Kom. i Medias nis procedurat për zgjedhjen e bordit drejtues të RTSH

546
Sigal

TIRANE – Komisioni Parlamentar i Medias nis sot procedurat për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të Këshillit Drejtues të Radiotelevizionit Shqiptar. RTSH-së, enti kryesor publik mediatik në vend, prej 3 vjetësh po funksionon me një këshill të vjetër drejtues, të cilit i ka përfunduar mandati, po ashtu edhe kryetarit të tij. E njëjta situatë është edhe për drejtorin e Përgjithshëm të RTSH-së, i cili prej më shumë se një viti ka dhënë dorëheqjen.

Neni 94 pika B i Ligjit për Median, thotë se në çdo rast nga 10 kandidatë për anëtarë të Këshillit Drejtues të Radio Televizionit Shqiptar, 5 duhet të mbështëten nga mazhoranca 5 nga opozita. Por opozita ndodhet në bojkot parlamentar prej muajit korrik dhe nuk është bërë pjesë gjithashtu e një tjetër procesi të rëndësishëm që ka të bëjë me median, sic është zgjedhja e kreut të ri të Autoritetit të Mediave Audiovizive. Ai pritet të zgjidhet këtë të enjtë në Kuvend mes 4 kandidaturave.

Ligji “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë” i miratuar në Kuvend në mars të këtij viti, përcakton funksionimin e Këshillit Drejtues së RTSH-së. Këshilli përbëhet nga kryetari dhe nga 10 anëtarë, të cilët zgjidhen nga Kuvendi për një periudhë 5-vjeçare, me të drejtë rizgjedhje vetëm një herë.

Anëtari i njëmbëdhjetë, njëkohësisht kryetar i Këshillit Drejtues, zgjidhet jo më vonë se 10 ditë pasi të ketë përfunduar procedura e zgjedhjes së anëtarëve të Këshillit. Në këtë post drejtues zgjidhet kandidati që merr më shumë se gjysmën e votave të deputetëve të Kuvendit.

Drejtori i Përgjithshëm i RTSH-së zgjidhet me votim të fshehtë nga Këshilli Drejtues për një periudhë 5-vjeçare ndërmjet jo më pak se 2 kandidaturave. Përzgjedhja e kandidaturave bëhet nga Këshilli.