Koronavirusi/ Ardi Veliu urdhër forcave të rendit: Mos lejoni grumbullimet e njerëzve

341
Sigal

Policia e Shtetit shpërndau mbrëmë një urdhër që lidhet me marrjen e masave për të parandaluar përhapjen e koronavirusit në vend.

Këto masa kanë të bëjnë kryesisht me zbatueshmërinë e vendimeve të marra në mbledhjen e djeshme të qeverisë, të cilat lidhen kryesisht me shmangien e grumbullimit të njerëzve në ambiente të mbyllura apo të hapura, përfshirë këtu lokale, pub-e, palestra, aktivitete sportive, kulturore.

Urdhri mban firmën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Ardi Veliu.

Ky urdhër vjen pas deklaratës së Kryeministrit Edi Rama, i cili tha në mbledhjen e djeshme të qeverisë se shumë shpejt do të mbyllen të gjitha ambientet që grumbullojnë njerëz, si klube, pub-e, palestra dhe disko.

“Nga ana juaj të merren masa për kontrollin e situatës në territor dhe moslejimin e zhvillimit të aktiviteteve me karakter masiv, qofshin ato publike dhe jopublike si: lokale, pub-e,

bilardo, palestra, çdo ambient që mbledh dhe grumbullon shumë persona dhe qendra të tjera argëtimi; aktivitete sportive, aktivitete kulturore, konferenca, seminare, teatro, kinema etj;

grumbullime të tilla si tubime, manifestime, parakalime, koncerte, dëgjesa publike”, thuhet në urdhrin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë.