Kongresi i Mjeksisë së Urgjencës/ Ministrja Manastirliu: Urgjencë moderne dhe rritje pagash. Prof. Edmond Zaimi: Forum dhe trajnim për ide e praktika

178
Sigal

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu mori pjesë në Kongresin e 4-t të Mjekësisë së Urgjencës të vendeve të Evropës Juglindore, që po zhvillon punimet në Tiranë, ku mjekë e ekspertë nga vende të ndryshme po shkëmbejnë praktikat më të mira mjekësore, për të folur për investimet dhe vëmendjen e posaçme të qeverisë shqiptare për të vijuar transformimin e pandalshëm të urgjencës mjekësore në territor.

Ministria e Shëndetësisë në një reagim në faqen zyrtare pas suksesit të Konferencës me mjekët, bëri gjithashtu me dije se: Pas rritjes + 50 mijë lekë të pagave për mjekët specialistë, mbështetja për ekipet mjekësore, që janë shtylla kurrizore e sistemit tonë shëndetësor, do të vijojë me planin 2-vjeçar të rritjes së pagave si dhe iniciativat financiare përmes autonomisë spitalore.


 

Prof. Asoc. Edmond Zaimi: Forum dhe trajnim për të shkëmbyer përvoja, ide dhe praktika

Këtë vit Shoqata Shqiptare e Mjekësisë Urgjente pret edicionin e katërt të Kongresit të Mjekësisë së Urgjencës të vendeve të Evropës Juglindore në Tiranë.

Në kuadër të këtij edicioni, u  mundësua një trajnim, që bëhet për mbështetjen e avancuar të jetës për të gjithë mjekët e sistemit të urgjencave mjekësore kryesisht, por edhe për mjekët e tjerë që punojnë në shërbimet spitalore, shërbimet paraspitalore. Është një kujdes i avancuar për të sëmurët për të parandaluar arrestin kardiak, për të mos lejuar të sëmurin të shkojë në arrest kardiak, ose për të trajtuar arrestin kardiak dhe kujdesin pas arrestit kardiak. Gjithashtu edhe gjëndje shumë të rënda që mund të çojnë në arrest kardiak.

Është hera e parë që organizohet ky kurs trajnimi në Shqipëri nga Shoqata Shqiptare e Urgjencës Mjekësore, në bashkëpunim me Euglenin.

Kursi 2 ditor u zhvillua me trajner të huaj dhe është e çertifikuar nga CPR, që është çertifikatë evropiane e njohur kudo në Evropë. Trajnimi vjen në ndihmë për pasqyrimin e  të gjithë shërbimeve të urgjencës, kryesisht për sëmundjet, që çojnë në arrest kardiak dhe ndihma e kualifikuar, që jepet në të tilla situatë.

Kryetari i shoqatës Prof. Asoc. Edmond Zaimi më herët theksoi se : “Ne jemi shumë mirënjohës për bashkëpunimin e çmuar të shoqatave mjekësore të urgjencës të Bosnje-Hercegovinës, Bullgarisë, Kroacisë, Greqisë, Hungarisë, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Serbisë, Sllovenisë dhe Turqisë (EMAT). Dëshiroj të falënderoj në mënyrë specifike EUSEM për besimin dhe mbështetjen e tyre.

Është përmes përpjekjeve të përbashkëta, si ky kongres, që mjekësia e urgjencës do të forcohet dhe rritet. Ne ofrojmë një forum për të shkëmbyer përvoja, ide dhe praktika trajnimi, për të përmirësuar kapacitetet tona dhe për të fituar njohuri të mëtejshme në mënyrë që të përgatitemi për t’u përballur me sfidat e së ardhmes.