“KM” libri i Ben Blushit që parashikoi ngjarjet në Afganistan. Rrëfimi i komandos shqiptar nga qyteti afgan, ku po përgatitej kryengritja e talebanëve

318
Sigal

Romani “Kryeministri” i shkrimtarit Ben Blushi, rrëfen historinë e një komandoje shqiptar, i cili lufton në Afganistan krah forcave amerikane, kundër talibanëve.

Ngjarjet që zhvillohen në shkurt të vitit 2020, në Herat, vijnë të rrëfyera në vetë të parë nga ushtari shqiptar që ndryshe nga çfarë ai mendonte për SHBA dhe luftën e saj në këtë shtet, përballet me indinjatën e popullit afgan dhe me një ideologji të panjohur antiamerikane.

Në këtë libër, botim i UET Press në vitin 2016, personazhi kryesor rrëfen se si bashkatdhetari i tij i quajtur Uinston Harasani, ishte bërë drejtuesi i lëvizjes “Otzi”, ose ndryshe organizata e popujve të zemëruar.

Në këtë rrëfim, ushtari shqiptar tregon se nuk iu desh shumë kohë të kuptonte që amerikanët, edhe pse e besonin, në të vërtetë nuk ia kishin dalë ta “shtronin” Afganistanin, duke zhdukur talebanët me ndihmën e një qeverie që kishin krijuar në Kabul.

Ndër të tjera, personazhi kryesor na njeh me qëllimin e organizatës Otzi, ose lëvizjes xhihadiste siç do ta quanin gazetat afgane, “që kishte për qëllim të nxiste rininë myslimane kundër pushtuesve amerikanë të Afganistanit”.

Otzi duhet të përsoste inteligjencën e të rinjve dhe përmes saj synonte kthimin e barazisë mes popujve.

Duke lexuar romanin e Blushit dhe lajmet e ditëve të fundit për situatën e krijuar në Afganistan, të duket se autori e ka parashikuar pesë vite më parë atë që po ndodh sot në këtë shtet. Ndonëse në libër ngjarjet tregohen për vitin 2020, pra 12 muaj para se të ndodhë realisht ajo që ne shohim dhe dëgjojmë sot!

Rënia e Afganistanit në duart e talibanëve pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës e deklaruan të mbyllur misionin e tyre ushtarak 20-vjeçar, është komentuar nga analistë të ndryshëm të huaj si një dështim.

Ndërsa libri flet për histori interesash të vendeve perëndimore ndaj shteteve të Lindjes, që shihen si popuj që “nuk kanë fibër dhe inteligjencë për të ndërtuar një të ardhme të denjë, që ngrihet mbi punën e ndershme dhe mbi dinjitetin njerëzor”.

“Histori që dëshmon se kanë qenë gjithnjë perëndimoret e panginjur me para dhe me perversitet, që kanë nxitur prodhimin dhe shitjen e opiumit të destinuar për tregjet e tyre të qejfit të cilat janë krijuar duke blerë seks dhe opium në dyqanin e lirë të Lindjes”, thotë ushtari shqiptar rebel në romanin e Blushit.

PJESE NGA LIBRI

HERATI JETONTE ME PARATE E USHTARVE QE BLININ USHQIME DHE GRA

Gjatë viteve kur amerikanët sulmonin talebanët nga ajri Herati ishte bombarduar, aq sa nëpër lagjet e periferisë ishte pothuajse e pamundur të hyje nga pirgjet e gurëve dhe mbetjeve, si dhe nga makinat e djegura që dukeshin si skelete metalike të zhveshur nga sytë, nga dhëmbët dhe lëkurët.

km-kryemini

Si çdo qytet i pushtuar, Herati ishte i ndarë në dy pjesë. Amerikanë dhe të tjerë. Amerikanët e shijonin qytetin ditën, afganët e jetonin natën.

Burrat dilnin natën nga shtëpitë dhe shkëmbenin para, mall ose barcaleta për amerikanët, ndërsa gratë lanin rrobat, shtëpitë dhe veten.

