KLSH, zbardh “dosjen e zeze” në Ministrinë e Brendshme, tenderë klientelistë dhe fiktivitete në miliarda lekë

403
Drejtësia të veprojë, për të çuar përpara ligjit urdhëruesit dhe zbatuesit e praktikave abuzive në kupolën e institucionit që ka detyrë të luftojë krimin
Nëpërmjet një procesi ligjor e të rregullt akt-kontrolli të detajuar, të kryer në Ministrinë e Brendshme, KLSH ka zbardhur “dosjen e zeze” të krimit ekonomik, financiar që është lejuar, mbështetur dhe realizuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme, në lidhjet me tenderët klientelistë, me mbajtjen e llogarive financiare, me lëvizjen e punonjësve, me punësimet e punonjësve civilë, me tenderin e kamerave, me pagesat fiktive të pushimeve të punonjësve, me pagesat për proceset gjyqësore për punonjësit e larguar nga puna dhe me shumë abuzime të tjera, të kryera në bashkëpunim midis punonjësve vartës e shefave të sektorëve përkatës dhe komisioneve të vlerësimit të ofertave, po kështu edhe të urdhëruesve, duke krijuar dëme të shumta financiare dhe shkelje të rënda administrative, të cilat kanë krijuar kaos në zbatimin e ligjit. Ja disa nga faktet që ka zbuluar grupi auditivit i KLSH
Lejet e pakryera prej punonjësve, por të paguara
Nga auditimi i bërë prej KLSH, në veprimtarinë ekonomike-financiare dhe në administrimin e burimeve njerëzore në planin ekonomik financiar në Ministrinë e Brendshme, u konstatua se për vitet 2015-2016, janë kryer pagesa për kompensimin në vlerë të pushimeve të pakryera vjetore, të cilat në total arrijnë në shumën 7,928,669 lekë. Duke pasur parasysh faktin që moskryerja e pushimeve vjetore nga ana e punonjësve të policisë së shtetit lidhet ngushtësisht me ngarkesën në punë të punonjësve të policisë dhe njëkohësisht çdo punë e punonjësve të policisë (të çdo niveli) lidhet ngushtësisht me misionin kryesor të Policisë së Shtetit që është ai i ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike, Kontrolli i Lartë i Shtetit e konsideron si tepër të rëndësishëm mos diskriminimin financiar të çdo punonjësi policie pavarësisht nivelit, gradave, apo statusit të tij në strukturën organike të Policisë së Shtetit. Në këtë kuptim, çdo përcaktim ligjor apo nënligjor, i bërë në Ligjin nr. 108/2014, datë 37.07.2014 “Për Policinë e Shtetit”, në legjislacionin për shërbimin civil apo në Kodin e Punës, duhet të ruajnë të njëjtat parime të trajtimit financiar të çdo punonjësi të policisë për sa i përket kompensimit financiar të lejeve të pakryera vjetore (trajtuar në faqe 65-72 të Raportit të Auditimit).
Pagesat me Letër Kredi me vlerë mbi 789 milionë lekë
Nga auditimi i realizimit të buxhetit për periudhën e auditimit u konstatua se gjatë vitit 2015 dhe 8/mujorit 2016 është përdorur Letër Kredi për likuidimin e kontraktorëve të ndryshëm për blerjet e realizuara (investime dhe shpenzime operative) për Drejtorinë e Policisë së Shtetit. Konstatuam se përdorimi i LC (letër kredi, apo fondit të ngurtësuar në një bankë të nivelit të dytë deri në realizimin e kontratës) në këtë institucion, është bërë pas miratimit paraprak të Ministrit të Financave, për njësinë e varësisë QFMT, ku në secilin rast Nëpunësi Autorizues i kësaj njësie ka nënshkruar “Normat për kredinë dokumentare” me përfaqësuesin e V.. B. Pagesa me L/C është bërë për “Blerje armatimi”, “Blerje pajisje speciale”, “Mirëmbajtje për sistemin AFIS ARSENAL”, gjithsej në shumën 78,965,593 lekë, si më poshtë:

– Me urdhër shpenzimi nr. 276, datë 30.12.2015, në vlerë 21,153,600 lekë, është çelur Letër Kredi për llogari të Operatorit Ekonomik “A.. S..” shpk me seli në Tiranë për blerje armatimi, referuar kontratës së lidhur më datë 29.07.2015 dhe të amenduar më 30.12.2015, ku parashikohet lëvrimi i mallrave brenda dy muajve. Gjithashtu me këtë urdhër shpenzimi është bërë likuidimi i komisioneve të letër kredisë, në vlerë 126,922 lekë. 

– Me urdhër shpenzimi nr. 277, datë 31.12.2015, në vlerë 16,041,289 lekë, është çelur Letër Kredi për llogari të Operatorit Ekonomik “C..” sha, Kosovë, për blerje “Aparat Video spektral VCS 800 me aksesorë”, referuar kontratës së lidhur më datë 30.12.2015, ku parashikohet lëvrimi i mallrave jo më vonë se 95 ditë. Gjithashtu me këtë urdhër shpenzimi është bërë likuidimi i komisioneve të letër kredisë, në vlerë 96,246 lekë. 

– Me urdhër shpenzimi nr.278, datë 31.12.2015, në vlerë 33,018,744 lekë, është çelur Letër Credi për llogari të Operatorit Ekonomik “E.. R..” Francë, për blerje “Dron”, referuar kontratës së lidhur më datë 31.12.2015. Gjithashtu me këtë urdhër shpenzimi është bërë likuidimi i komisioneve të letër kredisë, në vlerë 198,112 lekë. 

– Me urdhër shpenzimi nr.182, datë 27.09.2016, në vlerë 8,751,9604 lekë, është çelur Letër Credi për llogari të Operatorit Ekonomik “P.. A.”, Rusi, me objekt “Mirëmbajtje për sistemin A A” referuar kontratës së lidhur më datë 28.06.2016. Gjithashtu, me këtë urdhër shpenzimi është bërë likuidimi i komisioneve të letër kredisë, në vlerë 53,892 lekë. Pra, është bërë likuidimi i komisioneve të letër kredisë në shumën 475,172 lekë. 

