Kodheli takim me Forcat Tokësore në prag të stërvitjes “Biza-15”

594
Ministrja e Mbrojtjes, znj. Mimi Kodheli, e shoqëruar nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA-së, gjeneralmajor Jeronim Bazo, inspektoi sot Komandën e Forcës Tokësore në prag të stërvitjes “Biza-15”, e cila hap siparin e saj në fillim të javës që vjen.
Në fokusin e takimit që ministrja Kodheli pati me komandantin e Forcës Tokësore, gjeneralmajor Zyber Dushku dhe shefat kryesor të shtabit të kësaj Force ishin diskutimet rreth përgatitjeve që janë bërë për zhvillimin me sukses të stërvitjes fushore “Biza-15,” e cila do të startojë më 7.9.2015. Ministrja e Mbrojtjes Kodheli kërkoi informacion nga Komanda dhe Shtabi i FT për punën që është bërë dhe mangësitë e konstatuara gjatë procesit të planizimit të kësaj stërvitje, si dhe për masat që janë marrë për zhvillimin e saj.
Në brifingun e përgatitur me këtë rast që u mbajt nga komandanti i Batalionit të Dytë të Këmbësorisë, nënkolonel Edmond Sardi, ministrja Kodheli dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralmajor Jeronim Bazo, u njohën me masat e marra për stërvitjen, personelin e angazhuar në të, si dhe me qëllimin që ka kjo stërvitje e madhe fushore me pjesëmarrje të lartë trupash dhe mjetesh.
Me pas ministrja Kodheli së bashku me gjeneralmajor Bazon inspektuan trupat e Batalionit të Dytë të Këmbësorisë dhe panë nga afër përgatitjet e tyre për stërvitjen “Biza-15”. Në përfundim të këtij inspektimi, ministrja e Mbrojtjes Kodheli shprehu mirënjohjen për përgatitjen dhe përkushtimin e këtyre efektivave, si pjesë e repartit më elitë të Forcës Tokësore.
Në fund të këtij takimi, ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, priti një ekip trajnuesish të Regjimentit të “Welsh Guards” i Forcave të Armatosura Britanike, i cili do të dislokohet në Bizë dhe do të ndjek këtë stërvitje.
Sigal