Koronavirusi/ FMN: Qeveria shqiptare do të mbledhë 600 milionë euro më pak se plani në 2020

632
Sigal

Kriza që përcolli në ekonomi pandemia Covid-19 do ndikojë negativisht planin e të ardhurave së paku me 16 për qind nga parashikimi fillestar i vitit 2020, sipas dokumentit të konsultimeve, që bëri me qeverinë ne kuadër te kreditimit të shpejtë nga kuotat.

Fondi parashikon që të ardhurat buxhetore do të jenë këtë vit rreth 430.4 miliardë lekë ose 72 miliardë lekë më pak se plani fillestar i vitit prej 503 miliardë lekësh. Rënia me 16 për qind këtë vit do të pasohet me rishikim në ulje të planit te të ardhurave buxhetore në tre vitet në vijim.

Fondi raporton se me 2021 të ardhurat totale do të arrijnë në 487 miliardë lekë nga 531 miliardë të parashikuara para krizës Covid.

Diferencat do të vijojnë së paku deri më vitin 2023. FMN parashikon që deficiti fiskal të rritet në rreth 5.5 për qind të PBB-së në vitin 2020.

Rënia e ekonomike e përllogaritur me rreth 5 për qind për Shqipërinë do të zvogëlojë të ardhurat (me mbi 2 për qind të PBB-së).

Për më tepër, për të adresuar goditjet, buxheti i rishikuar përfshin shpenzimet për rindërtimin (rreth 1.4 për qind të PBB-së), dhe masa shtesë në shpenzime për të kufizuar ndikimin e COVID-19.

Shtrëngimi i tregjeve financiare do të implikojë nevojën e mbetur të financimit fiskal gjatë vitit 2020.

Sakaq, muaji mars ka filluar të reflektojë pasojat e Covid-19 në ekonomi. Të ardhurat tatimore, që u arkëtuan në buxhetin e shtetit për periudhën janar-mars ishin 97 miliardë lekë, ose 4.5% më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë.

Të dhënat e Ministrisë së Financave tregojnë se në mars u mblodhën nga tatimet e doganat 30 miliardë lekë, nga rreth 37 miliardë lekë në të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke shënuar një rënie me rreth 19%. Në vlerë absolute janë rreth 6.9 miliardë lekë (56 milionë euro), të mbledhura më pak në krahasim me marsin 2019./Monitor