Koronavirusi ”hap” burgjet/Gjonaj: Lirohen përkohësisht 600 të burgosur

41

Nisur nga situata e Covid-19 në Shqipëri dhe në kuadër të masave të forta për mos përhapjen e virusit vdekjeprurës, Ministrja e Drejtësisë, Etlida Gjonaj, ka bërë të ditur se do të lirohen përkohësisht 600 të burgosur, si masë për t’i mbrojtur ata nga koronavirusi.

”Të hënën, qeveria mori një masë shumë të rëndësishme. Miratuam aktin normativ për lirimin e përkohshëm të të dënuarve me rrezikshmëri të ulët. Të gjithë ata të dënuar me vendim të formës së prerë dhe u ka mbetur edhe 3 vite burgim dhe të gjithë ata që u ka mbetur më pak se 5 vjet burgim dhe që janë mbi 60 vjeç, do të vendosen 3 muaj në karantinë në shtëpitë e tyre. Ata përfitojnë vetëm nëse nuk janë dënuar për vepra të rëndë kriminale. Gjithashtu, këta të burgosur duhet të kenë edhe një sjellje të mirë në burg. Të gjithë të dënuarit që përfitojnë nga ky akt, duhet t’i nënshtrohen rregullave strikte për të qëndruar në të njëjtën banesë gjatë qëndrimit në karantinë. Nga ky akt normativ do të lënë përkohësisht burgun 600 të dënuar”.

Nga ana tjetër, Gjonaj bëri me dije se deri më tani nuk ka asnjë rast të evidentuar me koronavirus tek të burgosurit. “Të gjithë ata që vuajnë dënimin në sistemin tonë të burgjeve kanë vëmendjen tonë dhe kemi marrë edhe për ta të gjitha masat. Kemi shtuar shërbimet shëndetësore, duke rritur kujdesin mjekësor”.