Komisioneri i konkurrencës Koço Broka e ka cilësuar “aferë korruptive” shitjen e 4 HEC-ve tek “Kurum”

543
Sigal

Mjafton të mbajmë parasysh faktin, që një nga rekomandimet e Komisionit të Konkurrencës ka qenë ky: “Miratimi i tarifave të tregtimit të energjisë elektrike duhet bërë në mënyrë të balancuar dhe pa diskriminime, të cilat duhet të jenë të orientuara drejt kostos mesatare të ponderuar të ofertës së energjisë, duke marrë në konsideratë si koston mesatare të importit ashtu dhe të prodhimit “, nuk janë marrë në konsideratë

Kompania “Kurum”, ka përfituar shumë pjesë të ekonomisë shqiptare, madje edhe të pasurive strategjike kombëtare, të cilat i ka blerë nga “duar të pista” të shtetit shqiptar, nëpërmjet pazaresh “të pista” jo vetëm si vlerë lekësh minimale e qesharake, por edhe si procedurë e dosje me dokumente fallco! Sot, po i rikthehemi skandali-krimit shtetëror të shitjes së 4 HEC-ve Bistricë 1 e 2 dhe Ulëz e Shkopet, të përfituar po me makinacione letra fallco prej firmës turke “Kurum”. Po publikojmë pjesë nga raporti përfundimtar i Autoritetit të Konkurrencës, ku anëtari i këtij autoriteti zoti Koço Broka, ka refuzuar të firmos si “të rregullt” raportin e verifikimit të shitjes së 4 HEC-ve, duke depozituar argumentet e tij për këtë shitje me krim ekonomik, financiar e shkresor zyrtar, që shteti bëri së bashku me firmën “Kurum” por edhe të falsifikimit të dokumenteve të dosjes.

