Kongresi i Lushnjës, ngjarje historike me rëndësi kombëtare

7531
Nga Sokrat Ndreçka
Më 21 janar 2018 mbushen 98 vjet nga dita kur u mbajt Kongresi Historik Kombëtar i Lushnjës. Është një nga ngjarjet më madhore në jetën e kombit të shqiptarëve. Mund të themi me plot gojën se, mbas ngritjes së flamurit nga patrioti dhe atdhetari i madh Ismail Qemali në Vlorë në vitin 1912, Kongresi i Lushnjës është ngjarje historike, që miratoi aktin kushtetues për pavarësinë e plotë të vendit dhe mori vendimin solemn për formimin e qeverisë së parë demokratike, duke shënuar një kthesë të madhe në jetën politike dhe moderne në Shqipëri. Në kuadër të kësaj veprimtarie të shënuar në historinë e kombit tonë, Bashkia dhe institucionet vendore në Lushnjë kanë organizuar veprimtari të shumta patriotike, kulturore, atdhetare, edukuese në të gjithë nivelet e përfaqësimit në publik të tyre. Kanë qenë të shumta vizitat e organizuara nga nxënësit e shkollave, grupe shoqërore, të ardhur e të ftuar nga rrethe të ndryshme të vendit në Shtëpinë Muze “Kongresi i Lushnjës”. Njësia administrative Bashkia Lushnjë ka hartuar një program të detajuar kushtuar kësaj date simbol të Kongresit, program që do kulmojë me datën 19 janar. Është parashikuar që në qytetin e Lushnjës të organizohet Pritje e veçantë për të ardhurit që do marrin pjesë në festën e organizuar, do ketë veprimtari të veçanta në mjediset e Bashkisë, me familjarët e delegatëve që kanë marrë pjesë në Kongresin e Lushnjës. Pjesëmarrësit do vizitojnë Shtëpinë Muze të “Kongresit”. Në Qendrën Kulturore “Vaçe Zela” do organizohet veprimtaria përmbyllëse, ku pjesëmarrësit do kenë mundësi të njihen me një historik të shkurtër për rolin e madh që ka luajtur ky Kongres në jetën politike dhe administrative të vendit për atë kohë dhe më vonë. Kongresi i Lushnjës këtë vit nuk ka jubile, por ajo që duhet theksuar është se, ngjarje të tilla që shënojnë kthesa historike në jetën e një vendi, në jetën e një populli, meritojnë vëmendje nga organet e shtetit dhe qeverisë. Kongresi i Lushnjës kulmoi në një moment të rëndësishëm të jetës së vendit kur shumë shtete synonin copëtimin, ndarjen e trojeve të këtij vendi për ta zhbërë përfundimisht si shtet. Ishin momente shumë të rëndësishme kur duhej gjetur një vendim, duhej përcaktuar strategjia, kërkohej një zgjidhje, e cila do bënte të mundur që Shqipëria t`i shpëtonte kthetrave të shteteve shoviniste, të cilat po kurdisnin plane copëtimi dhe rrëmbimi, duke e hequr nga harta e gjeografisë Shqipërinë. Lëvizjet patriotike, patriotët e mëdhenj, që kishin informacione të hollësishme lidhur me planet për copëtimin e vendit, dhanë idenë gjeniale për bashkim, duke krijuar kështu frontin patriotik dhe atdhetar, ndaj fuqive të mëdha që ishin në prag të operacionit për ndarjen e Shqipërisë. Ngjarjet kishin një sfond të dukshëm për liri a vdekje të shqiptarizmës, vlerave thesare që kishin grumbulluar patriotët, njerëzit e zakonshëm të kësaj treve autoktone. Lëvizja patriotike u kombëtarizua, u mbështet nga burrat e kombit dhe shqiptarë të të gjitha niveleve. Lajmi se në qytetin e Lushnjës do mbahej Kongresi ishte sihariq dhe gëzim i pa përshkruar. Në qytetin fushor u mblodhën delegatë nga Berati, Dibra, Durrësi, Elbasani, Vlora, Gjirokastra, Korça, Shkodra dhe Malësi e Gjakovës, gjithsej 54 delegatë. Në qytet kishte nisur puna për të përgatitur terrenin, ndërkohë jehona u përhap, se ky Kongres do i japë fund pushtimit dhe dhunës së ushtruar në këtë vend për shekuj me radhë. Vendimet e Kongresit ishin një hap i madh drejt botës moderne, ku Shqipëria do luante rolin e saj si shtet i pavarur, demokratik, por do kishte një status tjetër që e bënte atë më me prestigj dhe zërin e saj më të respektuar në mes ndërkombëtarëve, nuk do lejonte më të nëpërkëmbej, siç kishte ndodhur deri më tash. Kongresi mori shumë vendime të rëndësishme. Ndër më të rëndësishmit ishin:
 
• Zgjodhi kryesinë e Kongresit me kryetar Aqif Pashë Elbasanin; 
• Miratoi ligjin kushtetues ku sanksiononte sovranitetin e plotë të shtetit shqiptar; 
• Zgjodhi qeverinë me kryeministër, Sulejman Delvinën; 
• Zgjodhi këshillin e lartë të përbërë nga katër vetë që do luante rolin e kryetarit të shtetit; 
• Zgjodhi këshillin kombëtar i përbërë prej 37 vetë, që do të luante rolin e Parlamentit.

Jemi në 98-vjetorin e kësaj ngjarje të madhe historike, e cila meriton kujtesë të vlerave, të cilat janë pronë e shqiptarëve. Meriton më shumë vëmendje nga strukturat shtetërore e qeveritare, pasi Kongresi i Lushnjës nuk është vetëm i njerëzve të këtij qyteti me zemër të madhe. Ngjarja ka përmasat e jetës së një kombi dhe si e tillë promovimi në vazhdimësi i vlerave që kanë të bëjnë me shtetformimin, duhet të zënë më shumë vend në përditshmërinë tonë.
Sigal