Komisionet në sigurimin e detyrueshëm u kufizuan me rregulloren e AMF , zbresin me 9% për 3-mujorin e parë 2022

84
Sigal

Hyrja në fuqi e Rregullores së miratuar nga AMF “Për komisionet e ndërmjetësimit”, e cila përcaktonte se nga data 1 janar 2022 komisioni i ndërmjetësimit nuk mund të ishte më i lartë se 20% e primit të shkruar bruto për produktet e sigurimit të detyrueshëm, ka sjellë menjëherë impakt me ulje të ndjeshme të komisioneve në tregun e sigurimeve.

Komisionet e ndërmjetësimit janë pagesat që shoqëritë e sigurimit u japin agjentëve të tyre ose brokerave (ndërmjetësve) në rastet e shitjes së policave (kontratave) të sigurimit.

Bazuar nga të dhënat teknike dhe financiare, të raportuara nga shoqëritë e sigurimit, për tremujorin e parë të vitit 2022, rezulton se komisionet e ndërmjetësimit për sigurimin e detyrueshëm motorik (TPL, kufitare, Karton Jeshil) kanë zbritur në një mesatare tregu prej 18.5%, ndërkohë që për të njëjtën periudhë të vitit të kaluar këto komisione ishin në masën 27.5%. Ndërkohë mesatarja e viteve të fundit për këto komisione, përpara kufizimit të tyre me rregullore nga Autoriteti, ishte në masën rreth 28%.

Rregullorja sanksionon gjithashtu se duke nisur nga janari i vitit të ardhshëm, komisionet e ndërmjetësimit për produktet e sigurimit të detyrueshëm do të zbresin më tej, pasi ato nuk duhet të jenë më shumë se 18% e vlerës së primit të shkruar bruto. Megjithatë, një pjesë e shoqërive të sigurimit kanë nisur të aplikojnë që në muajt e parë të vitit 2022 komisione më të ulëta për agjentët ose brokerat.

Gjithashtu, shënohet një rënie edhe sa i përket shpenzimeve të marrjes në sigurim, ku përfshihen edhe komisionet e ndërmjetësimit. Rezulton se për tremujorin e parë të vitit 2022, mesatarja e shpenzimeve të marrjes në sigurim për tregun e Jo-Jetës, për produktet e sigurimit të detyrueshëm motorik, është 24.2% e primeve të shkruara bruto. Për të njëjtën periudhë të një viti më parë mesatarja ishte 32.5 e primeve të shkruara bruto në sigurimin TPL, Karton Jeshil dhe Kufitare.

Ashtu siç parashikohej, kufizimi i komisioneve të ndërmjetësimit me rregullore, ka sjellë ulje të shpenzimeve të marrjes në sigurim për shoqëritë e sigurimit, për pasojë edhe një administrim më të mirë të burimeve të tyre financiare.