Koordinatori për luftën kundër ekstremizmit: Shqipëria e rrezikuar nga terrorizmi

509
Sigal

“Shqipëria
rrezikohet nga terrorizmi. Ndeshja në axhendë e bën më të lehtë që dikë ta
ngacmojë kjo ide. Në të gjithë dokumentet flitet se njihet risku që Shqipëria
përfaqëson. Kemi shqiptarë që kanë shkuar në zona në konflikt, që janë kthyer
nga zonat në konflikt. Nuk jemi në atë fazë kërcënimi që media përcjell”, tha
Sojati.

Koordinatori kombëtar për luftën
kundër ekstremizmit, deklaroi se Shqipëria nuk mund të përjashtohet nga vendet
që rrezikohen prej terrorizmit, por në rastin konkret atë të ndeshjesh me
Izraelin, ai nënvizoi të jenë marrë të gjitha masat e nevojshme për të
minimizuar riskun.

“Shqipëria nuk përjashtohet nga
rreziku terrorist. Nëse rrezikohet Londra, Parisi dhe New York, s’mund të themi
që nuk rrezikohet Shqipëria. Institucionet e specializuara meritojnë gjithë
punën e bërë. Mundësitë që individë apo grupe të vogla mund të krijojnë ndonjë
gjë, nuk mund të përjashtohen, por urojmë që të mos ndodhë”.

Sojati shtoi se nuk ka pasur asnjë
raport paraprak për alarm gjatë ndeshjes së nesërme, ndërsa masat e marra i
konsideroi si pjesë e një procedure standarde të diktuara edhe nga UEFA.

Ndër të tjera ai tha se stadiumi i
Elbasnait i ka kaluar testet e sigurisë dhe kërkoi të mos përhapet panik në
lidhje me ndonjë sulm të mundshëm terrorist. “Stadiumi i Elbasanit i ka kaluar
provat dhe testet e sigurisë. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Shkodrën.
Nëse ekzistonte mundësia për veprime terroriste në një vend, thjesht shmangia
nga ky stadium e bën të vështirë riorganizimin e grupimeve terroriste. Prandaj
nuk duhet të përhapet panik”,- tha ai.

Në lidhje me arrestimet në Shkodër,
ai tha se nuk bëhet asnjë veprim policor pa u mbështetur në një procedurë
penale, pa pasur një miratim nga prokurori apo vendim nga gjykata.

Sa i përket kapaciteteve që
Shqipëria apo çdo vend tjetër ka për të shmangur aktet terroriste, koordinator
kombëtar për luftën kundër ekstremizmit tha se askush nuk mund të thotë se i ka
të gjitha kapacitetet vetë.

“Në çdo fenomen nuk besoj se jo
Shqipëria por asnjë vend nuk ka mundësi të mendojë që ka parasysh gjithë hartën
e aktiviteteve që të thotë kush janë kapacitetet. Shqipëria ka pasur
kapacitete. Askush nuk duhet të krijojë mendime se kemi resurse shtetërore që
të ndjekim çdo njeri”, tha ai.