Nuk e di pse qyteti punonte më shumë natën. Ishte një zakon që u kishte mbetur nga ditët e vështira të bombardimeve ose edhe më parë, nga koha e talebanëve apo ndoshta edhe nga koha e rusëve.

Thoshin se ushtarët rusë kishin qenë përtacë dhe natën flinin pasi pinin shumë gjatë ditës dhe kështu ua linin të gjithë qytetin afganëve për ta shijuar.

Ushtarët amerikanë talleshin kur thoshin, se nëse do të shkosh me gratë e Heratit duhet të presësh të iki dielli nga qielli dhe jo burri nga shtëpia.

 Në të vërtetë për gratë e Heratit thuheshin shumë fjalë që nuk ishin vetëm sajesa të amerikanëve të shthurur, por kryesisht vinin nga vetë afganët që besonin se Herati ishte qyteti më liberal dhe poetik që kishin patur në histori, një vend ku gratë njiheshin për epshin dhe lirinë e tepruar, çka mund ta vërtetoje me shumë pak pará duke vizituar shtëpitë e kuqe të qytetit.

Ndërsa burrat e Heratit ishin paqësorë, pavarësisht se pak të ngathët. Dukej sikur përtonin të luftonin.

Amerikanët dhe ne të tjerët, që plotësonim numrin e domosdoshëm të ushtarëve të huaj në Afganistan, ishim kthyer në ekonomi.

Qyteti jetonte nga paratë që ne harxhonim duke blerë mish, ujë, ushqime dhe gra.

***

AFGANISTANI, VENDI KU ‘GATUHEJ’ IDEOLOGJIA E PANJOHUR ANTIAMERIKANE

Amerikanët besonin se përfundimisht ata e kishin shtruar Afganistanin, duke zhdukur talebanët me ndihmën e një qeverie kukull që kishin krijuar në Kabul. Megjithatë duhej të jetoje pak kohë nëpër provincat afgane për të kuptuar se kjo nuk ishte e vërtetë. Meqë gjatë shekullit të kaluar aty janë bërë eksperimentet më të mëdha ushtarake, Afganistani është vendi ku po gatuhet një ideologji e panjohur antiamerikane që, me sa kuptoj, po përhapet me shpejtësi edhe jashtë këtij vendi.

85bf2abd-aa7f-4792-a831-ca4b87e28df8

Unë mendoja se të ishe antiamerikan ishte një mëkat i padrejtë dhe i ndëshkueshëm. Në Shqipëri amerikanizmi ishte kthyer në një fe.

Qeveritë tona bënin gjithçka që mundeshin, për t’u pëlqyer amerikanëve dhe nëse dikush konsiderohej antiamerikan kjo ishte njëlloj si të quheshe heretik në Mesjetë. Mund të përfundoje pa punë dhe i damkosur keq si një njeri që nuk donte stabilitetin e vendit, drejtësinë dhe demokracinë, që vinte përtej oqeanit në formën e një reje, nga e cila ishte gabim të mbroheshe.

Amerika ishte një kontinent në të cilin nuk jetonim dot fizikisht, por shpirtërisht e ndanim me treqind milionë amerikanët e tjerë. Një nga oficerët tanë thoshte shpesh se Amerika ishte our second better home.

Shqiptarët mendohej se ishin populli më proamerikan jashtë Amerikës dhe mua më vinte mirë që isha njëri prej tyre. Ata paguanin rrogat tona, na ushqenin, na vishnin, na mësonin artin e luftës duke na bindur se edhe në Afganistan ne po luftonim për Amerikën. Tri ishin fjalitë që çdo ushtar duhej t’i dinte: Azia ishte nëna e frikës, Evropa ishte nëna e lirisë, ndërsa Amerika ishte nëna e demokracisë dhe meqenëse demokracia është një hap më i avancuar i lirive njerëzore ne duhej ta mbronim atë me jetët tona.

Kështu na mësonin në ushtri. Unë e doja Amerikën sepse nuk kisha asnjë arsye të mos e doja.