– Nisur nga sa cituam, konstatohet deklarimi i investimeve/shpenzimeve të pa kryera si të realizuara, fakt që cenon rëndë parimin kryesor të realizimit të buxhetit atë të anualitetit (trajtuar në faqe 11-28 të Raportit të Auditimit).
Vlerat e armatimeve të blera, pa asnjë pasqyrim në financat e Ministrisë
Nga auditimi i pasqyrave financiare konstatohet se, vlera e armatimit që përdor Policia e Shtetit, blerë me fonde buxhetore apo donacione, nuk pasqyrohet në evidencën kontabile të njësisë, ndërsa për evidentimin në sasi të armatimit në institucion gjatë vitit 2014 është ndërtuar sistemi SIMA, i cili mbahet nga Sektori i Armatimit, ku janë pasqyruar armatimet në sasi dhe përdoruesit e tyre, por edhe armatimi që disponohet nga subjektet tregtare private. Mbajtja në këtë mënyrë e armatimit është trashëguar ndër vite, duke ju referuar Rregullores së shërbimit të armatim-municionit të vitit 1990, ku regjistrimi dhe mbajtja e armatim-municionit ka qenë e klasifikuar sekret. Gjithashtu rezulton se, armatimi i vjetër mbahet vetëm në sasi pa vlerën përkatëse, duke bërë që të mos kemi një vlerë reale të armatimit në administrim të Policisë së Shtetit, veprime këto në kundërshtim me kërkesat e ligjit nr. 9228, datë 29.04.2004 “Për kontabilitetin”, i ndryshuar, Udhëzimit të Ministrisë së Financave nr. 14, datë 28.12.2006 “Për përgatitjen dhe raportimin e pasqyrave financiare vjetore të vitit 2006 për institucionet qendrore, organet e pushtetit vendor dhe njësive që varen prej tyre si dhe njësive të menaxhimit/zbatimit të projekteve e marrëveshjeve me donatorë të huaj”, Udhëzimit të Ministrisë së Financave nr.26, datë 28.12.2007 “Për disa shtesa e ndryshime në Udhëzimin nr. 14, datë 28.12.2006, Udhëzimin e Ministrit të Financave nr. 30, datë 27.12.2011 “Për menaxhimin e aseteve në njësitë e sektorit publik”, i ndryshuar (trajtuar në faqe 28-38 të Raportit të Auditimit).
Kontabiliteti është mbajtur manualisht
Nga auditimi konstatohet se kjo njësi, por dhe nga i gjithë sistemi i policisë kontabiliteti është mbajtur manualisht dhe pjesërisht në programin “exel”, pra nuk përdoren programe të mirëfillta financiare, çka mund të rrisë riskun e gabimeve dhe pamundësisë për të gjeneruar në kohë të dhëna për të ndihmuar menaxherët në vendimmarrjen e tyre për menaxhimin e burimeve financiare. Nga auditimi i pasqyrave financiare rezulton se, llogaria 429 “Personeli, debitorë” më 31.12.2015, pasqyrohet me një vlerë prej 307,416 mijë lekë. Në këtë llogari janë të evidentuar të gjithë debitorët e krijuar që nga viti 1997 e në vazhdim, dalë si rezultat i auditimeve dhe kontrolleve të ushtruara nga Drejtoria e Auditimit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Sektori i Auditimit në Drejtorinë e Policisë së Shtetit, KLSH-ja si dhe kontrollet e ushtruara nga drejtoritë e tjera në Policinë e Shtetit dhe nga vetë njësitë shpenzuese. Nga Drejtoria e Financave është hartuar database për të gjithë debitorët e krijuar ndër vite sipas njësive publike në varësi të Drejtorisë së Policisë se Shtetit. Është bërë një ndarje e debitorëve sipas periudhave të krijimit, duke evidentuar debitorët me pamundësi arkëtimi. Sipas të gjitha informacioneve të ardhura nga njësitë publike në varësi të Drejtorisë së Policisë së Shtetit, rreth 72% e debitorëve te krijuar, ose në shumë absolute 220,378 mijë lekë janë pa shpresë arkëtimi (trajtuar në faqe 28-38 të Raportit të Auditimit). Nga auditimi i pasqyrave financiari rezulton se, në llogaritë financiare “Stoku i letrave me vlerë të vendosjes” pasqyrohet vlera 577 mijë lekë, që përbën gjendjen e letrave me vlerë, konkretisht blloqe gjobash të rendit, të cilat kanë dalë nga qarkullimi e nuk përdoren nga kjo strukturë.
Sistemi i pagave, hartuar në shkelje të plotë të Ligjit Organik të Policisë së Shtetit 
Nga auditimi mbi strukturën dhe vlerësimi i sistemeve të pagave, konstatohet se, struktura është hartuar jo në përputhje me kërkesat e ligjit organik të Policisë së Shtetit, pasi për pozicione apo funksione pune janë përcaktuar dy grada. Në nenin 61 të ligjit “Përcaktimi i funksioneve për grade”, në pikën 2 thuhet: “Çdo funksioni i caktohet grada korrensponduese”, pra për një funksion nuk mund të ketë dy grada. Konstatohet, se edhe pse ligji ka hyrë në fuqi që në muajin mars 2015, akoma nuk ka dalë VKM përkatëse për miratimin e funksioneve korrensponduese për çdo gradë, çka do të rregullonte edhe problematikën e trajtimit të plotë të punonjësve me vjetërsinë në punë, e cila deri më tani është e pazgjidhur dhe me efekte negative për këta punonjës. Miratimi i funksioneve korrensponduese për çdo gradë është kërkesë e pikës 1 të nenit 61 të ligjit, ku shprehet: “tabela e funksioneve korresponduese për çdo gradë dhe kategorizimi i tyre përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave”. Me implementimin e strukturës së re konstatojmë se, për Aparatin e Drejtorisë së Policisë, përfshirë dhe Drejtorinë e Përgjithshme për Kufirin dhe Migracionin dhe atë të Krimit të Organizuar si njësi buxhetore më vete, ka pozicione apo funksione që mbahen nga punonjës me gradë më të ulët, por dhe pozicione që mbahen nga punonjës policie me gradë më të lartë (për të dy rastet ndryshimi është deri në dy grada. Trajtuar në faqe 58-71 të Raportit të Auditimit)).
Abuzimi/ 79 punonjës civilë, janë punësuar pa konkurrim 
