Korçë, s’morën masa për lirimin e rrugës, gjykata: 1 në burg, 3 të lirë

487
Sigal

KORÇË – Është zhvilluar ditën e sotme seanca ndaj 4 të arrestuarve si përgjegjës për mos marrjen e masave për zhbllokimin e aksit Qafë Thanë-Pogradec, e cila u bllokua dhe krijoi vështirësi të shumta si pasojë e reshjeve gjatë festave të fundvitit.

Në seancën e sotme të akuzuar për “shpërdorim detyre”, gjykata vendosi “arrest me burg” 40 ditë për Alban Abazi, 33 vjeç administrator i firmës “RD-2”, ndërsa ka venodur masën “detyrim paraqitje” për dy zyrtarët e administratës, Artan Hoxha, 41 vjeç, me detyrë Supervizor pranë Drejtorsë së Rajonit Jugor, Korçë dhe Xhevdet Mulaj, 54 vjeç, me detyrë Specialist pranë Drejtorisë së Rajonit Jugor, po në Korçë.

Ndërkohë, lidhur me juristin e kompanisë “RD-2” Arlind Berberi, 40 vjeç, gjykata ka vendosur hetim të tij në gjendje të lirë. Ky i fundit ishte vënë nën akuzë për “Falsifikim dokumentash”  pasi ka falsifikuar dy fatura tatimore në emër të kompanisë “RD-2”.

Sa i përket administratorit të firmës, Abazi akuzohet për shpërdorim detyre pasi nuk ka marrë masat e duhura për të bërë të mundur zhbllokimin e segmentit Qafë Thanë-Pogradec, ashtu siç ishte përcaktuar në kontratën e saj me Ministrinë e Transporteve.

Ndërkohë dy zyrtarët e administratës Hoxha dhe Mulaj, akuzohen se nuk kanë ushtruar inspektime ndaj punës së firmës “RD-2”.

Gjatë festave të fundvitit, segmenti Qafë Thanë-Pogradec krijoi mjaft vështirësi qarkullimi si pasojë e reshjeve të rëna, ku edhe banorë të shumtë të kësaj zone denoncuan mos marrjen e masave, ku sipas tyre nuk ishte hedhur kripë për të bërë të mundur zhbllokimin e rrugës.