URREJTJA E AFGANEVE PER AMERIKANET

Urrejtja e afganëve për amerikanët ishte kthyer në një traditë. Tradhtarët ishin me Amerikën ndërsa heronjtë luftonin kundër saj.

Shumica e ushtarëve që shërbenin në Herat në të vërtetë nuk ishin amerikanë, por afganët nuk kishin më dëshirë të bënin dallime duke na klasifikuar të gjithëve si pushtues të huaj. Përfshi edhe ne shqiptarët.

OTZI KERKON QE BOTA TE JETE E LIRE TE VENDOSE, PA MODELIN AMERIKAN

I pari njeri që më foli kundër amerikanëve çuditërisht nuk ishte një afgan. Ishte një shqiptar.

Otzi kërkon që bota të jetë më e pavarur në zgjedhjet e saj duke përsosur mjetet e reagimit inteligjent.

Popujt e botës sot nuk janë të lirë të vendosin sepse modeli amerikan i pengon. Ky model është një perde e ngritur mbi ëndrrat e njerëzimit.

 Amerikanët kanë krijuar një mënyrë qeverisjeje e cila me ndihmën e ushtrisë, filmave dhe mediave të tyre po kthehet në të vetmen metodë që njerëzimi njeh dhe pranon sot. Gjithë popujt e globit detyrohen të jenë si amerikanët, por kjo nuk po e çon njerëzimin në liri por në monotoni historike.

Historia e njerëzimit vuan vetëm nga një sëmundje. Kur ajo është monotone dhe asgjë nuk ndodh, atëherë njerëzimi ngadalëson shpejtësinë e imagjinatës dhe nuk përparon.

Amerikanët kanë vendosur të na lënë pa imagjinatë dhe qysh se njeriu ka ecur për herë të parë mbi tokë, asnjëherë ai nuk ka qenë me i robëruar.

Ky është një lloj robërimi industrial që ka krijuar një perandori tregtare dhe koloni të saj gjithandej.

Asnjë perandori nuk i ka bërë kaq dëm botës, sepse fuqitë e tyre ishin të kufizuara. Perandoria Romake dhe ajo Osmane, apo ato kineze para tyre, kishin mundësi të dobëta teknologjike.

Nuk kishin internet, nuk prodhonin filma dhe nuk transportonin dot forcën e tyre me avionë supersonikë dhe raketa që kapin shpejtësinë e zërit.

Ata nuk e njihnin armën bërthamore dhe mundësitë për të ushtruar frikë te konkurrentët e tyre ishin të pakta. Amerika i ka të gjitha këto.

Ky është rreziku me i madh i njerëzimit sot: përhershmëria e forcës së Amerikës.

Amerika nuk na lë të imagjinojmë asgjë tjetër, sepse për gjithçka që kemi nevojë ajo na nxjerr përpara një shpikje që e ka bërë përpara se ne ta imagjinonim, duke marrë kështu përsipër të furnizojë çdo ëndërr të njeriut.

Amerika është një gomë për ëndrrat e të tjerëve dhe një parafabrikat për ëndrrat e veta. Çështja është se kjo mënyrë organizimi shtetëror është bërë e padurueshme, madje është skllavëruese, tha Otzi.

Unë kam vendosur ta krijoj Organizatën Transbotërore të Zemërimit Inteligjent për të ndërtuar një opozitë antiamerikane që nuk njeh kufij nacionalë, fetarë apo kontinentalë.

kabul aeroport

Mund të jesh shqiptar, japonez, afgan, rus, nepalez, peruan apo nigerian dhe të jesh pjesë e saj. Otzi është krijuar për të zëvendësuar OKB-në. Por në qoftë se OKB-ja është një organizatë shumëkombëshe, që merr përsipër të qetësojë popujt në dobi të interesave amerikane, Otzi është organizata e popujve të zemëruar, të cilët duhet të përsosin inteligjencën e tyre dhe përmes  saj të kthejnë barazinë mes popujve. Asnjë popull nuk duhet të ketë të drejtë të vendosë për një popull tjetër, pavarësisht nga madhësia, fuqia dhe pasuria e tij. Kjo do të jetë në thelb veprimtaria e Otzit.

