Komandanti i Gardës ia ‘dorzon selinë’ të vëllait, Margariti i jep tenderin 10 mln euro për Teatrin, mbi truallin e Gardës

186
Sigal

 

Firma, “2 T” është bërë bashkë me disa firma të tjera dhe kanë garuar si një e vetme në këtë tender, duke eliminuar konkurrencën. Madje, ata rezultojnë se kanë marrë pothuajse të gjithë fondin limit, duke lënë rrugës vetëm disa qindarka.

 Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, ka firmosur fituesin e tenderit 10 milionë euro për ndërtimin e Teatrit të ri të Kukullave. Një investim i majmë, i cili do të ndërtohet në truallin aktual të Gardës së Republikës, në zonën pranë kodrave të Liqenit Artificial. Në krah të kësaj godine, do të ndërtohen objekte shumëkatëshe private, lejet e të cilave janë dhënë dhe kanë filluar ndërtimet.

Por, në këto radhë do të ndalemi te procedura e Margaritit, apo kopsitja e letrave në mënyrë të tillë që i gjithë fondi limit të shpenzohet. Po, nëse s’kanë asnjë frikë, përse bëjnë letra?! Përse nuk ia japin direkt oligarkëve apo firmave që qëndrojnë pas tyre?

BoldNeës.ka hulumtuar dhjetëra dokumente, ku rezulton se ndërtimi i kësaj godine do të bëhet në truallin aktual të Gardës së Republikës. Pak kohë më parë, me hir apo me pahir, komandanti i Gardës, Gramos Sako, ia “fali” truallin Bashkisë dhe disa individëve. Madje, rrafshoi ndërtimet dhe i hapi rrugën kullave shumëkatëshe. Por, a ka pasur ndonjë përfitim Gramos Sako?!

Në emrin e tij jo! Por, koha kaloi dhe në “skenë” del emri i firmës “2 T”, e cila është fituese e tenderit për ndërtimin e Teatrit të ri të Kukullave. Sipas dokumenteve në Qendrën Kombëtare të Biznesit, firma “2T” shpk administrohet nga Artan Sako, i cili është vëllai i Gramos Sakos, komandant i Gardës.

Kjo firmë, “2 T”, sipas dokumenteve që disponon, është bërë bashkë me disa firma të tjera dhe kanë garuar si një e vetme në këtë tender, duke eliminuar konkurrencën. Madje, ata rezultojnë se kanë marrë pothuajse të gjithë fondin limit, duke lënë rrugës vetëm disa qindarka.

Fondi limit i tenderit ka qenë plot 1.035.362.461 lekë pa TVSH, ose me TVSh rreth 10 milionë euro. Objekti i tenderit është “ndërtimi i një objekti/qendre të re multifuksionale në funksion të së ardhmes së edukimit artistik të fëmijëve në kryeqytet, pranë qendrës Kombëtare të Kulturës për Fëmijë dhe Teatrit të Kukullave”, ndërsa kohëzgjatja e kontratës është 24 muaj.

“Me anë të këtij njoftimi ju informojmë se, në këtë procedurë kanë marrë; 1. BOE “K.A.E.XH.”, “BE – IS” , “2 T”, “RGR GROUP” me vlerë 1.000.449.285 lekë”, thuhet në këto dokumente. Pra, ka qenë vetëm 1 ofertë, e cila doli edhe fituese.

Por, lexoni pak me vëmendje kush doli fitues: kompania “2 T”. Nga njëra anë vëllai i dha truallin Bashkisë dhe Ministrisë. Dhe nga ana tjetër Margariti e “shpërblen”, duke e shpallur fituese firmën e vëllait të komandantit të Gardës së Republikës, duke ngritur hije të mëdha dyshimi për një konflikt të pastër interesi.

Në fund të muajit gusht 2022, publikoi një investigim, ku shembja e godinave të Gardës së Republikës, i hapi rrugë ngritjes së kullave shumëkatëshe, projektet dhe ndërtimet e të cilave kanë filluar. Në atë zonë janë shfaqur maketet e para të kullave, ku në atë pronë, e cila ka qenë deri para pak kohësh publike, do të ndërtohen hotele luksoze dhe godina banimi.

Në zonë do të ndërtohet Teatri i Kukullave, ku godina ka 1 kat nën tokë dhe 8 kate mbi tokë. Por, në dokumentet shoqëruese të këtij Teatri, Ministria e Kulturës, ka ilustruar se Teatri do të jetë në mes të dy kullave shumëkatëshe, për të cilat ka informacion se do të jenë hotele luksoze apo qendra tregtare. I gjithë synimi i pushtetarëve të tjerë kanë qenë pikërisht kullat dhe jo godinat publike, të cilat janë në këtë rast kamuflim. Sërish ngjitur me atë Teatër do të ndërtohet një tjetër kullë, për të cilën nuk ka informacione deri më tani se çfarë do të jetë.