Kontrata noteriale dhe përgjimet zbuluan të dënuarin me burg përjetë, si u shpëtua e mitura nga trafikimi në Greqi

818
Sigal

Roland Luli, 33 vjeç, një i dënuar me burgim të përjetshëm dhe i kërkuar nga drejtësia greke, si pjesë e një organizate kriminale në tokën helene, është kapur në Qafë-Plloçë me armatim të rëndë dhe në tentativë për të trafikuar drejt Greqisë një vajzë të mitur me inicialet V.Gj.

Luli kishte mundur ti shpëtonte policisë greke, duke hyrë në territorin Shqiptar dhe gjetur strehim në Maliq të Korçës, ku dhe ushtronte veprimtarinë kriminale në kultivimin e drogës, shitjen e hashashit, e së fundi kishte krijuar kushtet për trafikimin e një vajze të mitur në Greqi.

Rreth tij Luli, kishte rekrutuar edhe persona të tjerë nga Maliqi, të cilët i përdorte për të kryer punë të ndryshme të paligjshme.

Më konkretisht Luli shoqërohej me Çelnik Fasho, i dënuar me parë për “Vjedhje” dhe “Përkrahje e autorit të krimit”, Mirel Fasho, Ermal Basha, i divorcuar i dënuar më parë për vjedhje, Rezarta Mehmetllari e divorcuar, Ervin Kalari dhe Oldian Merdani.

Në dijeni të veprimeve kriminale të këtij grupi që vepronte në zonën e Maliqit, ishte vënë dhe policia, e cila ka kërkuar autorizim nga prokuroria e Korçës, për fillimin e ndjekjes operative në terren dhe mbikëqyrjes telefonike.

Të dhënat e grumbulluara flisnin se personat e mësipërm kryenin veprimtari kriminale dhe mbanin armatim me vete.

Për pasojë prokuroria e Korçës ka riregjistruar procedimin penal me nr. 598. Nga përgjimi i bisedave telefonike ka rezultuar se këta persona kishin përgatitur terrenin dhe kishin mbjellë me bimë narkotike, një sipërfaqe toke në fshatin Zerec të Maliqit.

Por nga bisedat e përgjuara disa persona të këtij grupi, si Roland Luli dhe Rezarta Memetllari dhe një person tjetër Ermal Basha, komunikonin për mundësinë e trafikimit të një të miture në shtetin Helen.

Vajza e mitur ishte dashuruar me Ermal Bashën, ndërkohë shoqërohej me Rezarta Memetllarin, e cila ndikonte që vajza të shkëputej nga familja dhe të udhëtonte në Greqi. Për këtë ishte siguruar dhe një deklaratë noteriale, ku prindërit e vajzës lejonin udhëtimin e saj drejt Greqisë, nën shoqërinë e Ermal Bashës.

Dy ditë më parë prokurorja e çështjes Dhorina Theodhori, ka autorizuar policinë të arrestojë 7 persona.

Në zbatim të të dhënave që rezultuan nga përgjimet telefonike, por edhe përgjimeve në vende publike, punonjësit e Drejtorisë se Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit në 5 korrik 2019 në vendin e quajtur “Qafë-Plloçë” kanë gjetur dhe shoqëruar Roland Luli, Rezarta Mehmetllari, Viola Ruco, të miturën, V.Gj të cilët udhëtonin në aksin Pogradec-Korçë, me mjetin tip “Benz” me targa AA 864 BH me drejtues mjeti Rami Hyko.

Roland Luli, midis të tjerash kishte me vete dhe një armë zjarri tip pistoletë TT, dy granata dore njëra ofensive dhe tjetra defensive, 67 fishekë kalibri 56 mm, një thikë të ngjashme me ato që përdoren në ushtri, dy telefona dhe sendet e tjera personale.

Ndërsa Rezarta Mehmetllari i janë gjetur e sekuestruar një sasi prej 3060 eurosh.

Gjithashtu është shoqëruar dhe ndaluar Ermal Basha të cilit midis të tjerash me vete i është gjetur një kontratë noteriale, ku midis të tjerash bën fjalë për lejimin e saj nga prindërit me qëllim daljen e të miturës V.Gj, jashtë kufijve të Shqipërisë me Ermal Basha.

Gjithashtu gjatë kontrollit të banesës së Ermal Basha, janë gjetur e sekuestruar në cilësinë e provës material 14 fishekë pistolete 9 mm dhe një krehër pistolete bosh. Në kuadër të këtij procedimi janë gjetur dhe asgjësuar 1709 bimë të dyshuara si bimë narkotike në territorin e fshatit Zerec, Njësia Administrative Miglicë, Bashkia Maliq.

Të arrestuar

1. Rroland Luli i dënuar me burgim të përjetshëm në Greqi për “Vjedhje me dhunë” dhë “Vjedhje me armë” si pjesë e një organizate kriminale.

2. Çelnik Fasho i dënuar me parë për “Vjedhje” dhe “Përkrahje e autorit të krimit”.

3. Mirel Fasho

4. Ermal Basha i divorcuar i dënuar më parë për vjedhje

5. Rezarta Mehmetllari e divorcuar

6. Ervin Kalari

7. Oldian Merdani

Veprat penale

1. “Kultivimi i bimëve narkotike kryer ne bashkëpunim”.

2. “Trafikimi i te miturve”.

3. ”Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armeve, armëve trafiku i vajzave të mitura shpërthyese dhe municionit”.

4. “Prodhim dhe shitje narkotikësh”.