ZEMERIMI INTELIGJENT

Otzi do t’i shpallë luftë Amerikës, e pyeta.

Otzi u ngrit në këmbë dhe duke më parë në sy pohoi me kokë. Nëse do të mundej sigurisht, përforcoi.

Megjithatë lufta e Otzit nuk do jetë klasike. Dua të them se Otzi nuk ka dhe ndoshta nuk do të ketë ushtri.

Duke u nisur nga pamundësia e mobilizimit të kaq shumë mjeteve financiare dhe militare që do të duheshin për të mundur Amerikën, Otzi do të përsosë mjetet e zemërimit inteligjent.

Çdo të thotë zemërim inteligjent, e pyeta unë.

Zemërimi inteligjent është aftësia e popujve për të kundërshtuar në mënyrë kolektive, pa luftë. Është një virus. Nuk është virus teknologjik si ata që përdoren për të shkatërruar kompjuterat, as një virus biologjik që synon të përhap epidemi. Otzi është një virus njerëzor. Është një thinking virus. Pra ai synon të prish mënyrën tradicionale të mendimit. Në thelb Otzi është një mënyrë të menduari. Zemërim Inteligjent do të thotë që në një moment të dhënë shumica e njerëzve apo kombeve të ndërgjegjësohen dhe të binden për rrezikun që u kanoset nga Amerika.

Në një kuptim Otzi është një kornizë mendimi.

Sot ka shumë popuj të zemëruar me Amerikën si rusët, kinezët, arabët, kubanët, gjermanët dhe nëse i numëron rezulton se shumica e popujve të botës nuk i duan amerikanët.

Atëherë si ka mundësi që kur të gjithë nuk e duan Amerikën e pranojnë pa u bashkuar me njëri-tjetrin. P. sh e ke menduar ndonjëherë se çfarë do t’i ndodhte Amerikës sikur askush të mos i blinte armët e saj.

VRASJET QE NXITEN NOTE PROTESTE NDAJ KOMANDES AMERIKANE

Gati një muaj pasi kisha biseduar me Otzin, një patrullë ushtarësh amerikanë u ndesh me një grup të rinjsh të armatosur në një shtëpi të vogël në periferi të qytetit. Të kapur në befasi, ngaqë prej kohësh besonin se në Herat ishte shuar etja për të vrarë amerikanë, ata ndërhynë brutalisht duke shkelur të gjitha rregulloret ushtarake që parashikojnë çarmatosjen dhe arrestimin e rebelëve dhe kësisoj vranë tre djem, bashkë me një vajzë që u gjend aty e grirë nga plumbat.

Gazetat e Heratit e konsideruan si tepër të ashpër dhe të pamotivuar vrasjen e katër afganëve, madje qeveria e Kabulit bëri një notë proteste ndaj komandës amerikane me shpresë se kështu do të qetësonte zemërimin e rinisë së qytetit që për tri ditë rresht doli në marshim përballë kështjellës së Aleksandrit të Madh në qendër të qytetit duke kërkuar largimin e trupave nga qyteti.

Ngjarja mori përmasa edhe më të mëdha kur u mor vesh se viktima ishte vajza e një kineasti të njohur afgan, i cili kishte bërë një dokumentar të dhimbshëm mbi përdhunimin masiv të grave afgane nga ushtarët sovjetikë në vitet 1980 duke i krahasuar këto akte pasioni të egër me një skenë të famshme urinimi që ushtarët amerikanë u kishin bërë disa kufomave talebane pas pushtimit të Afganistanit në vitin 2001.

Filmi quhej Gjuetia sovjetoamerikane në Afganistan dhe meqë kishte ngjallur shumë polemika politike i kishte mbushur kinematë e vendit më shumë se zakonisht.

Të shqetësuar se vrasja e civilëve mund të kthehej në normë, amerikanët kërkuan të analizohej si rast duke e konsideruar si tejkalim kompetencash faktin që patrulla i kishte vrarë rebelët e armatosur pa i rrethuar dhe pa bërë të gjitha përpjekjet e përshkruara imtësisht në manualet ushtarake që ata të dorëzoheshin.

