Komuna Zerqan shpërdoron fondet për udhëtime turistike në Kroaci

911
Sigal

BULQIZË/ Gjatë aksionit që u bë për prishjen e bunkerëve dhe tuneleve në Komunën Zerqan në Bulqizë, u nxorën me mijëra ton hekur, por e gjithë kjo pasuri kombëtare sipas banorëve të zonës i përket vetëm kryetarit të komunës dhe askujt tjetër, sepse të gjitha lekët e shitjes së hekurit u përvetësuan nga ai. Por kjo nuk mbaron këtu, sepse sipas banorëve vjedhjet janë të shumta. E para nis me përvetësimin e lekëve të mbledhura nga banorët dhe biznesmenët e zonës për dy vëllezërit Petrit dhe Haxhi Dama që para 8 vjetësh iu dogj shtëpia. Fati i tyre i keq vazhdon edhe më tej, kur para disa muajsh i’u ra zjarr edhe në tunelin ushtarak, ku ishin strehuar. Sipas dy vëllezërve thuhet se u mblodhën rreth 70 milionë lekë të vjetra, të mjaftueshme për të ndërtuar shtëpinë, por ato lek nuk i morë asnjëherë. Duke vazhduar më tej sipas banorëve thuhet se kryetari i kësaj komune së bashku me shefin e financës, kanë ngritur një ndërtim pa leje duke ngushtuar edhe rrugën automobilistike që lidh Zerqanin me qytetin e Bulqizës. Madje në këtë komunë nuk u realizua dhe asfaltimi i rrugës së premtuar nga deputeti i zonës. Madje as rregullim i urës në Zall-Sopot nuk është bërë ende, ku kjo urë është jashtë funksionimit të rregullave teknik për lëvizjen e automjeteve. Banorëve u është premtuar edhe furnizimi me ujë i lagjes “Zall-Sopot”, por kjo nuk u realizua, sepse sipas banorëve ky fond u përdor për fushatën elektorale në favor të deputetëve që kandidonin. Tani së fundmi është premtuar nga kryetari i komunës një udhëtim turistik së bashku me të gjithë anëtarët e këshillit komunal në Kroaci. Sipas banorëve thuhet se udhëtimi do të kryet me lekët e vjedhura në mënyrë abuzive dhe me të drejtë ata shprehen se këto fonde duhet të ishin vënë në shërbim të komunitetit dhe jo t’u ofrohet relaks këshilltarëve komunal. Të vetmen gjë që ka bërë ky këshill është se kaloi fondin për asfaltimin e fshatit Godvijë, që u asfaltua para 3 muajsh, sepse ishte fshati i lindjes së kryetarit të komunës. / Luan Qafoku