Klsh kallzon në prokurori ish-drejtorin dhe drejtoren e it-së në QKR

574
Kontrolli i Lartë i Shtetit, në zbatim të programit të auditimit nr. 845/1 prot., datë 11.09.2014, i ndryshuar, ka ushtruar auditim në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit (QKR) për periudhën 01.07.2012 – 30.09.2014, në përfundim të të cilit KLSH me shkresën nr. 845/7, datë 29.12.2014, i ka përcjellë Drejtorit të QKR-së, Raportin Përfundimtar të Auditimit dhe Rekomandimet, miratuar me Vendim të Kryetarit të KLSH nr. 194, datë 29.12.2014.
Nga auditimi i KLSH-së, u konstatua kryerja e një sërë shkeljeve dhe parregullsive, të cilat binin ndesh me përcaktimet e bëra në Ligjin nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për Prokurimin Publik”, i ndryshuar dhe më konkretisht:
Për vitin 2013, forma mbizotëruese e prokurimeve në QKR ka qenë “Ftes me negocim, pa botimin paraprak të njoftimit të kontratës”, duke e justifikuar këtë procedurë me emergjencën e krijuar në QKR për shërbime e mallra.
Nga auditimi dhe analiza e hollësishme që ju bë procedurave të prokurimit të zhvilluara nga QKR për vitin 2013, rezultoi që emergjenca në QKR për shërbime e mallra ishte krijuar në mënyrë artificiale nga vetë Autoriteti Kontraktor (AK), siç është edhe rasti i shërbimit “LAN to LAN” dhe rasti i procedurës “Blerje serveri”.
Në lidhje me shërbimin LAN to LAN, rezultoi që në vitin 2013 kishin dështuar dy tendera të hapur në lidhje me këtë shërbim, si pasojë e vendosjes nga QKR të kërkesave të tepruara e të paargumentuara kualifikuese, veprime këto jo në përputhje me kërkesat e përcaktuara në VKM nr.1, datë 10.01.2007 “Për rregullat e prokurimit publik” i ndryshuar.
Nga auditimi rezultoi që në tenderat me negocim pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës, për shërbimin LAN to LAN në vitin 2013, nuk ishin zbatuar detyrimet për ngritjen dhe funksionimin e komisionit për vlerësimin dhe përllogaritjen e fondit limit, sipas përcaktimeve të bëra në nenin 28/1 të Ligjit nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për Prokurimin Publik”, i ndryshuar dhe VKM nr. 1, datë 10.01.2007 “Për rregullat e prokurimit publik”, ì ndryshuar.
Në vitin 2014, ndryshe nga herët e tjera ku për shërbimin LAN to LAN ishte përdorur procedura “Ftes me negocim, pa botimin paraprak të njoftimit të kontratës”, QKR vendosi të prokuronte këtë shërbim nëpërmjet procedurës “Tender i hapu”. Nga auditimi i kësaj procedure prokurimi rezultoi që KVO kishte s’kualifikuar padrejtësisht dhe në mënyrë të paargumentuar një operator ekonomik, i cili kishte paraqitur ofertën më të ulët, me arsyetimin që ky OE a) nuk kishte paraqitur “Formularin e informacionit konfidencial” dhe b) nuk kishte pronësinë e rrjetit të fibrave optike, apo marrë me qira fibra optike, për të realizuar lidhjen e QKR qendër me degët rajonale.
Operatori ekonomik, i s’kualifikuar nga QKR në këtë procedurë prokurimi, është pikërisht operatori ekonomik i cili e kishte ofruar shërbimin LAN to LAN për QKR, përgjatë 5 viteve të mëparshme, gjatë të cilave QKR nuk kishte ngritur asnjë prej pretendimeve të mësipërme.
Në lidhje me pretendimin që OE nuk kishte paraqitur formularin e informacionit konfidencial, nga auditimi rezultoi që bazuar në Dokumentet Standarde të Tenderit (DST) ky informacion nuk ishte i detyrueshëm për tu plotësuar nga OE. Madje edhe në krye të formularit, në kllapa, është venë shënimi: “Shënoni më poshtë informacionin që dëshironi të mbahet konfidencial”.
Ndërsa, në lidhje me pretendimin që OE nuk kishte pronësinë e rrjetit të fibrave optike, apo marrë me qira fibra optike, nga auditimi rezultoi që në përgjigjen e dhënë nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), me shkresën nr. 611/1 prot, datë 13.03.2014, ky OE dispononte “rrjete aksesi përcjellësish fibër optike të vetin dhe me qira nga Albtelecom, ATU, ABCOM, radio të vetën, me rrjete transmetimi fibër optike të marrë me qira nga Albtelecom”.
Për më tepër, QKR nuk kishte kërkuar paraprakisht në mënyrë specifike që ofertuesit të shpreheshin për pronësinë apo qiranë e rrjetit me të cilën do realizojnë këtë lidhje.
Si rrjedhojë, nga s’kualifikimi i padrejtë dhe i paargumentuar i këtij OE, si dhe favorizimi i padrejtë i operatorit ekonomik fitues, i është shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm ekonomik në vlerën prej 8,208,000 lekë (59,000 euro) .
Në tenderin e zhvilluar me objekt “Blerje serveri”, nga auditimi rezultoi që nxjerrja e urdhrit të prokurimit “negocim pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës”, nuk ishte i argumentuar, pasi në regjistrin e parashikimit të prokurimeve për vitin 2013, ishte parashikuar tashmë zhvillimi i tenderit “Blerje kompjuter e server” me fond limit 4,5 milion lekë.
QKR, me shkresën nr. 4828/1, datë 13.05.2013 dërguar në APP, ka bërë ndryshime në regjistrin e prokurimeve për vitin 2013, duke zëvendësuar zërin “Blerje kompjuter e server” me zërin “Pajisje kompjuterike dhe server”. Por pavarësisht këtyre ndryshimeve, urdhri i prokurimit është nxjerrë vetëm për “Blerje serveri”, duke hequr pajisjet kompjuterike, pa ndryshuar fondin limit.
Dosja e auditimit të ushtruar në QKR, u përzgjodh për t’iu nënshtruar procedurave standarde të kontrollit të cilësisë në të ftohtë (kontroll i cili zhvillohet nga Drejtoria Juridike në bashkëpunim me një grup audituesish me përvojë në KLSH) në përfundim të të cilit u konkludua që për shkeljet e mësipërme ekzistonin elementë të veprës penale.
Si rrjedhojë, për të gjitha shkeljet dhe parregullsitë e konstatuara dhe të trajtuara më hollësisht në Raportin e Auditimit, KLSH depozitoi në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor, Tiranë, kallëzimin penal nr. 845/9, datë 10.07.2015 ndaj T.K., me detyrë ish drejtor i Qendrës Kombëtare të Regjistrimit dhe E.P., Drejtore e IT në QKR dhe në cilësinë e Kryetares së KVO-së, të cilët në mospërmbushje të detyrës së tyre funksionale dhe në shkelje të dispozitave të mësipërme ligjore, kanë konsumuar elementët e figurës së veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal. 
Sigal