KLSH kallëzon në prokurori shkeljet në Autoritetin Portual Durrës dhe Ministrinë e Transportit

543
Sigal

Auditimi/ Shkeljet e ligjshmërisë rezultojnë 2,35 miliardë lekë ose 16,9 milionë euro

Kontrolli i Lartë i Shtetit përfundoi më datë 19.05.2014 auditimin e iniciuar në Autoritetin Portual Durrës dhe Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës me objekt “Për zbatimin e ligjshmërisë, rregullshmërisë së veprimtarisë ekonomiko-financiare dhe vlerësues”. Ky auditim ka përfshirë periudhën e veprimtarisë ekonomike-financiare të Autoritetit Portual Durrës, nga data 01.09.2010 deri më datën 31.10.2013. Referuar shkeljeve të konstatuara nga ky auditim dhe të trajtuara më hollësisht në raportin përfundimtar të auditimit, vlera e fondeve të menaxhuara në kundërshtim me dispozitat ligjore arrin në vlerën 2.35 miliard lekë ose 16,9 milion Euro.

Shkeljet kryesore të trajtuara në këtë raport auditimi kanë të bëjnë me shkeljen e ligjit në:

–     zhvillimin e procedurave për dhënien me koncension të një pjese të aktivitetit të APD-së,

–     zbatimin e kontratave me subjektet private që operojnë në Autoritetin Portual Durrës,

–     procedurat e prokurimeve për investime (blerje mallrash dhe shërbimesh) si dhe zbatimin e kontratave respektive,

–     administrimin e vlerave materiale financiare të APD-së,

–     përfitimin e padrejtë nga ana e punonjësve të MPPT-së, si pasojë e pagesave të kryera ndaj tyre nga shoqërive të ndryshme koncensionare për hartimin e dokumentacionit të procedurave koncensionare, etj..

Nga auditimi i procedurave për dhënien me koncension të një pjese të aktivitetit të APD-së, u konstatua që procedura e përgatitjes së dokumentacionit të tenderimit, zhvillimi i procedurave të tenderimit, kualifikimi dhe shpallja fitues, lidhja e kontratave me shoqëritë konçensionre, si dhe zbatimi i tyre, nuk kanë qenë konform dispozitave përkatëse ligjore. Gjithashtu, nga auditimi i procedurave koncensionare rezultoi, që në kontratat e lidhura me shoqëritë koncensionare nuk janë mbajtur parasysh kostoja totale e investimeve të kryera paraprakisht nga shteti dhe për të cilat APD-ja vazhdon të paguajë këstet dhe interesat e kredive të marra para dhënies me koncension, siç është dhe rasti i investimit të kryer në terminalin e trageteve me vlerë 22,9 milion Euro. Nga auditimi i disa prej procedurave të prokurimeve për investime si dhe zbatimin e kontratave respektive të tyre, rezultoi që hartimi i dokumentacionit të tenderimit, zhvillimi i procedurave të tenderimit, kualifikimi dhe shpallja fitues, lidhja e kontratave me operatorët fitues, si dhe zbatimi i tyre, janë kryer në kundërshtim me ligjin. Për të gjitha shkeljet e konstatuara më sipër dhe të trajtuara më hollësisht në raportin përfundimtar të auditimit, KLSH-ja ka rekomanduar në total, 42 masa organizative, 18 masa zhdëmtimi, 26 masa administrative, 12 masa disiplinore si dhe ka depozituar pranë organit përkatës të prokurorisë 2 kallëzime penale për ish-drejtorin e përgjithshëm të APD-së, së bashku me 4 ish-drejtorë të drejtorive përkatëse në këtë autoritet, si dhe 4 nëpunës të MTI-së (ish MPPT). Në lidhje me kallëzimet penale të hartuara nga KLSH-ja ndaj zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të sipërpërmendur, në to trajtohen shkeljet e konstatuara në drejtim të procedurave koncensionare me objekt “Menaxhimi, operimi, mirëmbajtja dhe përmirësimi teknik të terminalit të kontenereve në Portin e Durrësit”, me një efekt financiar 2,2 miliard Lekë, si dhe në kryerjen e procedurave të prokurimit. Kryerje e remontit të përgjithshëm të dy elektrovinçave 16 ton dhe 27.5 ton” dhe Mirëmbajtja teknike e mjeteve, mekanizmave dhe pajisjeve industriale në zotërim të APD-së, me vlerë 22,8 milion Lekë. Nga auditimi i investimeve të kryera nga APD-ja, rezultoi që investimi për sistemin e integruar të peshimit elektronik, me vlerë 47 milion Lekë, i cili do të përshpejtonte procedurat e brendshme të operimit në APD, rritjen e sigurisë së veprimeve, miradministrimin e të ardhurave të APD-së, si dhe rritjen e cilësisë dhe shpejtësisë së shërbimit përkundrejt operatorëve, aktualisht vazhdon të mos përdoret nga ana e APD-së pa asnjë arsye të justifikueshme. Gjithashtu, bazuar në gjetjet e këtij auditimi, KLSH i ka kërkuar APD-së, që të kërkojë në rrugë administrative dhe gjyqësore arkëtimin e vlerës totale prej rreth 62 milion lekë nga operatori ekonomik “L 1”, të cilat përbëjnë përqindjen e të ardhurave që i kalon APD-së, nga aktiviteti i operatorit dhe shumën e sigurimit të kontratës për moslikuidimin në afat të detyrimeve. Një kopje e raportit përfundimtar të auditimit dhe materialeve të tjera shoqëruese do t’i dërgohet ILDKPKI-së, për të verifikuar ekzistencën e konflikteve të mundshme të interesit për ish-drejtuesit e APD-së në raport me subjektet koncensionare që operojnë në këtë autoritet.