Nga auditimi mbi strukturën dhe organikën e Policisë së Shtetit konstatohet se, deri në momentin e auditimit për 69 punonjës aktualë, të cilët referuar strukturës së miratuar kanë status “nëpunës civil”, për të cilët nuk janë zhvilluar procedura konkurrimi dhe nuk është marrë konfirmimi nga Departamenti i Administratës Publike, e për rrjedhojë këta punonjës akoma nuk janë përfshirë në regjistrin e këtij të fundit, nuk ka gjetur zbatim neni 39 “Statusi i punonjësve të policisë”, i ligjit nr.108/2014, datë 37.07.2014 “Për Policinë e Shtetit” ku përcaktohet se: “punonjësi i policisë është nëpunës civil, ndaj të cilit zbatohen dispozitat e ligjit për nëpunësin civil, për aq sa nuk parashikohet ndryshe nga ligji i posaçëm” (trajtuar në faqe 58-71 të Raportit të Auditimit). Në rregulloren e brendshme të institucionit, njësia ka miratuar përshkrimin e punës për çdo pozicion pune në institucion, apo procedurat standarde për të gjitha drejtoritë të miratuara nga Drejtori i Përgjithshëm që në vitin 2009, ku përfshihen detyrat që duhen kryer nga çdo strukturë por, me daljen e ligjit të ri të policisë së shtetit dhe miratimin e rregullores përshkrimet e punës nuk i janë nënshtruar rishikimeve dhe miratimeve për tu përshtatur me kërkesat e ligjit të ri, i cili duhet thënë se ka hyrë në fuqi që në muajin mars 2015 (trajtuar në faqe 58-71 të Raportit të Auditimit).
Transferimet e punonjësve, të pa pasqyruara në tatime
Nga auditimi për periudhën 01.01.2014 deri më 31.08.2016, konstatohet se për lëvizjet e personelit, si emërime, largime apo lëvizje paralele nuk është hartuar në kohë dokumentacioni e për rrjedhojë nuk është bërë deklarimi i punonjësve në organet tatimore konform kërkesave të Udhëzimit të Ministrit të Financave nr.23, datë 19.12.2014 “Për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore”, i ndryshuar, dalë në zbatim të ligjit nr. 9136, datë 11.9.2003 “Për Mbledhjen e kontributeve te detyrueshme të Sigurimeve Shoqërore dhe Shëndetësore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, të ligjit nr. 7703, date 11.5.1993 “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, të ligjit nr. 10383, datë 24.2.2011 “Për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, të ligjit nr.9920, datë 19.5.2008 “Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, si pasojë e deklarimeve me vonesë të punonjësve, në sistemin tatimor ndaj Drejtorisë së Policisë (Aparatit të Drejtorisë) aktualisht rezultojnë gjoba në shumën 780 mijë lekë (trajtuar në faqe 58-71 të Raportit të Auditimit).
Shpenzimet gjyqësore, për proceset e largimeve nga puna
Nga auditimi rezulton se, në vitet 2014 dhe 2015, si dhe 8/mujori i vitit 2016 janë kryer shpenzime për ekzekutim të vendimeve gjyqësore për largim nga puna të punonjësve të Policisë së Shtetit, gjithsej në 529 raste, në shumën 338,072 mijë lekë (nga fondet e çelura për borxhin për 139,009 mijë lekë dhe nga fondet e veta 199,064 mijë lekë), si detyrime të lindura e të trashëguara para vitit 2014, por dhe gjatë periudhës së auditimit, kryesisht për largime nga puna të punonjësve të Policisë së Shtetit por dhe për detyrime kontraktore. Këto detyrime do të rriten dhe gjatë vitit aktual, kjo jo vetën se gjatë ushtrimit të auditimit janë paguar e janë në proces edhe rreth 37 milion lekë detyrime, por janë procese të tjera gjyqësore për të cilët akoma nuk ë dalë vendimi i gjykatës. Kryerja e këtyre shpenzimeve, për detyrimin ndaj punonjësve dhe subjekteve të tjera në shumën 338,072 mijë lekë dhe e shpenzimeve përmbarimore në shumën 18,645 mijë lekë, përbëjnë përdorim pa efektivitet dhe eficiencë të fondeve buxhetore dhe që kanë rënduar padrejtësisht buxhetin e institucionit dhe atë të shtetit, pasi referuar një pjese të vendimeve gjyqësore, urdhrat për largimet e punonjësve nga puna janë nxjerrë në kundërshtim me dispozitat ligjore (trajtuar në faqe 115-119 të Raportit të Auditimit). 
Auditimi i brendshëm në ministri 
Sektori i Auditimit të brendshëm për vitin 2014, 2015 dhe 8-mujorin e vitit 2016, ka kryer auditime mbi bazë sistemi, kryesisht për sistemin e proceseve organizative, sistemin e programimit dhe zbatimit të buxhetit, sistemin e pagesave, sistemin e prokurimeve, sistemin e kontabilitetit dhe raportimit financiar, sistemi i krijimit dhe përdorimit të të ardhurave dytësore, si dhe sisteme të tjera sipas misionit dhe qëllimit të njësisë por, nuk ka trajtuar plotësisht funksionimin e sistemit të menaxhimit financiar dhe kontrollit të brendshëm. Nga kjo strukturë janë trajtuar elementë të veçantë të sistemit gjatë auditimeve të kryera në njësitë e varësisë. Nga verifikimi i dosjeve të auditimit të brendshëm, u konstatua se pas evadimit të materialeve të auditimit apo, të mbarimit të shërbimit operativ, dosjet e auditimit janë të inventarizuara, por të pa arkivuara, në kundërshtim me nenin 15, 30 të ligjit nr.9154, datë 06.11.2003 “Për Arkivat” (trajtuar në faqe 45-58 të Raportit të Auditimit). 
Shkelje të tjera në hartimin, lidhjen dhe zbatimin e kontratave për blerje mallrash 
Mallrat e furnizuar nga OE “Gj..” sh.p.k. dhe të pranuara/magazinuara në D P SH, nuk janë në zbatim nenit 6 “Kushtet e lëvrimit” të kontratës nr. 37/4, datë 17.11.2015 lidhur midis autoritetit kontraktor dhe OE “Gj..” sh.p.k. të vendosura në mbështetje të germës “b” dhe “c” të pikës 2.3 “kapaciteti teknik” të KVK të kërkuara nga AK. Nga verifikimi i mallrave të furnizuara nga OE “Gj..” sh.p.k. të pranuara/magazinuara nga DPSH dhe dokumentacionit shoqërues të tyre, u konstatua se:

– Sipas certifikatës së origjinës që i shoqëron, mallrat kanë ardhur nga Kina, në kundërshtim me pikën 2.3 të KVK të kërkuara nga AK, në zbatim të së cilës mallrat duhet të kishin origjinë nga Turqia (“Autorizim prodhuesi” është lëshuar nga subjekti “Ç..”, Turqi), në të cilin ndër të tjera, është shprehur se …Nëpërmjet këtij dokumenti japim garanci të plotë për mallrat që ju prezantohen nga ana e “Gj..” sh.p.k. përsa i përket sigurimit dhe dorëzimit në përputhje me Kushtet e Kontratës së Përgjithshme).

– Laboratori i Akredituar i Universitetit Politeknik i Tiranës, në analizën e lëshuar (e përsëritur me kërkesë të AK), nuk është shprehur për karakteristikat e matshme në specifikimet teknike të kërkuara/përcaktuara lidhur me artikullin “çantë shpine” nëse materiali përbërës është i papërshkueshëm nga uji, për të dy artikujt, dhe për artikullin “Dyshek me dy shtresa”, nëse materiali përbërës realizon “mbrojtjen në temperatura – 20 gradë”. 
Tenderi për uniformat e policisë së shtetit
– “Uniforma për Policinë e Shtetit” me vlerë 198,000 mijë lekë, i zhvilluar në vitin 2015. Procedura e zgjedhur/zhvilluar ka qenë “Me negocim pa shpallje, shtesë kontrate” bazuar në pikën 5 të nenit 33 të ligjit nr. 9643, datë 20.11.2006 i ndryshuar. Baza ligjore së cilës i është referuar AK, nuk qëndron. AK, nuk gjendet në asnjë nga parashikimet e përcaktuara në pikën 5 të nenit 33 të ligjit nr. 9643, datë 20.11.2006 i ndryshuar. Normalisht AK duhet të zhvillonte procedurë “Të hapur”.

– “Blerje qese dhe arka për administrimin e provave” i zhvilluar në vitin 2015. Procedura e zgjedhur/zhvilluar ka qenë “Me negocim pa shpallje …” bazuar në nenin 33 pika 2/b e ligjit nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik” i ndryshuar, nenin 36 të VKM nr. 914, datë 29.12.2014 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”, shkresën e Departamentit të Krimit të Organizuar 3.996, datë 29.7.2015 dhe nr. 3696/1, datë 21.9.2015 me objekt “Sigurimin e qeseve të provave…” etj…

Baza ligjore së cilës i është referuar AK, nuk qëndron. AK, nuk gjendet në asnjë nga parashikimet e përcaktuara në pikën 5 të nenit 33 të ligjit nr. 9643, datë 20.11.2006 i ndryshuar. Normalisht AK duhet të zhvillonte procedurë “Të hapur”.

– “Studim projektim i objekteve të Policisë së Shtetit” i zhvilluar në vitin 2016, në të cilin është shpallur fitues, OE “C..” sh.p.k. ka pranuar në preventivin/situacionin e paraqitur prej tij, përsëritje të zërave/punëve të kryera me vlerë rreth 16,500,000 lekë (e njëjta punë e paguar dy herë), e cila përbën dëm ekonomik për AK.