Koncesioni, lejet e qarkullimit të mjeteve te privati

665
Jepen me koncesion lejet e qarkullimit të automjeteve
Zbulohet projekti që do t’ia heqë shtetit dhënien e “patentave” për automjetet dhe procedurën e regjistrimit të tyre
Disa prej shërbimeve të cilat deri tani janë menaxhuar nga Ministria e Transporteve dhe Infrastrukturës, pritet të ndahen dhe një pjesë e mirë e tyre të jepen me koncesion. Shërbimi i lejeve të qarkullimit të automjeteve do të jepet me koncesion. Burime zyrtare nga Ministria e Transporteve konfirmojnë se në këtë institucion ka mbërritur një ofertë e pa kërkuar nga një kompani që kërkon të marrë kontrollin dhe verifikimin e mjeteve përpara regjistrimit dhe më pas lëshimin e lejes për to. Aktualisht ky shërbim sot jepet nga Drejtoria e Transportit Rrugor. Një grup pune në nivel teknik është ngritur për të vlerësuar ofertën. Pjese e grupit është edhe Agjencia e Trajtimit të Koncesioneve. Baza ligjore për dhënien e këtij shërbimi te privati ka nisur që në tetor të vitit 2015-të, ku përmes një vendimi, Këshilli i Ministrave i dha të drejtë Ministrisë së Transportit që të përzgjedhë një firmë private, e cila do të licencohej për të bërë kontrollin përpara regjistrimit të mjetit. Burimet thonë se tarifa që firma ka propozuar do të jetë në të njëjtat nivele, ndërsa grupi i punës është drejt finalizimit të vendimit për t’i dhënë një përgjigje ofertës që ka ardhur. Agjencia e Trajtimit të Koncesioneve tha se është në pritje të vendimit të Ministrisë së Transporteve për hapjen e tenderit, i cili në këtë rast nuk pengohet nga urdhri i kryeministrit për bllokimin e prokurimeve publike, pasi aty nuk përfshihen koncesionet dhe format e tjera të Partneritetit Publik Privat. Qeveria “Rama” në mandatin e parë qeverisës ka dhënë disa shërbime me koncesion në Ministrinë e Transporteve dhe Infrastrukturës. Me koncesion është edhe kolaudimi i automjeteve, për të ardhur më pas tek disa nga parkimet. Të dy këto shërbime janë marrë nga privati për një periudhë të caktuar. Megjithatë, në mbyllje të procedurave, pritet të shihet edhe ndikimi që do të ketë ky vendim te tarifat që paguajnë qytetarët për regjistrimin e një automjeti. 

Shpejtësia, akset që vrojtohen me radar
Numri i aksidenteve rrugore në të gjithë vendin është rritur ndjeshëm. Kjo situatë rëndohet së tepërmi në muajt e verës, kur kemi mbingarkesë të akseve kryesore për shkak të sezonit të plazhit. Burime të Ministrisë së Brendshme dhe statistikat flasin se arsyet e shtimit të aksidenteve janë të ndryshme. Shpejtësia, mospasja e sinjalistikës në rrugë, mosnjohja e rrugëve nga një pjesë e emigrantëve, janë disa nga shkaqet. Ditët e fundit ka nisur një aksion nga Policia Rrugore. Mësohet se prej 10 ditësh Policia Rrugore po monitoron rrugët me radarë. Policia po përdor radarët normal për të matur shpejtësitë me të cilat lëvizin shoferët, por edhe radarë të fshehtë, ku gjoba të vjen në shtëpi. Gjatë ditëve të fundit janë vendosur më shumë se 500 gjoba, pikërisht për makinat që ecin me shpejtësi. Deri më tani radarët e fshehtë kanë dhënë efektin e tyre, pasi është ulur numri i aksidenteve. Por cilat janë rrugët që shoferët duhet të kenë kujdes, pasi ka radarë të fshehtë. Burime nga Policia për Shqiptarja.com bëjnë me dije se radarët janë vendosur në të gjitha rrugët që të çojnë në bregdet, sidomos në jug të vend. Ka radarë në rrugën Fier-Vlorë, Lushjë Fier dhe Durrës-Kavajë. Gjithashtu radarët janë vendosur edhe në rrugën Fushë-Krujë-Milot dhe përgjatë gjithë rrugës së kombit. Një tjetër aks i cili monitorohet me radarë është Tiranë-Elbasan, Tiranë-Gjiri i Lalëzit. Po kështu po monitorohen edhe akset Elbasan-Korçë dhe Fier-Gjirokastër. Në të gjitha këto akset shoferët duhet të tregohen të kujdesshëm për shkak se do të gjobiten. Në rast se pikaseni nga radarët e Policisë atëherë do gjobiteni duke filluar nga 10 mijë lekë të reja, deri në pezullimin e lejes së drejtimit. Në rast se radarët e fshehtë tregojnë shpejtësi tej normave të lejuara, atëherë gjoba do t’ju vij me postë në banesë, ose duhet të kontrolloni faqen online të Policisë së Shtetit. Shumica e akseve janë me shpejtësi deri në 90 km/orë, ndërkohë që shoferët duhet të kenë kujdes në rrugët e drejta, ku mendohet se janë vendosur edhe radarët e fshehtë. Të paktën deri më tani Policia Rrugore ka vendosur 1600 gjoba për shkelje të Kodit Rrugor, ndërkohë vetë uniformat blu po patrullojnë akset ku ka risk më të madh për aksidente, siç është rruga Fushë Krujë-Milot.

Rrugët ku ka radarë 
Fier-Vlorë
Lushnjë-Fier
Durrës-Kavajë
Fier-Gjirokastër
Fushë-Krujë-Milot
Rruga e Kombit
Tiranë-Durrës
Tiranë-Elbasan
Elbasan-Korçë
Sigal