Sigal

Kanë kryer regjistrime të pasurive me AMT pa dokumentacionin e duhur ligjor në sipërfaqe 22000m2, me dokumente të parregullta duke kthyer nga tokë truall e tokë pa fryt në tokë arë , nuk kanë zbatuar kriteret e duhura ligjore për pagesa për detyrime ndaj shtetit me dëm ekonomik në vlerën 52.2 milion lekë, kanë regjistruar objekte me leje legalizimi afër liqenit  dhe mbi truall në pronësi të kulteve fetare. Janë regjistruar objekte të legalizuara në kushtet e konfliktit të interesit dhe falsifikimit me qëllim tjetërsimin e pronës së shtetit.U konstatuan gjendje 942 aplikimeve praktika me të ardhura të përfituara pa dhënë shërbimin e faturuar, duke krijuar mpakte sociale negative etj.

Kontrolli i Lartë i Shtetit, në zbatim të programit të auditimit nr.726/1, datë 21.06.2018 miratuar nga Kryetari, ka audituar Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Pogradec, për periudhën 01.06.2015 deri në 01.07.2018. Bazuar në Vendimin nr.183, datë 03.12.2018 të Kryetarit për shkelje të dispozitave ligjore të konstatuara, KLSH ka përcjellë për kallëzim penal në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Pogradec për konsumim të elementëve të veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, neni 248 i Kodit Penal, për disa drejtues sepse:

Në 1 rast ka kryer regjistrimin dhe ka lëshuar certifikatë pronësie në kushtet e konfliktit të interesit, pasi ka nënshkruar aktet zyrtare për pronën e tij, gjithashtu ndërtesa e legalizuar nuk pasqyrohet në imazhin digjital datë 03.07.2014, nuk pasqyrohet në hartën kadastrale, madje koordinatat e genplanit datë 30.03.2018 të lejes legalizimit pasqyrojnë një objekt jashtë parcelës në fjalë.

Në 1 rast ka ndryshuar zërin kadastral nga tokë arë në tokë truall, me sipërfaqe 16325 m2, pasuria nr.254/67, ZK 3665, Hudënisht pa argumente ligjore, në zonën e mbrojtur buzë Liqenit Pogradecit, në mosrespektim të distancës nga liqeni, pa vendim të KKT dhe studim urbanistik për ndërtime, në kushtet kur kjo zonë është përfshirë më parë nga shpronësimet e pronave sipas VKM nr.222, datë 11.03.2015 dhe VKM nr.909, datë 22.12.2014 “Për rehabilitimin e bregut, gjelbërimin dhe ndërtimin e segmentit rrugor Linë-Pogradec”.

– Kanë kryer transaksione mbi pasurinë nr.79 me sipërfaqe 8200 m2 tokë arë, e regjistruar me AMTP nr. 2250, Alarup, ZK 1008, pa verifikuar elementët e formës dhe përmbajtjes të AMTP 2250, pasi kjo AMTP nuk ka asnjë vulë dhe nënshkrimin e komisionit.

-ZVRPP nuk ka kërkuar pranë KVVTP vlerësimin dhe njohjen e titullit pronësisë, si dhe nuk ka vendosur kufizim tek seksioni “E” të kartelës së pasurisë.

-Kanë regjistruar dhe pajisur me certifikatë pronësie sipas AMTP, pa verifikuar elementët e formës dhe përmbajtjes të akteve administrative, pasi disa AMTP përfshijnë sipërfaqe në zërin “arë”, ku në fakt ato janë “kullotë” të cilat nuk janë objekt i ligjit për tokën bujqësore në ZK 1387, Çerravë, me sipërfaqe 1500 m2 “arë” ku në fakt është “kullotë”, mbi bazën e të cilave janë kryer padrejtësisht dëmshpërblimet ndaj poseduesve.

ZVRPP Pogradec në 2 raste, nuk ka arkëtuar vlerën 1,975,480 lekë që përbën shkelje të disiplinës financiare me dëm ekonomik për Buxhetin e Shtetit, që vijnë nga mos arkëtimi i të ardhurave nga mos llogaritja e tarifës së taksës ndikimit në infrastrukturë gjatë regjistrimit të lejeve të ndërtimit dhe legalizimit, penaliteteve për daljen jashtë lejes së ndërtimit.