Si u shitën 4 HEC-et dhe cilat janë abuzimet…

Në mbledhjen e datës 30. 04. 2013, Autoriteti i Konkurrencës ka diskutuar lidhur me miratimin përfundimtar si autoritet vendim-marrës përcaktues, për të dhënë miratimin për shitjen e 4 HEC-ve për llogari të shoqërisë turke “Kurum” e cila në 15 vitet e fundit, ka shtrirë “tentakulat” në gjithë stektorët strategjikë të ekonomisë shqiptare, duke i “përlarë” ato me privatizime e koncesione të dhëna me procedura të paligjshme, me afera dhe me dosje të falsifikuara e të me mangësi. Një nga privatizimet strategjike që ka bërë “Kurum”, që ka krijuar një skandal të shoqëruar me “duel” mediatik, shtetëror e politike, janë edhe 4 HEC-e, ish-pronë shtetërore shqiptare, por të shitura për kompaninë “Kurum”… për “1 copë bukë”, siç kanë dhënë alarmin edhe ekspertët e ish-opozitës, sot titullarë të lartë deri me poste ministri e drejtues të sektorit të menaxhimit energjetik në qeverinë aktuale, duke denoncuar çmimin e ulët të shitjes dhe aferat e bëra më këtë privatizim. I vetmi ekspert i ngarkuar nga Autoriteti i Konkurrencës për të hartuar vlerësimin e këtij privatizimi ishte eksperti/komisioneri Koço Broka. Raporti i tij, ishte kundër shitjes së HEC-ve, sipas këtyre argumenteve të tij prej eksperti: “Lidhur me Vendimin e Komisionit të Konkurrencës Nr.281, datë 30.04.2013 “Mbi Autorizimin e përqendrimit të realizuar nëpërmjet përftimit të kontrollit të vetëm të Hec Ulëz Shkopet nëpërmjet transferimit të 100% të aksioneve të kësaj të fundit nga shoqëria Kurum International Sh.a” dhe Vendimin e Komisionit të Konkurrencës Nr. 282, datë 30.04.2013 “Mbi Autorizimin e përqendrimit të realizuar nëpërmjet përftimit të kontrollit të vetëm, të HEC-ve “Bistrica 1-2”, nëpërmjet transferimit të 100% të aksioneve të kësaj të fundit nga shoqëria “Kurum International Sh.a”, kam mbajtur qëndrimin KUNDER me arsyetimin e mëposhtëm.
Tregu i gjenerimit dhe tregtimit të energjisë elektrike, ka qenë objekt i shqyrtimit dhe vendim-marrjes së Komisionit të Konkurrencës, disa herë, duke mbajtur një qëndrim të qartë për promovimin dhe realizimin e konkurrencës në këtë treg. Qëndrimi i mbajtur mbi bazën e hetimit të përgjithshëm në sektorin e energjisë, pjesa e energjisë elektrike, nëpërmjet vendimit Nr. 90, Datë 07.10.2008 “Disa rekomandime për liberalizimin dhe rritjen e konkurrencës në sektorin e energjisë elektrike” ka konsistuar midis të tjerash”:
1) Respektimi i nenit Nr. 69 të Ligjit Nr. 9121 “Për mbrojtjen e Konkurrencës” për të marrë në kohë dhe para miratimit të akteve vlerësimin nga ana e Autoritetit të Konkurrencës.
2) Në treg duhet të Funksionojë Operatori i Furnizimit me Shumicë dhe të hapet dhe/ose të rritet konkurrenca si në tregun e prodhimit ashtu dhe në tregun e furnizmit me shumicë dhe pakicë me energji.
3) Përfshirjen e sa më shumë bizneseve si klientë dhe konsumatorë jo tariforë dhe furnizues jo tariforë.
4) Miratimi i tarifave të tregtimit të energjisë elektrike duhet bërë në mënyrë të balancuar dhe pa diskriminime, të cilat duhet të jenë të orientuara drejt kostos mesatare të ponderuar të ofertës së energjisë, duke marrë në konsideratë si koston mesatare të importit ashtu dhe të prodhimit.
5) Furnizuesi me shumicë dhe operatori i sistemit të shpërndarjes duhet të marrin të gjitha masat për të përmbushur detyrimet e kontratës së shitblerjes së energjisë elektrike të lidhur me prodhuesit e vegjël. Të monitorojë furnizuesin me shumicë dhe operatorin e sistemit të shpërndarjes që të marrin masat për të përmbushur detyrimet e kontratës së shitblerjes së energjisë elektrike lidhur me prodhuesit e vegjël. etj. Ndërsa me Vendimin Nr. 159, datë 19.11. 2010 të Komisionit të Konkurrencës”, “Për disa rekomandime për rritjen e konkurrencës në tregun e energjisë elektrike.”, në funksion të rritjes së konkurrencës në tregun e prodhimit dhe furnizimit me shumicë dhe me pakicë me energji elektrike, fillimisht konstatohet se:

Është shkelur ligji për konkurrencën dhe eficensën ekonomike

Në rastin e këtij privatizimi, firmës “Kurum” i është dhënë i plotë përfitimi dhe kontrolli i HEC-eve të Ulëz Shkopetit dhe Bistrica 1 e 2. Jemi përballë rastit të transaksionit, të tregtimit të tyre. Hidrocentralet e ndërtuar dhe për më tepër të rikonstruktuar kohët e fundit siç është rasti i Bistrica 1 dhe 2, kanë mundësi të pakta të rritjes së kapaciteteve pas privatizimit. Një karakteristikë tjetër e këtij transaksioni është, se shitja nuk ka ndodhur në anomali e krizë tregu, por është bërë në një treg të rregulluar.
b) Metodat kryesore te rregullimit të çmimit në një treg të rregulluar sipas teorisë ekonomike janë:
1. Cost-Plus Regulation/ Rregullimi i kostos plus fitim normal Vendosjen e një çmimi të rregulluar që një firmë mund ta arrije duke llogaritur fillimisht koston e prodhimit (e duke lejuar për një nivel normal të fitimit) dhe pastaj përcaktimin e çmimit për të mbuluar këtë kosto të shtuar të fitimit.)
2. Metoda e dytë është Price Cap Regulation/ Rregullimi i çmimit “kapele”. Rregullatori vendos një çmim të cilin mund ta aplikoje ndërmarrja e rregulluar, i cili tejkalon vitin pasardhës. Nëse ndërmarrja ul kostot më tepër nga sa është parashikuar, atëherë mund të sigurojë fitime me të mëdha. Sidoqoftë gjatë zbatimit të këtyre metodave po sipas teorisë ekonomike edhe në vendet me ekonomi të zhvilluar, ekziston potencialisht sipas teorisë ekonomike ajo që quhet “Rreziku i kapjes se rregullatorit”. Mjafton të mbajmë parasysh faktin, që një nga rekomandimet e Komisionit të Konkurrencës ka qenë ky: “Miratimi i tarifave të tregtimit të energjisë elektrike duhet bërë në mënyrë të balancuar dhe pa diskriminime, të cilat duhet të jenë të orientuara drejt kostos mesatare të ponderuar të ofertës së energjisë, duke marrë në konsideratë si koston mesatare të importit ashtu dhe të prodhimit “, nuk janë marrë në konsideratë

