Korça konsumon 300.000 m3 dru, leje jepet vetëm për 6 mijë, shteti hesht!

872
Sigal

Masakër në parkun kombëtar të Prespës, Vithkuqit, Bozdovecit e zonave të mbrojtura. Ligji në mbrojtje të kontrabandistëve të lëndës drusore për 24 vjet me radhë

KORÇË Korçës i nevojiten për ngrohje 300.000 metër kub lëndë drusore, leje nga qeveria jepen vetëm për rreth 6 mijë metër kub; 290 mijë metra kub të tjera sigurohen nga kontrabandistët. Shteti bën sikur nuk e di. Ligji i hartuar për mbrojtjen e pyjeve, në të vërtetë u vjen në ndihmë kontrabandistëve. Ata mbeten të paprekshëm nga policia, nga Prokuroria dhe nga Gjykata. Pyjet e këtij vendi, për 24 vjet me radhë kanë qenë në mëshirë të fatit. Gjithçka do ta analizojmë më poshtë me detaje. Skandali është i përmasave të mëdha. Rojet e pyjeve bëjnë sikur nuk shohin e sikur nuk dëgjojnë. Strukturat shtetërore të ngarkuara për mbrojtjen e pyjeve, krijojnë përplasje me njëra-tjetrën dhe nuk merren vesh. Për rrjedhojë, bashkëpunimi mes tyre nuk ekziston. Triumfator mbetet gjithë kontrabandisti. Ndarja e pyjeve në komunalë, shtetërorë dhe privatë, shtoi edhe më tepër përplasjen e kompetencave, nga e cila përfituan sërish kontrabandistët. Nuk është çudi që nga ato që do të lexoni këtu të mbeteni të shokuar. Do të përpiqeni të pyesni veten, por sigurisht nuk do të gjeni dot përgjigje. Të gjitha të dhënat dhe faktet i kemi siguruar nga një projekt i SOROS, ato janë zyrtare dhe tërësisht të vërteta  Mbi të gjitha do të shohim se ligji ka qenë në favor të kontrabandës

Agonia e parkut kombëtar të Prespës 

Nëse, rastësisht ose jo, do të gjendeni në pyjet e parkut kombëtar të Prespës, në Korçë, atëherë që nga ai çast do të përballeni me një tmerr të vërtetë. Do të shihni se ky park ndodhet në agoninë e vdekjes së tij. Tmerri të rrëqeth. Masakra s’ka as anë, as fund. Nuk ka penë që mund ta përshkruajë dot. Pamjet e pyjeve të prerë të japin vetëm dhimbje. Si është e mundur që edhe parqet kombëtare të mbeten në mëshirë të fatit! Ngado që të hidhni vështrimin do të shihni trungje pemësh dhjetravjeçare të rrëzuara mizorisht për tokë; pa asnjë keqardhje. Gjithçka është e qartë: në këto pyje motosharrat kanë prerë lëndë drusore në çdo stinë të vitit në dimër dhe në verë. Por për kontrabandistët periudha e artë e prerjes së pyjeve mbetet stina e ftohtë; vjeshta dhe fillimi i dimrit, sepse në këtë periudhë kontrollet nga institucionet përkatëse bëhen edhe më të rralla. Por edhe kjo gjë nuk është tërësisht e vërtetë. Ironia bëhet edhe më therëse, kur mëson faktin se kontrabandistët nuk ndalen në prerjen e lëndës drusore as në ditët me diell dhe as në netët me hënë. Dhe sërish nuk ka asnjë ndëshkim për ta. Ligji i favorizon. Gjurmët e prerjes në këto pyje tregojnë se prerjet ka ndodhur edhe ngjatë muajve të fundit, gjë që do të thotë se prerjet as kanë pasur të ndalur dhe as do të kenë. Prerjet e muajve të fundit nuk janë mohuar as nga vetë specialistët e Inspektoriatit të Mjedisit. Habia bëhet edhe më e madhe kur mëson se Parku Kombëtar i Prespës ka edhe statusin e parkut ballkanik, e megjithatë, sërish është masakruar tmerrësisht.

