Konkursi III Kombëtar i Kryqit të Kuq Shqiptar “Rinia dhe Kryqi i Kuq”

3874
Në ambientet e Muzeut Kombëtar, nesër më datë 14, ora 10, zhvillohet takimi final i Konkursit III Kombëtar të Kryqit të Kuq “Rinia dhe Kryqi i Kuq”. 
I nisur si një projekt pilot, Konkursi Kombëtar “Rinia dhe Kryqi i Kuq” ka hyrë në vitin e tretë të tij. Janë më shumë se 500 të rinj të angazhuar në çdo edicion të tij, të cilët janë bërë pjesë e një konkurrimi sa të bukur aq dhe me vlerë në fushën humanitare të Kryqit të Kuq. Janë njohuri të fituara në pjesën më të madhe të tyre nga pjesëmarrja praktike si vullnetarë të të rinjve në veprimtaritë humanitare të Kryqit të Kuq Shqiptar. 
Takimi final në të cilin do të përballen ekipet fitues të degëve të KK Tiranë, Elbasan, Laç, Gjirokastër, Lushnje dhe Kukës, mbahet pas zhvillimit të takimeve rajonale të fazës së parë të Konkursit të zhvilluara në qytetet Kukës, Shkodër, Fier, Elbasan dhe Tirane, ku kanë marrë pjesë 38 ekipe përfaqësues të degëve respektive të KK. 
Veprimtari të tilla si Konkursi Kombëtar “Rinia dhe Kryqi i Kuq” zhvillohen dhe nga shoqatat simotra në vende të ndryshme. Ato janë baza e një diskutimi dhe konkurrimi mbi tema të caktuara të veprimtarive humanitare, në të cilat zhvillohen diskutime dhe konkurrime për tema të ndryshme me qëllim sensibilizimin e të rinjve dhe të komuniteti mbi cështje të ndryshme humanitare dhe të angazhimit të tyre aktivë në këto veprimtari.
Konkursi ka si qëllim që të rinjtë të risin njohuritë rreth veprimtarive të Kryqit të Kuq Shqiptar, Historisë së Lëvizjes ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe të Gjysmëhënës së Kuqe dhe vlerave humanitare që mbartin kato, duke kërkuar që vetë të rinjtë të jenë nxitësit kryesorë për të përcjellë te bashkëmoshatarët e tyre dhe në komunitet, promovimin e vlerave humanitare që mbart kjo lëvizje.
Një rrugëtim i suksesshëm në tri vitet e parë, tregon se kjo veprimtari po kthehet në një veprimtari tradicionale me shumë vlerë, që i bashkëngjiten konkurseve të tjera kombëtare të Kryqit të Kuq siç është Konkursi Kombëtar i Ndihmës së Pare, Konkursi Kombëtar i vizatimit “Fëmijët dhe Kryqit të Kuq”.


Sigal