Koronavirusi/ A duhet vendosur maska për të evituar infektimin?

552
Sigal

Frika nga koronavirusi dhe përhapja e madhe e tij, ka bërë që shumëkush, në përpjekje për t’u mbrojtur, t’i drejtohet farmacive për të blerë maska apo elementë të tjerë mbrojtës, duke i vendosur edhe këto të fundit përballë një situate të papërballueshme.

Por a duhet vendosur maska për të evituar infektimin…?

Qendra amerikane për kontrollin dhe parandalimin e sëmundjeve, nuk rekomandon që pjesëtarë të publikut të gjerë të vendosin maska.

“Maskat e fytyrës”, thotë ajo “duhet të mbahen nga persona që tregojnë simptomat e COVID 19, për të ndihmuar në mos shpërndarjen e virusit te të tjerët”.

Ministri francez i Shëndetësisë, Olivier Veran, në anën tjetër, ka thënë se vendi po merr miliona maska nga rezerva që është kryesisht e destinuar për profesionistët e shëndetit. Edhe ai ka këshilluar që njerëzit pa simptoma, të mos mbajnë maska.

Por, nëse nuk ndjehesh mirë, dhe mban një maskë, kjo është diçka e mirë, sepse në këtë mënyrë nuk kollitesh mbi dorë dhe kështu, nuk ia transmeton virusin dikujt tjetër nëse shtrëngon dorën me të. Si pasojë, ndërpret këtë metodë transmetimi. Maskat, për të mbrojtur njerëzit nga marrja e virusit, duhet të jenë biologjike, që shpesh herë janë më të shtrenjta, por maskat e tjera bëhen të lagështa ndërsa ne marrim frymë, dhe nëse kollitesh në to, situtata mund të përkeqësohet. Kirurgët psh, vendosin maska për të mbrojtur pacientët nga mikrobet, jo për të mbrojtur veten.

Nëse një individ është i infektuar, maska, sipas ekspertëve, pengon përhapjen e virusit te të tjerët. Por, nuk ka asnjë arsye që popullata e përgjithshme, të mbajë maska, thonë ata.