Rrugët në ndihmë të kontrabandistëve

Dhe ndërsa ndodheni në pyjet e parkut kombëtar të Prespës do të gjeni aty edhe një rrugë katër metra të gjerë. Ajo u vjen në ndihmë kontrabandistëve. Nëpër këtë rrugë kalojnë të gjitha mjetet e ngarkuara me lëndë drusore. Hyjnë dhe dalin pareshtur, natën dhe ditën, në diell dhe në shi. Ata që banojnë përreth parkut kombëtar të thonë se këto pyje kanë mbetur pa zot që nga viti 1990 e deri më sot. Madje, nuk besojnë se do të vijë një ditë që shteti t’u dalë pyjeve për zot. Faktet që mësojmë herë pas herë janë tepër shokuese. Vetëm gjatë dy javëve të fundit të nëntorit të vitit që sapo lamë pas, ishin prerë 1.200 drurë ahu dhe dushku. Vlera e dëmit shkonte në 90.000 dollarë. Por sa mund të ketë qenë ky dëm përgjatë gjithë vitit 2014? Po për 24 vjet me radhë? As që mund të llogaritet dhe askush deri më sot nuk ka mbajtur përgjegjësi. Ajo që ndodh në pyjet e parkut kombëtar të Prespës, duket tejet e pabesueshme, sepse parku, përveçse ruhet dhe monitorohet nga 25 specialistë të Drejtorisë së Shërbimit Pyjor, rojet mjedisore dhe inspektorët e Mjedisit, gjithashtu survejohet edhe nga kamerat që janë vendosur enkas aty për këtë qëllim,- ndaljen e kontrabandës. Atëherë si është e mundur që as njerëzit që paguhen për këtë qëllim dhe as kamerat nuk kanë ndihmuar në kapjen e subjekteve që kontrabandojnë lëndë drusore! Të gjitha këto të lënë mëse të habitur. Gjithsesi, hap pas hapi, do të shkojmë drejt të vërtetave që nuk janë thënë deri më sot.

Rojet bëjnë të paditurin

Edhe kur rojet gjenden përballë dëmeve të mëdha si ato të dy javëve të fundit të nëntorit 2014, ata përsëri bëjnë të paditurin, ngrijnë supet dhe nuk kanë asnjë përgjigje, edhe pse kanë detyrimin që për çdo dëmtim në pyll të vënë në dijeni strukturat përkatëse dhe në bashkëpunim me këto të fundit të çojnë autorët e dëmtimit të pyjeve përpara ligjit, pasi në të kundërt do të jenë ata që do të ngarkohen me përgjegjësi penale. Por, edhe pse është kështu, rojet hiqen sikur nuk kanë parë asgjë, sikur nuk kanë dëgjuar as zhurmat therëse të motosharrave që dëgjohen deri në fshatrat rreth e qark. Banorët që jetojnë përreth parkut kombëtar të thonë: “Gati çdo ditë shohim kamionë dhe fugona të mbuluar që udhëtojnë përgjatë rrugës që lidh fshatin Goricë me Doganën, duke transportuar lëndë drusore të prerë në mënyrë të paligjshme në zonën e mbrojtur të parkut”. Kjo e vërtetë është pranuar edhe vetë kryeinspektori i Mjedisit të qarkut Korçë, i cili është shprehur se “rojet mjedisore të parkut të Prespës nuk kanë bërë as aktin e konstatimit, ndërmjet të cilit verifikohet dëmi i shkaktuar dhe njoftohet Inspektoriati për të vijuar procedurën. Kjo është situata e vërtetë e asaj që po ndodh në pyjet e Prespës. Shifrat që do të sjellim në vijim do ta qartësojnë edhe më tej situatën e rëndë, në të cilën gjenden pyjet e parkut në fjalë, ku dalin në pah edhe mosmarrëveshjet dhe mosbashkëpunimi mes institucioneve shtetërore.

Akuzat e Inspektoriatit të Mjedisit

Jo vetëm kaq, nga ajo çfarë shpjeguam më sipër për punën e rojeve, por edhe kryeinspektori i qarkut Korçë, gjithashtu sjell këtë problematikë:  “Në fakt, që prej muajit korrik,- pohon ai,- inspektorëve të Mjedisit nuk iu është vënë në dispozicion asnjë akt konstatimi për dëmet në zonat e mbrojtura, edhe pse rastet e prerjeve të paligjshme kanë qenë evidente dhe në mënyrë masive. Pa njoftimin e rojeve të zonave të mbrojtura apo masivëve të tjerë, inspektorët e kanë të pamundur të verifikojnë rastet e paligjshme dhe të procedojnë personat përgjegjës”. Pra bashkëpunimi me rojet është parësor aq më tepër kur Inspektoriatit të Mjedisit i duhet të përballojë një volum të konsiderueshëm pune, në kushtet e mungesës së theksuar të burimeve njerëzore, pasi e gjithë sipërfaqja pyjore e rajonit duhet të monitorohet nga 13 specialistë. Këtyre të fundit, përveç të tjerave, u  duhet të lëvizin në terren edhe me mjete private, pasi institucioni i krijuar një vit më parë ende nuk ka një të tillë të përshtatshëm. Gjithsesi, edhe Inspektoriati i Mjedisit pohon: “Dëmet janë masive”.

