Kompania lider në bulmet feston 25 vjetorin e themelimit

840
Organizimi i një mbrëmje gala në ambientet e Hotel Rogner, ishte përzgjedhja e “LUFRA-a” për të falënderuar të gjithë ata që e kanë ndihmuar në “Rrugën e vet të qumështit” – siç i është referuar edhe vetë themeluesi i saj Z. Arben Ndreka. Ndër 300 të ftuarit e përzgjedhur me këtë rast nuk mungonin administratorët e fermave më të mëdha në vend, të cilët i ofrojnë kompanisë qumështin e tyre më cilësor, klientë dhe bashkëpunëtorë apo edhe përfaqësues të medieve kryesore në vend dhe personazhe VIP’ si Ermal Mamaqi, Robert Aliaj, Orinda Huta, Turjan Hyska etj, apo politikanë dhe deputetë nga fushat e bujqësisë dhe ekonomisë. Hapat e parë të kompanisë “LUFRA” nisën në një nga dhomat e shtëpisë ku prodhohej vetëm djathë i bardhë. Ndërsa me kalimin e viteve, themeluesit Antoneta Ndreka dhe Arben Ndreka e kanë kthyer “LUFRA-n” në kompaninë Lider në tregun e bulmetit me një teknologji moderne dhe bashkëkohore, e cila sot numëron mbi 200 punonjës. Gjate mbrëmjes kompania vlerësoi me çmime “Për kontribut të çmuar gjatë këtyre viteve” edhe dy punonjësit e saj më të vjetër, të cilët kishin mbi 20 vite që ishin pjesë e kompanisë. Emri “LUFRA” vjen nga bashkimi i emrave të dy djemve, Luisi dhe Franci, të cilët e quajnë “LUFRA-n”, një rrugëtim të pandalur që ecën vetëm përpara. “Në çdo ditë të jetës së vet ka qenë një kompani që ka sjellë produktin e bulmetit nga familja jonë te çdo familje shqiptare dhe do vazhdojë të jetë një kompani shqiptare që do sjellë produktin nga familja jonë në çdo familje shqiptare, ballkanase apo evropiane dhe globale”, tha Luisi.

“Vëllai im dhe unë jemi shumë krenarë që mbajmë emrin e kësaj kompanie të madhe dhe jemi entuziastë në zgjerimin e saj. Jam i lumtur që në këtë ditë, jo vetëm po festoj të kaluarën, por po mirëpres dhe të ardhmen”, tha Franci. 

Në këtë vit “të artë”, përveç pozicionit lider në tregun vendas “LUFRA” po synon eksportet jashtë vendit, për shkak të përbërësve natyralë dhe standardeve evropianë të cilësisë. Sigurisht, jo rrallëherë i janë dhënë goditje “poshtë rripit” nga konkurrentët, por vazhdimin e garës e përcakton vetë konsumatori, i cili, me sa duket, ka preferuar produktet dhe ngritur lart emrin e familjes Ndreka…
Sigal