Abuzimi me çmimet e shitjes, vlerë tepër e ulët në rparot me vlerën e HEC-ve

Për hidrocentralet private apo ato me koncesion nuk zbatohet e njëjta metodologji me ato të hidrocentraleve publike për përcaktimin e tarifave. Për këto të fundit sidomos ato me koncesion, çmimi i tyre nuk bazohet në të njëjtën metodologji me ato të kaskadës se Drinit, Ulëz Shkopetit, Bistrica nr 1 dhe 2. Për rrjedhojë, çmimi i hidrocentraleve me koncesion rezulton të jetë sa ose më i lartë se sa importi i energjisë elektrike. Mjafton të mbahet parasysh se në vitin 2004, çmimi i energjisë elektrike me koncesion ishte 4.21 lek/kë, dhe pas vitit 2008- të e në vazhdim për HEC-et e reja me fuqi të instaluar 15 MË ai arriti 9.3 lekë/kwh, kur tarifa e 4 prodhimit të energjisë elektrike nga HEC Bistrica 1, 2 për periudhën e tretë rregullatore (vitet 2012-2014), ishte parashikuar 2.2 lekë/kwh dhe për Ulëz Shkopet ishte parashikuar 2.72 lekë/kwh. Të dy këta operatorë për vitin 2012, kanë dalë me fitim normal. Por këtu lind pyetja tjetër: A realizohet në këtë transaksioni/përqendrim nëpërmjet përfitimit të kontrollit, alokimi me eficensë, optimaliteti, pra efiçenca “Pareto”? Siç dihet eficensa ekonomike realizohet në kushtet e asaj situate ku prodhimi, alokimi dhe apo konsumi mund të rritet, pa ulur prodhimin e një malli tjetër, pa rritur konsumin ose fitimin e dikujt në dëm të të tjerëve. Në pikën 3.5 të Formularit të Përqendrimit, shkruhet: “Përshkruani dhe argumentoni përfitimet që rezultojnë për konsumatorin pas realizimit të përqendrimit, në mënyrë të veçantë: (a) Rënien e çmimeve. Ndërkohë, sipas pikës 9 të Formularit, pala njoftuese duhet të deklarojë dhe kanë deklaruar se: “Njoftimi duhet të përfundojë me deklarimin e mëposhtëm që duhet të nënshkruhet nga ose në emër të të gjitha palëve njoftuese”
Pala ose palët njoftuese deklarojnë që, sipas njohurive dhe besimit të tyre të plotë, informacioni i dhënë në këtë njoftim është i vërtetë, i saktë dhe i plotë; se janë dhënë kopje të vërteta dhe të plota të dokumenteve të kërkuara nga Formulari. Të gjitha vlerësimet e dhëna identifikohen si të vërteta dhe janë vlerësimet e tyre më të mira të mbështetura mbi faktet dhe se të gjitha mendimet e shprehura janë të sinqerta. 

(vijon)

Përparim HALILI