Në kamp thuhej se vajza nuk ishte vrarë por pasi ishte dorëzuar nga tmerri, ishte përdhunuar dhe me sa duket ky thashethem kishte gjasa të ishte i vërtetë sepse ajo dukej gjysmë e zhveshur nga mesi e lart.

Në anën e majtë të gjoksit kishte disa viza të kuqe që duhet të ishin shenja thonjsh dhe diku poshtë qafës shkëlqenin shkronjat Otzi, të shkruara me gërma dore në bojë të zezë.

Për shkak të hutimit dhe emergjencës për ta mbyllur çështjen, asnjë nga hetuesit nuk u mor me tatuazhin dhe përmbajtjen e tij, ndërsa unë takova Otzin që atë natë dukej si i tretur.

E njihja, më tha duke e ditur se për çfarë do ta pyesja. Otzi shënoi viktimën e parë.

***

‘AMERIKA E KA FITUAR MADHESHTINE NGA VOGELSIRAT’

Nuk mund të pranoj se Amerika na mund sepse është më praktike se ne, tha Otzi, çka në përgjithësi nuk e kundërshtoj dot deri në fund.

Sigurisht që Amerika është një superfuqi praktike dhe shkathtësia për të shpikur makina dhe pajisje të vogla të përdorimit të përditshëm, ia ka rritur madhështinë.

Por pikërisht ky detaj përbën dhe dobësinë e saj të dukshme: Amerika e ka fituar madhështinë nga vogëlsirat dhe duke e marrë këtë si model, jo vetëm mund ta barazosh por edhe mund ta mundësh, në lëmin e zbulimit të shpikjeve meskine, të përdorimit shtëpiak, siç i quan ti.

Nëse të kujtohet, ditën e parë kur u takuam të kam thënë se kam trashëguar nga katragjyshi im, që u vendos në Tiranë, aftësinë për të prodhuar vegla të vogla që mund të shërbejnë për të kryer vepra të mëdha.

Otzi është një kuti e vogël, por nëse hyn në të gjitha mendjet e botës siç hyjnë çipat amerikanë në trurin e çdo kompjuteri, atëherë e ardhmja e gjithçkaje mund të marrë një drejtim tjetër.

Po përpiqem të bind edhe miqtë e mi afganë, se përmes Otzit mund të krijojmë një platformë mendimtarësh praktikë në të gjithë botën, të cilët të regjistrojnë sa më shumë shpikje, në dukje të parëndësishme, por njëkohësisht shumë praktike, të cilat do t’i bënin prodhimet amerikane të dukeshin po aq të pashijshme dhe të pavlera sa ç’duket naani krahasuar me një pirun plastik njëpërdorimësh.

Pse duhet të përdorësh pirunin në rast se ke naanin, dhe më tej akoma pse duhet të përdorësh grurin e thatë turk kur ke grurin e Khorasanit për të prodhuar vetë naanin, dhe nëse do të shkoj më tej pse duhet të përdorësh makinat amerikane për të transportuar drithin dhe miellin bashkë me bukën, kur mund të përdorësh makinat ruse, japoneze apo suedeze?

Ja pra që nëse ndjekim zemërimin inteligjent mund të krijojmë një popull virtual që duke qenë më i madh në numër se populli amerikan e barazon atë në fuqi, fillimisht përmes bojkotit dhe pastaj përmes shpikjeve të detyrueshme nga të cilat njerëzimi nuk do heq asnjëherë dorë për të qenë praktik.

‘LUFTA’ PER OPIUM?

Gjithçka që amerikanët të kanë thënë, sa i takon opiumit, janë broçkulla. Nëse ka një të vërtetë ajo është e provuar nga historia që dëshmon se kanë qenë gjithnjë perëndimoret e panginjur me para dhe me perversitet, që kanë nxitur prodhimin dhe shitjen e opiumit të destinuar për tregjet e tyre të qejfit të cilat janë krijuar duke blerë seks dhe opium në dyqanin e lirë të Lindjes.

