Komandat sfidojnë urdhërat e Kodhelit

553
Prej afro 5 vitesh mbi 60 ushtarakë shërbimi dhe karriere që janë pjesë e Komandës së Rajonit të Elbasanit, nuk marrin lejet e zakonshme dhe punojnë 14 orë në ditë, duke shkelur mbi urdhërat e Ministres së Mbrojtjes Mimi kodheli. Situata aktualisht atje mbetet kaotike dhe prej disa muajsh ajo është thelluar duke krijuar probleme të reja që shqetësojnë ushtarakët e Mjekësit, Mengëlit, Labinotit dhe krejt pikëbazimeve e Rajonit Ushtarak të Elbasanit. Pavarësisht se ushtarakët kërkojnë vazhdimisht zbatimin e rregullores, por edhe të urdhërit të Ministres Kodheli sipas të cilit “urdhërohen Komandat e Rajoneve të japin sipas grafikut lejet e zakonshme”, duke se komandantët vartës nuk kanë ndërmend ta zbatojnë. Frika e largimit nga vendi punës, ashtu siç ka ndodhur edhe me dhjetëra ushtarakë para zgjedhjeve, i ka detyruar ata të mos flasin dhe të kërkojnë ndihmën e medias. Sipas një prej ushtarakëve “problemet tona kanë vite që mbeten pa zgjidhje, pavarësisht se i jemi drejtuar komandantit të Rajonit zotit Janaqi apo edhe kapiten Igli Kullës, të cilët vazhdimisht refuzojnë çdo kërkesë legjitime nga ne, ndërkohë që problemet tona nuk kanë fund, duke nisur nga mungesa e uniformës, apo shkelja e rregullores së reparteve duke hapur brënda tyre lokale ku shërbehen pije alkolike”. 
Kjo ka ndodhur dhe po ndodh në repartin ushtarak të Mengëlit, ku në kundërshtim me urdhërat e zonjës Mimi Kodheli, brenda territorit dhe fare ngjitur me godinën e Policisë Ushtarake funksionon kafeneja ku pihet raki gjithë ditën. Ushtarakët shprehen se “asnjëherë më shumë se këto vite nuk po shkelen rregulloret ushtarake, urdhërat e ministrit të Mbrojtjes dhe asnjëherë më shumë se tani ne nuk ndjehemi të diskriminuar, të harruar, dhe të keqpërdorur”. Rajoni Ushtarak i Elbasanit ka nën juridiksionin e tij reparte dhe pika ushtarake që nisin nga kisha katolike e qytetit, Labinoti, Mengëli, Mjekësi, Gramshi dhe shtrihen deri në Korçë, duke mos përjashtuar tunelet me municione dhe depot që mbushen dhe zbrazen për tu shitur nuk dihet se ku, duke përdorur për hamej gjithmonë ushtarakët. Ushtarakët prej disa ditësh kanë kërkuar takim urgjent për zgjidhjen e problemeve të tyre edhe me Gjeneralin Dylber Dorgjani, i cili mbulon në Ministrinë e mbrojtjes Rajonet Ushtarake të disa rretheve. 
Asnjëherë, asnjë nga titullarët e Ministrisë Mbrojtjes nuk ka marrë seriozisht në shqyrtim kërkesat e ushtarakëve të Elbasanit, por edhe kur ka patur tentativë nga ata për të kërkuar ndonjë të drejtë, pa mbushur javën kanë nisur largimet nga puna. Një prej ushtarakëve u shpreh se “kam 3 vjet që nuk marr uniformë, kam 5 vjet që nuk marrim lejet e zakonshme, dhe ikim dhe vijmë nga reparti me rrobat e shtëpisë, nuk është as etike dhe as ligjshme kjo gjë, plus që shkelet rregullorja ushtarake, edhe kur kemi hallet dhe problemet tona shëndetsore dhe familjare nuk na jepet sikur 24 orë leje, duke na paralajmëruar se “do të ikni nga puna”. Pikat ushtarake që ndodhen tek zonat e ullishtes dhe tek kisha katolike, nuk kanë roje prej disa muajsh, duke lënë në mëshirën e fatit objektet të cilat kanë nisur të pushtohen nga ata që i quajnë sot “pronat e tyre”. Ushtarakët e Rajonit të Elbasanit kërkojnë nga zonja Kodheli si Ministre e Mbrojtjes ndihmën dhe ndërhyrjen e saj për të normalizuar dhe sistemuar gjithçka në rradhën e efektivave që po trajtohen sikur të ishin ushtarakë të Afganistanit dhe jo Shqipërisë që aderon në NATO. Ata kërkojnë zbatimin e rregulloreve ushtarake dhe urdhërave të MM, nga Komanda dhe titullarët e saj, dhe kthimin e normalitetit në trajtimin e tyre dhe objekteve ushtarake që po shkatërrohen nga themelet sikur të mos kishin qenë kurrë aty. (Iilir Dyrmishi)
Sigal