Drejtoria e Shërbimit Pyjor me optikë tjetër

Por nëse kryeinspektori i Mjedisit pretendon se që nga muaji korrik nga ana e rojeve nuk ka pasur asnjë akt konstatimi, krejt ndryshe reagon Drejtoria e Shërbimit Pyjor në Korçë. Sipas saj: “Gjatë vitit 2014, për zonën e Prespës dhe zonat e tjera të mbrojtura, nga rojet mjedisore, janë hartuar 170 akte konstatimi të prerjeve të paligjshme të pyjeve, ku për çdo rast janë vënë në dijeni inspektorët e Mjedisit për të vijuar hetimin, zbulimin dhe ndalimin e autorëve. Madje jo vetëm kaq, Drejtoria e Shërbimit Pyjor pohon: “Neglizhenca e Inspektoriatit të Mjedisit është evidente dhe është ky shkaku që numri i personave të proceduar penalisht gjatë këtij viti ka qenë i papërfillshëm”. Ndërkaq, përsa u përket zonave të mbrojtura, burime pranë Drejtorisë së Shërbimit Pyjor bëjnë të ditur se vetëm për dëmtimet dhe prerjet e paligjshme në parkun e Prespës, nga rojet mjedisore janë hartuar 27 akte konstatimi, të cilat më pas i janë referuar Inspektoriatit të Mjedisit, por vullneti i munguar i institucionit në fjalë, ka lënë të pandëshkuar shkelësit e ligjit. 

Përgjegjësi i zonave të Mbrojtura

Edhe Olsi Duma, përgjegjës i zonave të mbrojtura pranë Drejtorisë së Shërbimit Pyjor Korçë, ka shpjegimin e vet mbi këto çështje: “Mungesa e bashkëpunimit midis dy institucioneve respektive, shkaqet e të cilit duket janë krejtësisht personale, u ka lënë dorë të lirë individëve dhe subjekteve private të bëjnë çfarë të duan dhe si të duan edhe në ato zona që ligji i konsideron të mbrojtura. Është detyrë e Inspektoriatit të Mjedisit, vijoi Duma,  që të ushtrojë kontrolle mbi subjektet që shfrytëzojnë sipërfaqet pyjore, fushat e grumbullimit të lëndës drusore dhe të marrë masa për të  evidentuar dhe proceduar personat që kapen në shkelje të ligjit, gjë që në fakt, sipas Dumës, nuk ka ndodhur”.

Duma heq përgjegjësinë nga vetja duke e konsideruar mbrojtjen e pyjeve një çështje që më tepër duhet të orientohet drejt ndërgjegjësimit të qytetarëve se sa tek zbatimi me korrektësi i ligjit dhe ndëshkimi i autorëve, të cilët konsumojnë kundërvajtje administrative ose penale, në rastin kur presin pyjet në kundërshtim me legjislacionin përkatës. Pra nga e gjitha kjo kakofoni, dy institucionet kryesore që ligji ngarkon me monitorimin dhe mbrojtjen e mjedisit, duket se kanë qasje jo vetëm të ndryshme, por edhe të kundërta, përsa i përket përgjegjësisë dhe kompetencave respektive. Deri këtu, së paku, kemi pasur mundësinë të shohim si bashkëpunojnë institucionet përgjegjëse për mbrojtjen e pyjeve. Tashmë le të hedhim një vështrim se çfarë ndodh konkretisht kur këto çështje i përcillen Prokurorisë dhe Gjykatës.

Kontrabandistët të gjithëpushtetshëm

Gjithashtu, siç e theksuam edhe më sipër, por për ta bërë edhe më të qartë, na duhet të theksojmë se banorëve të rajonit të Korçës u nevojiten 300.000 metër kub lëndë drusore, por subjekteve të licencuara për shfrytëzimin e parcelave të përcaktuara me ankand nga Drejtoria e Shërbimit Pyjor për vitin 2014 mund të siguronin vetëm 12.000 metër kub lëndë druri, por gati gjysma e kësaj sasie shkon për eksport, gjë që do të thotë se 95% e sasisë së druve që nevojiten për ngrohje, vjen nga prerjet e paligjshme dhe abuzimet me lejet e shfrytëzimit nga subjektet private dhe individët. Pra, për të qenë edhe më të kuptueshëm, duhet të theksojmë se  rreth 290 mijë metër kub dru konsiderohen kontrabandë. Por, sa sekuestrohet nga kjo sasi? Sigurisht, që sekuestrimet janë minimale. Pra, e gjitha kjo tregon qartë e saktë se gjatë gjithë vitit ata që presin dhe dëmtojnë pyjet janë kontrabandistët, madje duke mësyrë edhe zonat e mbrojtura. Gjithkush e di këtë të vërtetë, ndaj dhe askush prej kontrabandistëve nuk ndëshkohet penalisht. Ndërkohë jemi njohur edhe me një fakt tjetër mjaft domethënës. Kontrolli mbi aktivitetin e të vetmit subjekt koncesionar, i cili jo vetëm pret, por edhe eksporton lëndën drusore në Greqi dhe Itali, është i mangët, pasi ligji nuk lejon më shumë se dy kontrolle në vit ndaj tij. Çudirat nuk kanë të sosur! Në qarkun e Korçës ushtrojnë këtë aktivitet 26 subjekte private, por  vetëm 5 prej tyre u gjobitën muajt e fundit. Gjobat kapnin shumat nga 20-80.000 lekë. Por e gjitha kjo nuk ishte gjë tjetër veçse një shfaqje teatrale, sepse përballë përfitimeve që ata sigurojnë nga lënda drusore, gjoba të tilla ngjasojnë me një kafe-konjak. Ndaj dhe rezulton se shlyerja e gjobave ka qenë e menjëhershme.