Janë pikërisht anglezët dhe amerikanët, ata që kanë nxjerrë përfitimet më të mëdha nga opiumi prej gati dy shekujsh, duke detyruar kombet e botës së tretë, kinezë, afganë, indianë, vietnamezë dhe turq, të kultivojnë opium me paragjykimin e shpifur racist, se këta popuj nuk kanë fibër dhe inteligjencë për të ndërtuar një të ardhme të denjë, që ngrihet mbi punën e ndershme dhe mbi dinjitetin njerëzor.

Ky paragjykim fatal i trashëgueshëm, përgjegjës për të cilin është kolonizatori i parë i pashpirt i botës, Aleksandri i Madh, e ka ndarë botën në dy pjesë që prej afro 2000 vjetësh.

Në perëndimor dhe të tjerë.

Sikur Aleksandri të mos mendonte se Lindja duhet shfrytëzuar për kënaqësinë e Perëndimit, bota do ishte të paktën një mijë vjet përpara dhe kryqëzatat, bashkë me skllavërimin e Afrikës dhe përgjumjen e Kinës, nuk do kishin ndodhur.

Bota do ishte më e barabartë, më e drejtë dhe shumë më paqësore.

A e di kush e kontrollonte mbjelljen e opiumit në Kinën koloniale në shekullin e 19? Ishte British East India Company, një korporatë shtetërore britanike, ndërsa tregtia e opiumit ishte monopol shtetëror i varur drejtpërdrejt nga kurora mbretërore.

Epërsia e sotme britanike dhe franceze dhe pas tyre ajo amerikane, është ndërtuar mbi një mendësi koloniale sipas të cilës është e pranueshme, madje e domosdoshme, të shfrytëzosh popujt e vegjël për të ndihmuar popujt e mëdhenj, çka ka qenë një filozofi për shkak të së cilës miliona kinezë, myslimanë dhe afrikanë nga e gjithë Lindja dhe hemisfera jugore janë sakrifikuar duke mbjellë jo vetëm opium por edhe pambuk e sheqer dhe duke punuar si kafshë në minierat e arit, siç ka 67 ndodhur në Afrikën e Jugut.

A e di që janë bërë dy luftëra nga anglezët në Kinë, që kanë hyrë në histori si luftërat e opiumit? Në mes të viteve tetëqind, qeveria kineze e ndaloi prodhimin dhe përdorimin e opiumit, sepse gati 40 për qind e burrave kinezë ishin addicted dhe varësia e tyre u kthye në problem social. Kina ra në gjumë. Imagjino një miliardë njerëz që nuk punojnë por vetëm tymosin dhe flenë si të mpirë.

Kjo ishte vepër e drejtpërdrejtë e anglezëve. Por pas ndalimit të opiumit ata humbën tregun më të madh të botës dhe e sulmuan Kinën me urdhër të mbretëreshës Viktoria. Prodhimi i opiumit u rikthye me dhunë deri ditën që komunistët erdhën në pushtet.

Ky është i vetmi rast në histori, kur një shtet sulmon një shtet tjetër për t’i kërkuar që qytetaret e vet të kenë të drejtë të drogohen. A e di se çfarë ka ndodhur me opiumin në Afganistan?

Kur talebanët, që konsiderohen vrasës dhe terroristë, nga mediat perëndimore, e cila ka qenë vazhdimisht goma e historisë moderne, që është përdorur për të fshirë krimet koloniale nëpër botë, talebanët pra, këta djaj me çallma turke, me mjekra arabe dhe me kallashnikovë rusë, e ndaluan kultivimin e opiumit në Afganistan.

Në fund të regjimit të tyre, në vitin 2001, vetëm shtatë për qind e fushave afgane mbilleshin me opium apo me papaver somniferum, siç quhet në fjalorin botanik.

