Kompleksi 17 katësh te Liqeni, Gjykata e Apelit pezullon lejen e ndërtimit

611
Pezullohen për herë të dytë punimet për ndërtimin e kompleksit shumëkatësh në zonën poshtë digës së liqenit Artificial.
Gjykata Administrative e Apelit urdhëroi sot ndalimin e punimeve për këtë kompleks të nisur me leje të bashkisë së Tiranës. Vendimi është marrë nga trupa gjykuese e kryesuar nga Rilinda Selimi, ndërsa kërkesa ishte bërë ngë IKMT.
Ky vendim hedh poshtë një vendim të Gjykatës së Shkallës së Parë që i kishte dhënë të drejtë firmës të vijonte punimet pas pezullimit të bërë nga Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit.
Leja për ndërtimin e këtij kompleksi u dha nga Bashkia e Tiranës në gusht të vitit 2014, por 5 muaj më vonë, në Janar të 2015-ës, Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit konstatoi parregullsi dhe i konsideroi të pavlefshme dy vendimet e Bashkisë së Tiranës për ndërtimin e kompleksit me pesë struktura banimi e shërbimi, nga 1 deri në 17 kate dhe me 3 kate parkim nën tokë, në rrugën “Kristo Luarasi.
Urdhri i pezullimit i dhënë në janar nga Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit u ankimua nga firma ndërtuese në Gjykatën e Shkallës së Parë, e cila i dha të drejtë subjektit ndërtues të vijonte punimet.
Ky vendim u apelua sërish nga IKMT në Gjykatën Administrative të Apelit, e cila vendosi këtë të enjte të pezullojë punimet.
Kompleksi ndërtimor ngjalli debate të ashpra jo vetëm në skenën politike, por edhe në shoqërinë civile e cila protestoi pa reshtur kundër kthimit të hapësirave të gjelbra si sheshe ndërtimi.
Sigal