Pse nuk dënohen kontrabandistët?

Nga burimet e përmendura në krye të këtij shkrimi, mësojmë se gjatë vitit 2014, (pavarësisht nga sa pretendohet nga Drejtoria e Shërbimit Pyjor dhe Inspektoriati i Mjedisit) nga Gjykata e Shkallës së Parë Korçë janë gjykuar vetëm 3 çështje me 3 persona, të cilët akuzoheshin për prerje të paligjshme të pyjeve, ndërsa gjithë të tjerëve nuk u kanë kaluar materialet (dosjet) në Gjykatë. Pse ndodh kështu? Një përgjigje për këtë situatë e jep kryeinspektori i Mjedisit, Artan Buzo. Ai e sheh problemin te legjislacioni për mjedisin. Sipas tij, masat administrative duhet të ashpërsohen edhe më tepër. E njëjta gjë duhet të ndodhë edhe me ndëshkimet penale, pasi ky i fundit, për prerje të paligjshme të pyjeve, parashikon dënime minimale. Probleme ta shumta, mosmarrëveshje dhe kaos kompetencash solli edhe ndarja e pyjeve në komunalë, privatë e shtetërorë. Megjithatë, problemet janë edhe më të thella. Në kuptimin e ligjit penal prerja e paligjshme  e pyjeve, parashikuar nga neni 205 i Kodit Penal, konsiderohet kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose burg deri në një vit. Por që të konsiderohet që ke kryer një vepër të tillë, kërkohet që subjekti të ketë prerë dhe dëmtuar zonat e mbrojtura dhe vetëm në këtë rast, mund të kemi një vepër penale, në kuptim të Kodit Penal. Ndërsa, në qoftë se presim në pyje dhe zona që nuk konsiderohen të mbrojtura, çfarë ndodh? Vetëkuptohet, nuk ka vepër penale.

Arsye të tjera mosndëshkimi

Gjatë vitit 2011-2014, sipas burimeve pranë Drejtorisë së Shërbimit Pyjor, janë proceduar për prerje të paligjshme të pyjeve 27 persona, kurse policia procedoi dhe referoi në Prokurori 135 persona, të cilët ishin ndaluar në kushtet e flagrancës. Gjithsesi, le të ndalemi më konkretisht tek viti 2014. Gjatë këtij viti, policia regjistroi 69 procedime. Megjithatë, shihni çfarë ka ndodhur. Nga të gjitha këto procedime, u referuan në Prokurori 59 prej tyre, nga të cilat 49 u pushuan, 1 u pezullua dhe vetëm 2 i kaluan Gjykatës. Arsyetimi i Prokurorisë për pushimin e çështjeve të referuara nga policia është ky: veprimet e personave të ndaluar nuk përbënin vepër penale në kuptimin e ligjit penal, por shkelje administrative. Sepse, në fakt, sipas nenit 205 të Kodit Penal, subjekti duhet të ndalohet në kushtet e flagrancës, pra duke prerë ose duke dëmtuar pyjet, por në të vërtetë, policia i kishte ndaluar ata jo në këto kushte, por duke transportuar lëndë drusore, gjë që do të thotë se kemi të bëjmë me shkelje administrative dhe jo me vepër penale. Ndërkaq, siç e bëmë të ditur edhe më sipër, ligji kërkon detyrimisht që subjekti të ketë prerë apo dëmtuar pyjet në zonat e mbrojtura  ose në ato ku është e ndaluar prerja, ndërsa policia vërtet i kap ata duke transportuar lëndë drusore në rrugët nacionale, por subjektet pohojnë  se lëndën drusore e kanë prerë në pyje që nuk kanë statusin e pyjeve të mbrojtura, që do të thotë se nuk ka vepër penale. Për këtë arsye Prokuroria ka qenë e detyruar t’i pushojë si çështje. Pra, ndërsa pyjet priten edhe dëmtohen çdo ditë, Parqet dhe zonat e mbrojtura masakrohen deri në agoni, kontrabandistët mbeten të pandëshkueshëm, madje të mbrojtur nga ligji.

Vepror Hasani