Talebanët e konsideronin krim mbjelljen e opiumit dhe nuk pranuan të marrin fitimet që vinin nga prodhimi i heroinës, duke djegur me mijëra hektarë tokë të mbjellë, duke dënuar me vdekje fshatarët që e mbillnin dhe duke vrarë mizorisht trafikantët.

Nëse do të kishin rendur pas fitimeve dhe nevojës për të blerë armë me paratë e heroinës, ata mund të ishin ende në pushtet, por e vërteta është se zgjodhën rrugën e kundërt dhe ndoshta dobësia e tyre erdhi dhe nga mungesa e financimeve dhe izolimi ndërkombëtar, që u privua nga furnizuesi kryesor i heroinës, që ishte tregu afgan.

Kur talebanet ikën, amerikanët e nxitën prodhimin e opiumit dhe sot më shumë se shtatëdhjetë për qind e prodhimit botëror del nga duart e pleqve dhe fëmijëve që ti vrave duke menduar se ata po bënin një krim të cilin në fakt e kishin legalizuar ata që të urdhëruan t’i vrasësh.

Gjatë regjimit taleban Afganistani e reduktoi prodhimin e opiumit në 70 ton në vit por a e di sa është sot?

Gjashtë mijë ton në vit, që mbillet në afro katërqind mijë hektarë në të gjithë vendin. Për kë punojnë këta njerëz të cilët marrin më pak se një dollar për një kilogram opium, që shitet njëzet mijë dollarë në Evropë?

DEZERTIMI NGA USHTRIA

Unë nuk jam më pjesë e ushtrisë shqiptare, tha Otzi. Nuk do kthehem më në kamp dhe ndoshta as në Shqipëri dhe nëse duan le të më quajnë dezertor apo terrorist. Kam vendosur të ndërroj ushtri, tha duke mbledhur krahët pas kokës. Nuk kishte asnjë dilemë në sytë e skuqur, ku lëviznin vetëm hijet e vendimeve që me sa duket kishte marrë shumë kohë më parë dhe tani po i ndiqte si një i verbër në errësirë. Herën e fundit që u takuam të thashë se kisha nisur të dyshoja se doktrinës së Otzit i mungonte diçka, që me ndihmën e miqve të mi afganë më në fund e gjeta. Ky ishte Islami, që pasi transformoi zemërimin inteligjent nga një shëtitje në një udhëtim, tani po me transformon dhe mua. Unë nuk jam më ushtar i Republikës së Shqipërisë dhe nuk i shërbej më asnjë ushtrie civile e cila ndërtohet mbi parimin e armiqësisë së kombeve.

Unë nuk i shërbej asnjë kombi. Jam një ushtar i paqes, që do të thotë se jam një ushtar i islamit.

Ai është kombi im, është gjaku im, është jeta ime. Prandaj kam pranuar që Islami mund të jetë edhe vdekja ime.

Në venat e mia të shpuara nuk ka vetëm heroinë por dashuri për islamin dhe urrejtje për perëndimin që më ktheu në një ushtar pushtues të atdheut tim të rigjetur.

Tani nuk jam më një shqiptar, nuk jam më një pers, nuk jam më një afgan, jam vetëm një mysliman.

Jam një anëtar i devotshëm i Organizatës Transbotërore të Zemërimit Islamik. Zemërimi inteligjent ishte laik dhe praktik prandaj ishte i dobët dhe i pamjaftueshëm. Me ndihmën e Allahut kam vendosur ta konvertoj në një zemërim hyjnor, prakticiteti i të cilit është përtej kufijve të shkencës dhe refuzimit të saj, bashkë me shpikjet e rëndomta që prodhon. Ti ke nderin dhe privilegjin ta njohësh i pari dhe të provosh mbi lëkurë ardhjen e tij të zhurmshme në botë.

Tani me dëgjo me vëmendje dhe kupto se nuk ke rrugë tjetër përveçse t’i bindesh zemërimit islamik që nuk do harxhojë më kohë për të bojkotuar kinkaleritë e shpikjeve amerikane, por është i vendosur të vrasë dhe të ndëshkojë këdo, në emër të mbrojtjes se parimeve të shenjta islame.