KLSH nënshkruan Marrëveshje Bashkëpunimi me Qendrën për “Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit në Shqipëri”

369
Sigal

Në datën 10 qershor 2020, Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, z. Bujar Leskaj dhe Drejtori Ekzekutiv i Qendrës për “Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit në Shqipëri” (PPNEA), z. Aleksandër Trajçe nënshkruan një Marrëveshje Bashkëpunimi në ambientet e KLSH-së.

Transparenca e aktivitetit të KLSH-së është një nga aspektet e funksionimit te institucionit tonë, bazuar në standardin e INTOSAI-t, ISSAI 12 “si institucion që udhëheq nëpërmjet shembullit”. Në këtë kontekst, Kryetari i KLSH-së, z. Bujar Leskaj theksoi se marrëveshja e bashkëpunimit mes Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe PPNEA është pjesë e filozofisë së KLSH-së, e cila gjatë viteve 2012-2019, në kuadër të hapjes dhe të bashkëpunimit me Organizatat e Shoqërisë Civile ka nënshkruar 26 marrëveshje bashkëpunimi dhe sot po nënshkruan marrëveshjen e 27-të. Marrëveshjet kanë qenë efikase, veçanërisht në fushën e trajnimeve dhe të angazhimit të ekspertëve të OJF-ve në auditime konkrete që lidhen me fushën e tyre të ekspertizës. KLSH ka shumë shembuj të bashkëpunimit me ekspertë të shoqërisë civile dhe këtu mund të veçojmë bashkëpunimet në fushën e mjedisit me të ndjerin, Akademikun Niko Pano, kontributi i të cilit  në auditimin e realizuar nga Departamenti i Auditimit të performancës “Ruajtja e ekosistemit të parkut kombëtar të Prespës” ka qenë shumë i dobishëm.Zoti Aleksandër Trajçe, Drejtor Ekzekutiv i Qendrës për “Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit në Shqipëri” vlerësoi nënshkrimin e marrëveshjes me KLSH-në dhe rëndësinë që ky institucion i ka dhënë bashkëpunimit me OJF-të, veçanërisht me organizatat që veprojnë në fushën e ruajtjes dhe mbrojtjes së mjedisit. Zoti Trajçe u shpreh për çështje që shqetësojnë aktualisht organizatat e ruajtjes së mjedisit dhe kërkoi bashkëpunimin e KLSH-së në këtë drejtim.

Kryetari Leskaj theksoi që bashkëpunimi i KLSH-së me PPNEA do të fokusohet në dy Departamente auditimi : Departamentin e Auditimit të Performances dhe me atë të auditimit të Aseteve&Mjedisit.

Zoti Leskaj e mbylli fjalën e tij duke nënvizuar se ”..kjo marrëveshje do të zbatohet konkretisht në praktikë duke ecur paralel me filozofinë e INTOSAI-t, e cila është kthyer edhe në filozofi të institucionit ”Nga eksperienca e përbashket përfitojnë të gjithë” dhe njëkohësisht theksoi që të gjithë duhet ta ruajmë dhe ta mbrojmë mjedisin sepse e gjithë bota po përballet me probleme te mëdha qe lidhen me mjedisin, të cilat po afektojnë jetët tona dhe do të dëmtojnë më shumë jetën e gjeneratave të ardhshme, nëse nuk japin të gjithë kontributin tonë për këtë çështje jetike për njerëzimin.