Komisioni Evropian: Aksioni kundër informalitetit do të dobësojë konsumin e familjeve

517
Në raportin e vjeshtës për zhvillimet ekonomike në Europën Juglindore, publikuar këtë të enjte, Komisioni Europian thekson se masat e shpallura së fundmi nga qeveria për të luftuar informalitetin, kanë ndikuar besimin e konsumatorit, i cili do të jetë i tillë derisa situata të qartësohet. Masat për të luftuar informalitetit, efektet e së cilave me gjasë nuk përfshihen në planet afatmesme përbëjnë rrezik për buxhetin. Megjithatë vullneti për konsolidimin fiskal mbetet i fortë-thuhet në raport, i cili thekson se pasiguria është rritur edhe nga zhvillimet ekonomike në Greqi, duke patur parasysh edhe reminitancat nga emigrantët. Por komisioni parashikon se aktivitetit ekonomik i vendit do të forcohet gradualisht, teksa pritet dhe rigjallërim i ciklit të investimeve. Të ardhurat buxhetore në vitin 2015 janë zhgënjyese, por konsolidimi fiskal mbetet plani kryesor i qeverisë në gjysmën e parë të 2015-ës.

Të ardhurat nga taksat janë 7.4% më pak se objektivi, kryesisht për shkak të parashikimeve shumë optimiste më herët. Kjo shkaktoi një rishikim të buxhetit në korrik, kur objektivat e të ardhurave u ulën me 3.9%, përkundrejt kursimeve të konsiderueshme në pagesat e interesit dhe një shkurtim me 6.9% të shpenzimeve kapitale. Autoritetet nuk planifikojnë rritje të mëtejshme të taksave në këtë fazë, por do të mbështeten në frenimin e shpenzimeve për të arritur qëllimin e tyre për të çuar borxhin publik në një trajektore rënëse-thuhet në raport.

Ndërkohë që në një tjetër raport të publikuar po këtë të enjte nga BERZH ulet parashikimi për rritjen ekonomike në Shqipëri, në nivelin 2.3%, nga 2.5% që deklaroi një ditë më parë guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko. Në raport vlerësohet lufta kundër informalitetit, por theksohet se këto përpjekje duhet të japin rezultate afatgjata. Ndër të tjera, thuhet se sfida fiskale mbetet e rëndësishme dhe se qeveria po lufton për të arritur objektivat e arritura nën programin e FMN-së. Ekonomia shqiptare ka përballuar me sukses ndikimin e përmbytjeve në shkurt të këtij viti, thekson raporti, i cili paralajmëron se kriza e refugjatëve do të ndikojë në ekonominë shqiptare, por edhe atë të vendeve të rajonit. Refuzimi i kërkesave për azil dhe kthimi i azilkërkuesve do të tkurrë ekonominë rajonale.
Sigal