– ZVRPP Pogradec gjatë periudhës 2015- 01.06.2018 ka qenë palë në 176 procese gjyqësore në cilësinë e palës së paditur dhe të palës së tretë, nga të cilat ka qenë në mungesë në 139 raste, ndërkohë në 37 raste nuk ka ndjekur të gjitha shkallët e gjyqësorit.

– ZVRPP Pogradec nuk ka zbatuar procedurat lidhur me zbatimin e afateve ligjore për kryerjen e shërbimeve të faturuara, ndaj qytetarëve, pasi administrimi i praktikave dhe kërkesave në proces të pa përfunduara të cilat prej 4 vitesh deri në 01.06.2018 arrijnë në rreth mbi 942 aplikimeve praktika me të ardhura të përfituara pa dhënë shërbimin e faturuar, mos administrimin në arkivë të dokumentacionit, mbajtjen e praktikave të aplikimeve nga specialistët për afate të gjata, që kanë sjellë si pasojë mungesën e transparencës së punës ndaj publikut dhe mosfunksionimin e Sistemit të Kontrollit të Brendshëm lidhur me integritetin e punonjësve.

– Në regjistrimin e lejes së legalizimit për objektin “Godinë e kombinuar 9 Kate + Papafingo+ Bodrum” në pronësi të “K” Sh.p.k, nga verifikimi i kontratave të porosisë me palët e treta rezulton se në çmimin e shitjes janë futur dhe sipërfaqet e përbashkëta, ndërkohë që nga firma ndërtuese nuk është paguar taksa e kalimit të pronësisë për sipërfaqen totale 391 m2, që llogaritet në vlerën 138,826 lekë që përbën dëm ekonomik dhe të ardhura të munguara për buxhetin e shtetit, gjithashtu në kartela nuk është regjistruar sipërfaqja e përbashkët.

– Në 14 raste për pasuritë në pronësi të “K” Sh.p.k, nga verifikimi i veprimeve në kartelat e pasurisë rezultoi se ka vepruar duke liruar pasuritë nga sekuestro e vendosur nga Drejtoria Rajonale Tatimore Korçë me shkresën nr.25763 prot, datë 01.11.2016, për shlyerjen e detyrimit në vlerën 50,123,376 lekë, edhe pse kontratat e porosisë dhe më pas kontratat e shitjes janë regjistruar më pas në kohë se sa vendosja e urdhër sekuestros.

– Në 2 raste ZVRPP Pogradec për pasuritë nr.3/180+1-22, vol.39, fq.112 dhe nr.3/180+1-41, vol.39, fq.131, ka proceduar me lirimin e pasurive nga sekuestro, dhe ka regjistruar kontratat e shitjeve përkatësisht, pa asnjë dokument ligjor që justifikon heqjen e sekuestros, apo kontratë porosie regjistruar më parë në kohë nga vendosja e urdhër sekuestros. Të gjitha veprimet më sipër kanë sjellë si pasojë tjetërsimin e pasurive tek palët e treta dhe mos shlyerjen e detyrimit prej 50,123,376 lekë.

– Në 4 raste ka kryer transaksione mbi pasuritë që janë pjesë e ngastrës së tokës duke lëshuar certifikata pronësie, pasuri mbi të cilën është vendosur kufizim sipas shkresës nr.750/1, datë 16.02.2008 të Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtës së Konsumatorit, përcjellë në ZVRPP Pogradec me shkresën nr.4776/1, datë 04.03.2008 të ZQRPP.

– Në 1 rast ZVRPP Pogradec kë regjistruar leje legalizimi për objekt informal, ku një pjesë e sipërfaqes së truallit të objektit të legalizuar bie mbi truall të objekteve të kultit “Truall” me sip.2520 m2 në pronësi të Komunitetit Mysliman.

Për M.SH, me detyrë ish Regjistrues, A.T, me detyrë Specialist Hartograf, E.P, me detyrë Specialist Hartograf, S.A, me detyrë të cilët në mospërmbushje të detyrës së tyre funksionale dhe në shkelje të dispozitave ligjore, kanë konsumuar elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, KLSH  ka përcjellë me shkresë nr.726/18 prot., datë 17.12.2018 indicie për kallëzim penal Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec të gjitha provat dhe dokumentet përkatëse. Bashkëngjitur gjeni në faqen e WEB-t të KLSH-së Vendimin e plotë.