vetëqeverisjes vendore (qarqe, bashki), drejtori të përgjithshme të administrimit fiskal, fonde speciale, si dhe shoqëri aksionare me kapital shtetëror në të cilën shteti ka mbi 50% të aksioneve, apo projekte me financim të huaj.

Shqipëria më e korruptuara e Ballkanit

Shqipëria shënoi regresin më të madh në rajon në perceptimin e korrupsionit në vitin 2020 në raport me vendet fqinjë. Barometri i Ballkanit i këtij viti tregoi se, perceptimi për korrupsionin shënoi rritje të dukshme në Shqipëri për të nëntë sektorët kryesorë me 2019 në raport me 2018, ku mbizotëronin ryshfetet nga 13-45 % për të gjitha institucionet. Shqipëria paraqitet me besimin më të ulët ndaj institucioneve. 90 për qind e të anketuarve besojnë se politika dhe sistemi i drejtësisë është i korruptuar. Kjo përqindje është pak më e ulët në rajon. Gjithashtu 80 % e shqiptarëve mendojnë se doganat janë të korruptuara dhe 77% e tyre mendojnë se sistemi shëndetësor është i korruptuar.