Koha për transparencë dhe përgjegjshmëri!

618
Njëqind e njëzet e gjashtë vite më parë, Sami Frashëri do të shkruante librin e tij “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”, i cili u etiketua si traktati më i rëndësishëm me karakter politik e shoqëror, i Rilindjes Shqiptare. Flitej për çështjen shqiptare padiskutim….atdheu, kombi ishin çështja, por gjeniu, me veprën e vet dha një kumt….të vjetër sa malet: “të dish ku do të shkosh, duhet më parë të kuptosh ku je dhe nga vjen”. Çdo ditë, qeveritë shpenzojnë para për shërbime dhe infrastrukturë për qytetarët e tyre. Shuma të mëdha parash janë përfshirë në këto projekte. Çfarë ndodh nëse qeveritë nuk prodhojnë informacion të besueshëm dhe të krahasueshëm, mbi të cilin të bazohen gjatë vendim-marrjes, nga njëri vit në tjetrin? Po nëse ky informacion nuk është i plotë dhe nuk merr parasysh premtimet e sotme, por që duhen paguar nesër, siç janë psh pensionet ose ripagimi i borxhit? E kur një qeveri i mbështet vendimet e veta mbi informacion financiar të pamjaftueshëm, rezultati mund të jetë shkatërrimtar: shërbim publik i dobët! Manaxhimi i mirë financiar është esencial në këtë kontekst. E ky nis me informacion financiar të besueshëm, të kuptueshëm, të llogaritshëm dhe transparent, i cili:
1. Ofron një pamje të plotë të financimit të angazhimeve, tani dhe në të ardhmen;
2. Mundëson kryerjen e shpenzimeve në mënyrë të zgjuar
3. Forcon ekonominë, dhe më e rëndësishmja
4. Ndërton besimin te qytetarët
Kryetari i Bordit të Standarteve Ndërkombëtare të Auditimit, Hoogervorst, gjatë një konference të organizuar nga Komisioni Europian në vitin 2011 theksoi se, pa transparencë, nuk mund të ketë as besim dhe as përgjegjshmëri! Qeveritë që përdorin metoda të kontabilitetit mbështetur në parimin e lëvrimit të parasë, ose deri diku edhe të modifikuar, nuk mund të jenë transparente; raportimi i tyre domosdoshmërisht do të paraqesë vetëm një pjesë të pikturës së plotë. Si mundet një qeveri mos të dijë çfarë asetesh ka, sa vlejnë ato? Si mundet një qeveri mos të dijë sa është kosto e shërbimeve që ajo ofron për qytetarët e saj? Si mundet një qeveri mos të dijë vlerën e detyrimeve të saj? Metodat e raportimit financiar dhe buxhetimit, mbështetur mbi parimin e lëvrimit të parasë, nuk mjaftojnë që qeveritë të jenë të përgjegjshme me publikun e gjerë ose të lejojnë investitorët aktuale dhe potencialë të marrin vendime të mbështetura mbi informacion të saktë dhe transparent. E pikërisht mbi këtë bazë –lëvrimin e parasë – shumë qeveri ende vazhdojnë të raportojnë dhe buxhetojnë. Buxhetimi në vetvete është një mekanizëm i cili shpërndan burimet, ndërsa kontabiliteti është një proces i klasifikimit, regjistrimit, mbledhjes dhe analizës së përdorimit aktual të burimeve, nga njësia ekonomike. Ndërsa të dy proceset kanë objektiva relativisht të ndryshme, të dy janë të rëndësishëm në procesin e manaxhimit të qeverive. Në një aspekt më të përgjithshëm, ndërsa kontabiliteti merret me raportimin financiar të transaksioneve të ndodhura tashmë, buxhetimi është një mjet që parashikon të ardhmen e njësisë –pra deri diku parashikon pasojat fianciare të vendimeve të marra. Të buxhetosh do të thotë të kthesh planet në vlera monetare. Në këtë këndvështrim, sa më transparent të jete procesi i kontabilizimit dhe raportimit financiar, aq me fort do të shërbejë ai si mjet efektiv për buxhetimin. Është njëlloj si të marrësh vendime symbyllurazi –në rastin kur raportimi financiar nuk të ofron shumë, pa qenë i aftë të parashikosh pasojat e vendimeve të marra. Në një nga konferencat më të rëndësishme, të zhvilluara gjatë Majit, pranë Gjykatës Europiane të Audituesve, ku u ndjeva e priviligjuar që mora pjesë, z.Ian Ball –kryetar i CIPFA International dhe ish CEO i IFAC –një ndër mbrojtësit më të zjarrtë të kësaj teme, do të proklamonte: “Nuk ka ekselencë në kontabilitet, pa ekselencë në buxhetim dhe anasjelltas”. Nevoja për kontabilizim angazhimesh në sektorin publik tashmë është e njohur edhe nga PE, draft-rezoluta legjislative e të cilit mbi “Raportin mbi propozimin për një direktive të Këshillit sa i takon kërkesave për strukturën buxhetore të vendeve anëtare” përfshin: “vendet anëtare duhet të kenë sisteme kontabilizimi të mbështetura mbi baza angazhimesh, të cilat të mbulojnë të gjithë nën-sektorët e qeverisjes së përgjithshme, sic përcaktohet në Rregulloren e KE, Nr. 2223/96 (ESA 95). Këto sisteme duhet të jenë subjekt i institucioneve të pavarura të Kontrollit dhe Auditimi (Parlamenti Europian 2011)”. Gjithashtu direktiva 2013/34/BE, e PE dhe KE e përforcon edhe më fort këtë çështje të kontabilitetit financiar. Gjithashtu një iniciativë e rëndësishme qeverisëse, e cila rrit transparencën dhe llogaridhënien, është të kërkuarit për një auditim të pavarur të pasqyrave financiare të shtetit (Ball. 2012). Një tipar kyç i raportimit financiar në përputhje tashmë edhe me IPSAS–Standardet Ndërkombëtare të Kontabilitetit në Sektorin Publik- është që ky i fundit të sigurojë një bazë solide për një auditim të pavarur. Duke zbatuar metoda tradicionale, të mbështetura mbi parimin e lëvrimit të parasë, puna e audituesve shtrembërohet gjithashtu. Raportet e auditimit, duke mos pasur një bazë të shëndoshë të raportimit financiar, shpesh do te rezultojnë në opinione të modifikuara, me qëllime të limituara. E kur ndodh kjo, objektivi kyç i të kërkuarit të një auditimi –që është rritja e besueshmërisë të informacionit që raportohet nga audituesit, për të dhënë një opinion mbi saktësinë dhe besueshmërinë e këtij informacioni– venitet, humbet. Pra është ideale që sistemi i raportimit financiar dhe manaxhimit financiar të strukturohet në mënyrë të tillë që të mundësojë auditim të pavarur. Sot përgjigja është “raportim dhe buxhetim angazhimesh! Kontabilizimi dhe raportimi cilësor nuk është zgjidhja e të gjithë problemeve, por është mjeti i duhur për të përballuar sfidat e qeverisë në terma të vendimmarrjes dhe performancës. Implementimi i metodave të mbështetura në angazhime kërkon kohë. Për disa qeveri ky udhëtim ka kërkuar (ose/dhe kërkon) vite. Por në fund destinacioni e justifikon udhëtimin! Eksperienca të vendeve të tjera, tregojnë se kontrolli financiar mund të përmirësohet në mënyrë drastike. Kontabilizimi i angazhimeve tashmë është pranuar në këto vende, dhe po në këto vende nuk gjen më askënd që ta kundërshtojë ose të kërkojë kthimin mbrapa te metoda të mbështetura mbi parimin e lëvrimit të parasë.
Sigal